Kujtimet e diplomatit/ Lufta e Kosovës dhe vrasja në Tiranë e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit

Kujtimet e diplomatit/ Lufta e Kosovës dhe vrasja në Tiranë e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit

Ministria e Jashtme dhe ambasada shqiptare në Beograd

Nga Ylli Polovina

Pas pak ditësh nis viti 2019, i cili përbën jubileun 20 vjeçar të Luftës së Kosovës, ndërhyrjes ndërkombëtare, nëpërmjet NATO-s, për t’u bashkuar me UÇK në misionin për çlirimin e saj. Kjo ngjarje autorin e këtij shkrimi e gjeti diplomat në Ambasadën Shqiptare në Romë dhe me këtë rast i paraqet lexuesit një pjesë nga kujtimet.

Vrasja e parë: deputeti Azem Hajdari
Në Tiranë qe vrarë në 12 shtator deputeti Azem Hajdari dhe në Romë institucionet kryesore u vunë në alarm. Për çfarëdo ngjante në Shqipëri, edhe tërmetin më të vogël të rendit publik, Italia e ndjente si kanosje të drejtpërdrejtë. Tamam si të përjetuar jo matanë kufijve tokësorë e detarë, por në një rajon të saj gjeografik dhe administrativ. Sepse më e pakta kjo donte të thoshte vërshim i papërmbajtur emigrantësh shqiptarë e në mos edhe dallgë të tillësh që vinin edhe nga Lindja e Mesme.

Në 13 shtator nga protestues mbështetës të Partisë Demokratike arkivoli me trupin e të ndjerit shmangu intenerarin normal për në varreza dhe papritur iu drejtua ndërtesës së kryeministrisë. Pastaj ndodhi sulmi i njohur i funeralësve mbi këtë institucion.

Në reagim publik në shtetin fqinj qeveria italiane fillimisht e përcolli qëndrimin e vet nëpërmjet Ministrisë së Jashtme. Kjo në orën 12.47 përhapi komunikatën, sipas të cilës "Kryetari i Këshillit të Ministrave u përsëriti ftesën ngulmuese për t'i dhënë fund çdo lloj forme të dhunës, nga cilado palë që mund të vijë. Komuniteti ndërkombëtar do të jetë i papërkulshëm në gjykimin e qendrimit të cilitdo që do të ketë lejuar apo inkurajuar përdorimin e dhunës. Kryetari i Këshillit nënvizoi se i takon presidentit të Republikës Shqiptare, si përfaqësuesi më i lartë i unitetit kombëtar, të gjejë, përmes konsultimeve me të gjitha forcat politike të vendit, një zgjidhje demokratike që të jetë e aftë të sigurojë zgjidhjen e krizës”. Pak më tej: “Qeveria italiane dhe bashkësia ndërkombëtare do të respektojnë dhe do të mbështesin vendimet që do të marrë presidenti i Republikës shqiptare...".

Komunikatën e saj zyrtare vetë qeveria italiane, nëpërmjet Agjencisë së Lajmeve ANSA, e shpërndau pas shtatë orësh, në 19.34. Ajo thoshte: "Ndërkohë që pritet që autorët e gjestit të ndiqen menjëherë nga ligji, qeveria italiane nënvizon në shpirtin e miqësisë që karakterizon raportet mes dy vendeve, nevojën që t'i jepet fund dhunës dhe që i gjithë vendi dhe forcat e tij politike të përsërisin angazhimin e tyre për të kapërcyer vështirësitë në emër të interesit suprem dhe të përbashkët për të përcaktuar kushtet e një bashkëjetese civile".

Në vijim: "Në bazë të një angazhimi të tillë bashkësia ndërkombëtare dhe Italia janë duke vazhduar përpjekjet për reabilitimin e Shqipërisë dhe stabilizimin e saj brenda kornizës së institucioneve evropiane. Pushimi i çdo akti dhune nga secila palë dhe stabiliteti i institucioneve janë kushtet e domosdoshme për rinisjen e dialogut politik dhe demokratik dhe për vazhdimësinë e mbështetjes ndërkombëtare për rindërtimin e vendit".

Faksi i çuditshëm që erdhi nga Ministria e Jashtme në Tiranë
Me detyrën kryesore atë të vëzhgimit të medias dhe marrjes prej saj, përfshi edhe kontaktet konkrete me gazetarët e shtypit, të informacionit të përditshëm mbi zhvillimet në Itali, kisha nëntë muaj që punoja në Ambasadën Shqiptare në Romë. Në 12, 13, dhe 14 shtator nëpërmjet pajisjesh elektronike që i kisha blerë personalisht, sepse shtati ynë nuk parashikonte fonde qoftë edhe për një audio apo videokasetë, filmova dhe incizova gjithçka nga televizionet italiane, përfshi, për të qenë i përgatitur të përballoja bisedat informative, edhe tetë orë nga çfarë pati ngjarë në Tiranë me manifestimet, pushtimin dhe mitralimin e kryeministrisë.

Për të verifikuar informacionin mediatik, i cili mund të qe edhe pak apo shumë i manipuluar, në orën njëmbëdhjetë të paradites, para se institucionet italiane të dilnin me një qëndrim publik, kisha marrë në telefon ministren Ermelinda Meksi, mike imja e vjetër, e cila dukej e pezmatuar me sjelljen e N. Pastaj shtoi se nuk e kishte parë dhe takuar që prej dy ditësh. Çdo episod tjetër nga protestuesit e konfirmonte.

Vetëm në orën 14.44 erdhi një lloj info-je apo gjysmë direktive nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. Qe dërguar me faks. Mesazhi thoshte se "në Tiranë gjendja është kaotike, tek kryeministria ka të shtëna nga godina dhe protestuesit. Flitet se Nano do të japë dorëheqjen. Në presidencë po punohet për zgjidhjen politike, TVSH është në duart e protestuesve, ku kryetari i Legalitetit i është drejtuar popullit për vetëpërmbajtje, sepse sipas tij institucionet shtetërore janë në duart e protestuesve. Në MPJ akoma është stafi ekzistues. Për njoftime të tjera do t'ju vëmë në dijeni. Sokol Gjoka”.

Sokoli ishte drejtor i Drejtorisë së Shtypit, por firma poshtë emrit nuk qe e tij. Orientimet për të vepruar nisën të mbërrinin nëpërmjet një interviste të ministrit të Jashtëm Paskal Milo dhe një fjale të posaçme të presidentit Rexhep Meidani. Këto mbërritën në ambasadë natën vonë.

Kështu që me zbardhjen e ditës së re, 15 shtator, volumi i informacionit që mblodha për sektorin tim ishte i mjaftueshëm për t’u ballafaquar me çdo gazetar që do t’i kërkonte. Mbi dhjetë prej tyre, që të gjithë pasi më patën telefonuar, i kisha pajisur me të dhëna që nga çasti i vrasjes së Azem Hajdarit, sidomos gjatë pasdites së 12 shtatorit.

Lamberto Dini: Ngjarjet në Tiranë nuk kanë lidhje me zhvillimet në Kosovë
Më 15 shtator në Romë u mblodhën urgjentisht Komisionet e Politikës së Jashtme të Dhomës (së Deputetëve) dhe të Senatit. Ishte “seancë pyetjesh” dhe atyre iu përgjigj ministri i Jashtëm Lamberto Dini. Ky mes të tjerash tha se edhe vetë qeveria shqiptare nuk e kishte parashikuar një shpërthim të tillë. Kryeministri Nano, sipas tij (por ishte edhe e vërtetë), pati parashikuar një vizitë në Itali për të hënën, 14 shtator. Megjithatë, mëshoi ministri i Jashtëm, qeveria italiane qe në dijeni me kohë për një rëndim të situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri...

Po ashtu Dini vuri në dukje se “lidhur me krijimin e një qeverie të pajtimit kombëtar nuk mendojmë se është e nevojshme. Gjithashtu nuk na takon ne të themi se cila qeveri i duhet Shqipërisë. Përveç kësaj një qeveri e pajtimit kombëtar kërkon një kulturë demokratike që forcat politike shqiptare nuk e kanë dhe një respekt shumë të madh të njeri-tjetrit”

Lamberto Dini nuk ishte i mendimit se ngjarjet e fundit në Shqipëri qenë të lidhura me krizën në Kosovë. Argumentimi i tij për këtë tezë, e cila në variantin e kundërt, pra që kishte lidhje, qarkullonte dendur ato ditë nëpër qarqe mediatike të Romës, mbështetej pak a shumë tek kjo logjikë: të dyja formacionet politike partiake në Shqipëri, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, e kanë përkrahur UÇK-në. Ndërkohë ministri i Jashtëm italian shtoi me një nëntekst mospëlqyes për qeverinë e Tiranës , se ajo në një formë dinake kishte favorizuar trafikun e armëve drejt Kosovës.

Lamberto Dini, për të cilin kishim prova të plota që mes Tiranës dhe Beogradit anonte më shumë nga interesat sërbe, në “seancën e pyetjeve” deklaroi se qeveria italiane sa kohë ishte Berisha në pushtet pati bashkëpunuar me të. “Tani jemi duke bashkëpunuar me Nanon”, spikati. Sipas Dinit, qeveria në Romë “duhet të bashkëpunojë me ata që kanë pushtetin legal në vend”.

16 deri 19 shtator
Këtë ditë në parlamentin italian do të kishte një “seancë pyetjesh” edhe për kryeministrin Romano Prodi. Ky mes të tjerash gjeti me vend të theksonte se "Ka një ndryshim të thellë të krizës aktuale dhe asaj të vitit të shkuar...për disa orë pata frikë se mos përsëritej gjendja e motit të kaluar, por ja edhe ndryshimi i madh, institucionet rezistuan...Nënvizoj se i kujtova Nanos dhe Berishës se ky do të jetë kriteri themelor në bazë të të cilit Italia do të do të vlerësojë proçesin demokratik...Këto ditë jemi shqetësuar disi nga ngjarjet e fundit, megjithatë mund të them se në të ardhmen do të mund të rregullojmë, në marrëveshje me qeverinë shqiptare, trafikun e njerëzve në mënyrë të rregullt..." 

16 shtatori, e mërkurë, do të kishte edhe një suprizë për mua. Një nga gazetat kryesore italiane, "La Stampa", ndërsa botonte në faqen e parë shkrimin “Arrestoni Berishën”, kaos në Tiranë”, po ashtu “Një dorë e fshehtë nën hije, misteret e grushtit të dështuar të shtetit”, si edhe në faqen katër artikujt “Andreotti: Tani të hetohet mbi trafikun e armëve midis Kosovës dhe Shqipërisë për lidhjet e mundshme me vdekjen e Hajdarit” apo “Shqipëri, shi kritikash mbi qeverinë” (me nëntitull “Berisha telefonon Dinin”), hapte vend edhe për një të pestë. Ky titullohej “Ambasada: Mediat italiane përdorin imazhet e 97-tës”. Atje citohesha unë, me emrin Juli, sepse italianët nuk e kanë as germën Y dhe as atë Ll.

Shkrimi qe ky: “Pas një pune skrupuloze monitorimi të 72 orëve të fundit, ambasada shqiptare në Itali u tërhiqte veshin televizioneve dhe gazetave  me një notë formale në të cilin ftohen stacionet televizive “të mos përdorin imazhet e bujshme të vitit të shkuar” për të përshkruar krizën në zhvillim dhe akuzohen disa të përditshme të heqin dorë nga publikimi “i simboleve të vjetra që i përkasin ish-regjimit komunist”, çfarë nuk ka asnjë lidhje me rendin e ri kushtetues në vend. Këshilltari i Shtypit në Ambasadën Shqiptare, Juli Polovina, akuzon veçanërisht rrjetin RAI. “Në mbrëmjen e së dielës, 13 shtator, në edicionet e lajmeve të rrjeteve publike, pohon ai, janë transmentuar imazhe mbi Shqipërinë e vitit të kaluar. Qe e lehtë të dallohej kjo sepse manifestuesit e filmuar bërtitnin “Vlora, Vlora!”, çfarë qe thirrja e revoltës me këtë rast. Për diplomatin “është një gabim i madh të ngatërrosh të dy situatat që nuk kanë asgjë të përbashkët”. Juli Polovina e ngre gishtin pastaj kundër “Corriere della Sera” të 14 shtatorit, duke thënë se “ka botuar një logo grafike në të cilën stema kombëtare ishte ajo e regjimit të vjetër komunist”.

Autor i këtij informimi qe gazetari Mauricio Molinari (Maurizio Molinari), sot drejtor i “La Stampa”, me të cilin gjatë tërë mandatit tim në Romë pata bashkëpunim të ngushtë dhe mirëkuptim. Për këtë shkrim nuk i raportova asnjë fjalë Ministrisë së Punëve të Jashtme. E pata bërë këtë edhe në dy raste të mëparshme, kur kishin hapur vend për mua një editorial i “Il Manifesto” dhe me foto një faqe e parë e "La Gazzetta del Mezzogiorno". Arsyeja e vetëcensurimit: mund të interpretohej si mungesë modestie.

Gjithsesi të nesërmen, 17 shtator, edhe pse “La Stampa” e kish bërë problem, "Corriere della Sera”, vijoi si më parë: mbante flamurin me yllin e kuq dhe rubrikën me titull "Shqipëria në flakë". Heqja e tyre ndodhi vetëm më 18 shtator, mbase sepse atë ditë kjo e përditshme e madhe italiane nuk kishte faqe speciale për çfarë po ngjante në vendin tonë. Ndërkohë gazeta e mjedisit të djathtë “Il Giornale" vijonte si më parë grafikën "Shqipëria në luftë civile", ndërsa ajo e rretheve të majta, "La Repubblica", e cila deri një ditë më parë përdorte emblemën "Shqipëria në revoltë", e kish hequr atë. 

Në mbrëmjen e 18 shtatorit isha në një veprimtari për pedofilinë të partisë pasfashiste, Aleancës Nacionale, e cila kish ndikim kryesor tek “Il Giornale”. Gjatë veprimtarisë një çast më erdhi ndërmend t'u thosha se mbronin vërtet fëmijët nga pedofilët, por ndërkohë thoshin një gabim të madh: në Shqipëri po bëhej luftë civile!? Por hoqa dorë prej kësaj ndërhyrjeje. Kritikat, që të mund të mirëkuptohen, duan masë.

Kur në atë ditë të 18 shtatorit mbrëmja qe kthyer në natë të thellë ministri i Jashtëm Paskal Milo që nga Tirana i kërkoi ambasadës tonë informacion se çfarë kishte transmentuar RAITRE për Shqipërinë në lajmet e orës nëntëmbëdhjetë (konkretisht çfarë pati deklaruar kryeministri Prodi dhe udhëheqësi i komunistëve Akile Oketo). I gjendur ato çaste në zyrë, ku mundësitë teknologjike i kisha shumë më të vogla se në apartamentin tim në Viale Eritrea, ky emision me sa duket më kishte shpëtuar. Atëherë bashkë me kolegen që mbulonte politikën, Venera Domi, e cila sipas protokollit qe edhe numri dy i ambasadës, që nga apartamenti im biseduam me televizionin RAITRE për të marrë prej tyre zyrtarisht çfarë kishin thënë atë pasdite dy politikanët e lartë italianë. Punonjës të lartë të këtij kanali publik na orientuan se ato deklarata sipas rregullit do të përsëriteshin prej këtij stacioni televiziv në një edicion lajmesh të orës 22.40, prandaj mjaftonte ta ndiqnim.

Erdhi koha e caktuar, u tha se Lamberto Dini qe në Bari dhe se kryeministri Prodi pati marrë pjesë në Bolonjë në festën e gazetës “Unità” të të majtëve demokratë, por asgjë sipas pretendimit nga Tirana. Për Oketon ajo rubrikë lajmesh asnjë fjalë. Për t’i dërguar një informacion ministrit Milo duhej pritur e nesërmja, mëngjesi i herët, kur do të dilnin gazetat. Atyre nuk u shpëtonte gjë. Mirëpo edhe ato çuditërisht nuk kishin asnjë rresht për çfarë porositeshim. Të përditshmet merreshin fort me lajmin që ish-presidentit Sali Berisha shumica parlamentare i kishte hequr imunitetin dhe nga çasti në çast pritej arrestimi i tij. Mosshkuarja deri këtu qe mendimi unanim i politikanëve italianë, madje “La Gazzetta del Mezzogiorno”, me seli redaksie Barin, e titullonte një shkrim të vet me atë çfarë Lamberto Dini pati thënë në këtë qytet: “Arrestimi i Berishës do të shpërthente një konflikt".

Mbase në Tiranë, me këmbënguljen për emisionin (e supozuar ndoshta) të RAITRE, donin të dinin opinionin e politikanëve italianë për këtë arrestim, sepse manifestonin ngut dhe afër mesnatës në ambasadë mbërriti nga Ministria e Punëve të Jashtme urdhri i prerë dhe këmbëngulës: Pasqyrat e shtypit menjëherë një ditë më pas të jenë në MPJ dhe tek Kryeministri. 

Në raportin informativ për median që hartova atë paradite të 19 shtatorit, për çështjen delikate të arrestimit apo jo shefit të opozitës  përfshiva gjithçka të thënë e të shkruar për këtë temë. Midis tyre edhe shkrimin "Një politikë kompromisi...", të Karlo Bolinos, botuar në “La Gazzetta del Mezzogiorno”. Ai nënvizonte se vërtet një arrestim i Berishës do të provokonte gjendjen, por bashkësia ndërkombëtare asnjëherë nuk ka ditur të zgjidhë ndonjë krizë. Autori përfundonte me fjalët "tani është frikë të ndihmosh për të zgjidhur një krizë". Ndërkohë në mbrëmjen e asaj dite RAIUNO dhe RAIDUE trasmentuan intervista të alternuara me kryeministrin shqiptar Fatos Nano dhe kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha. Në një formë tjetër, por sërish duke i ballafaquar deklaratat e të dyve, i alternoi edhe RAITRE. Kështu më në fund ishte gjetur një pikë baraspeshimi edhe për çfarë opinioni italian duhej informuar për vendin fqinj tepër problematik. Ky e dinte fare mirë se në Ballkan kishte edhe një tjetër qendër krize të rëndë, e lidhur edhe ajo me shqiptarët.   

"La Repubblica" botonte shkrimin "Kosovë, Beogradi ka frikë nga një sulm, nëntitulli "Raketat e NATO-s janë drejtuar mbi ne". Në të citohej një gazetë amerikane, sipas të cilës sulmi kundër Beogradit do të bëhej me raketa "Kruise". Po kështu përmendej edhe "kërcënimi" i ministrit gjerman të Mbrojtjes Ryhe, i cili pati folur për një veprim force pas tre deri pesë javësh.

Pas nëntë ditësh vrasja e dytë e madhe në Tiranë: e ministrit të Mbrojtjes të Kosovës Ahmet Krasniqi
Natën duke u gdhirë 22 shtatori dhe në mëngjes teleteksti i RAI-t njoftoi vrasjen e Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes së qeverisë kosovare dhe paraqiti në gjysmën e fundit të hapësirës së lajmit vetëm fjalët e shefit të opozitës shqiptare: "Është i mundshëm hipoteza se vrasja është kryer nga bashkëpunimi mes shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe Beogradit".
Deri në 30 shtator dallga e madh informative e medias italiane i dha reliev (në datat 24 dhe 25) lajmit se Sali Berisha pati falënderuar Italinë dhe SHBA që me ndërhyrjen e tyre ndihmuan Shqipërinë të mos niste aty lufta civile. Në mënyrë periferike gjithashtu u njoftua se një mbledhje e Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste i pati dhënë mandatin Fatos Nanos për të kryer bisedimet dhe marrëveshjet përkatëse me partitë e koalicionit dhe Presidentin. Në ditët në vijim informoi për dorëheqjen e tij.

Në 30 shtator "La Repubblica" publikonte një shkrim ku mes të tjerash thuhej: "Italia nuk dëshpërohet për dorëheqjen e Nanos, por edhe nuk emocionohet nga emërimi i të riut Majko. Diplomacia italiane, pas kuintave, ka patur një rol vendimtar në rënien e kryeministrit shqiptar. Por rënia e një udhëheqësi socialist nuk ka nxjerrë emërimin e një kryeministri "mik". Të paktën deri tani". 

Më tej, po në këtë artikull: "Që Nano nuk ka qenë ndonjëherë në zemrën e qeverisë së Romës e zbulon një fakt i vogël, por i kuptimshëm i vitit të shkuar, në çastin e parë kur u ndeshën në Pallatin Kixhi të dy palët, qeveria italiane dhe ajo shqiptare. Kur u mbyll mbledhja, Prodi e trajtoi në mënyrë shumë brutale kryeministrin e ri. "Më ke dhënë kënaqësi që më ke dërguar projektprogramin e qeverisë- i tha menjëherë- por shoh se mes aleatëve kini vendosur në vendin e parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Italia qenka në radhë me të tjerët. Atëhere në rast se doni të bashkëpunoni me të tjerët, ecni me ta". Dhe Dini e mbështeti: "Nesër është konferenca e vendeve dhuruese. Përse nuk shkoni t'i gjeni paratë tek SHBA?"

Më pas në artikull thuhej se vija filogreke e Fatos Nanos qe evidente. Si provë sillte faktin që ai kishte patur dëshirë më shumë për korridorin 7, që e lidh me Greqinë dhe jo për atë 8, që e lidh me Italinë. Pastaj thuhej se ish-kryeministri shqiptar u "ka bërë konçensione shoqërive greke, angleze dhe gjermane, duke u lënë vetëm thërrime atyre italiane".

Në 1 tetor "La Repubblica" mbushi dy faqe të posaçme për Kosovën dhe nuk kish asgjë për Shqipërinë. Në 2 tetor kjo temë sundonte. Mes shumë të përditshmeve që e besonin se kish një lidhje me çfarë ndodhte në Tiranë e Prishtinë me atë që dëshirohej në Beograd, “La Gazzetta del Mezzogiorno" botonte shkrimin e Karlo Bolinos "Fajet e të mëdhenjve". Sipas tij, mes Kosovës dhe Shqipërisë lëkundej një pendul ngjarjesh. Ka një shekull që e bën këtë gjë, këmbungulte ai: që kur u krijua shteti më 1912. “Më 1981, shkruante Bolino, kur protesta në Kosovë po bëhej kërcënueshëm një revoltë, në Tiranë u vetvra kryeministri Mehmet Shehu, i akuzuar për filoserbizëm. Më 1989 Serbia i mohoi Kosovës autonominë, një vit më pas në Shqipëri ra diktaura. Më 1996 Berisha deklaroi se do ta çlironte Kosovën edhe me armë, dhe një vit më pas ra nga skandali i piramidave mashtruese. Në shkurt 1998 shpërtheu revolta e armatosur në Kosovë dhe shtatë muaj më pas plasi kryengritja në Tiranë”.

Tiranë, më 19 dhjetor 2018

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën