At Valentini u befasua nga qyteti si nga një mister dhe gjatë njëzet vjetëve ai nuk rreshti së përpjekuri për ta zbuluar këtë mister. Le të mendojmë për një moment sikur e gjithë vepra e At Zef Valentinit të ishte zhdukur dhe prej saj të na kishin mbetur vetëm disa fragmente pa emër autori ku ai përshkruan qytetet dhe krahinat e ndryshme të Shqipërisë. Dhe kur të kërkohej të përcaktohej se nga cila krahinë e Shqipërisë ishte autori i këtyre përshkrimeve, me siguri që midis krahinave të ndryshme të Shqipërisë do të fillonte një debat si ai debati i famshëm mes shtatë qyteteve greke për origjinën e Homerit. Të parët që do të flisnin do të qenë me siguri shkodranët, të cilët do të pretendonin se ai ishte shkodran, se ato përshkrime që i ka bërë ai Shkodrës nuk mund t’i bënte veçse një shkodran.
JA SI SHKRUAN AT VALENTINI PËR SHKODRËN TE “SHEJZAT”
“Shkodra është një qytet sekret e shumëformësh. Sa më shumë e njeh dhe e studion, aq më të reja shfaqen format e saj, që duket sikur të zbulojnë ndonjë kind të sekretit të tyre, kur në realitet të bëjnë të gjendesh përballë një misteri të ri. Dhe pas kësaj pason një përshkrim i Shkodrës që tregon se At Valentini ishte një njohës i thellë i qytetit, kulturës së tij, njerëzve të tij. Ja se si e pa ai Shkodrën kur vajti për herë të parë atje, në 1922, përshtypje për të cilën ka lënë një përshkrim mjeshtëror:
Drejt Shkodrës, zakonisht shkohet nga rruga e detit, që niset nga Lezha. Kur udhëtarit i shqiptohet emri i fushës pjellore të Zadrimës dhe pastaj “Ja, Shkodra”, ai nuk sheh asgjë tjetër përballë vetes sesa një barrierë gjigante malesh, të shogët e të përhimë.
Duhet të vazhdosh më tej, gjersa të arrish të shohësh se ka një kalim mes Taraboshit dhe kodrinës së kalasë të kurorëzuar me mure bedenash, që ndjek si një ngushticë udhën plot gjarpërime të Bunës, derisa në fund gjendet, ose të duket se gjendet, një zonë banimi, si e varur thikë dhe me një fole çatish të vendosura njëra mbi tjetrën; zbritet, paskëtaj, nëpër sokakët e ngushtë e të errët, duke kuptuar se ky nuk është qyteti, por pazari i tij, vendi ku ai që kalon nuk mund të thotë se aty jetohet, por vetëm se fshihet pas mallit apo nën thasët e mallit që mban në krah.
E më pas veç vijon fusha.
Vetëm paskëtaj vjen qyteti, nëse duam të përdorim një term pompoz, pasi atë mund ta quajmë thjesht edhe një qendër banimi, rruga kryesore, e para që i paraqet ardhësit fytyrën e Shkodrës, nuk është asgjë tjetër veçse një varg shtëpish modeste, me dy kate më e larta, me dyqane apo kafene të vockla në katin përdhes.
E, nëse del prej andej, të shoqërojnë rrugicëza akoma edhe më fushore e kalime akoma dhe më të ngushta midis ledheve te kështjellave me porta të mëdha, por pa shtëpi. Nëse dikush do të donte të vinte këtu si turist e me të gjitha ato kujdesje e kureshti të studiuesit, duke dashur madje të ngjitej më parë në kala, do të shihte se rrënojat e fortifikimeve do ta linin të mëdyshur midis stilit turk dhe atij venecian, ndërkohë që ajo që do t’i paraqitej përposh si panorama e qytetit, do të qe e ngjashme me një pyll të stërmadh, prej të cilit lartësohet kambanorja e madhe e katedrales katolike dhe kambanorja e vogël e françeskanëve, të shoqëruara këto nga minaret e shumta të lagjeve myslimane në të majtë. Pak çati të kuqe nxjerrin tek-tuk kryet mes gjelbërimit, si për të justifikuar imazhin me të cilin shkodranët duan ta përshkruajnë qytetin e tyre, atë të një shege që lejon të nëpërduken kokrrat e saj. (At Giuseppe (Zef) Valentini: “Vepra”, vëllimi I, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2005, f. 388-389)
SI SILLEJ AT ZEF VALENTINI AT VALENTINI NË PAZAR TË SHKODRËS
Një njohës i mirë i At Valentinit, Ernest Koliqi, te “Njeriu Valentini”, na ka lënë një përshkrim mahnitës të kontakteve të shumanshme dhe të thella të At Valentinit në Shkodër me njerëzit e saj të shtresave të ndryshme të shoqërisë: “Valentini, falë dhuntive intuitive që e banin të veçantë, nëpërmjet shkëmbimeve t’përditshme t’ideve e opinioneve, pasunonte gjithnji e ma tepër përvojën e tij me njerëz e fenomene shqiptare. Edhe mjediset familjare ma të shmanguna ia hapnin dyert, oborret e mbylluna ndër mure të nalta përtej portash të randa, tashma nuk përbanin sekret për të.
Shtëpia shkodrane, tipike në strukturat e saj, funksionale në përputhje me nevojat e tregtarëve të pasun të cilët, përpara ndërtimit të hekurudhës Shkup-Selanik, shpërndanin mallnat e tyne t’shtrenjta në tan Turqin Evropiane asokohe të quejtun Rumeli, asht objekt i një përshkrimi mbresëlanës nga ana e tij… Por e gjithë kjo përfaqësonte vetëm kornizën. Ai deshti me njoftë pamjet ma të mshefta të jetës që zhvillohej asokohe në mbrendësi t’atyne banesave.
Deshti me depërtue në intimitetin e atyne familjeve që jetonin me ritmin e zakoneve të veçanta, me ndi atmosferën e asaj bote të mbushun me fisnikëri antike, mbetun e pacënueme mes shtrëngatave shekullore, me hy në shpirtin e atyne njerëzve e edhe në shpirtin e sendeve prej të cilave ata njerëz rrethoheshin. Shijoi shurupet e ambla të limonit,- të limojve pjekun ndër pemë që rriteshin në arka të mëdha në formë gjysmëvoze përplot me dhe, e ngjye në të gjelbër, që verës rreshtoheshin në oborr rreth posit, kurse në dimën vendoseshin në nji nga odat e katit përdhes-, shijoi dardhat e kopshtit shtëpiak, gatue me kujdes e ngrohtësi simbas recetave tradicionale, rakin e përftueme nga rrushi i vneshtave të Bardhejt e Rrencit, zie në shtëpi ndër kazane të mdhej prej bakri.
Vëzhgonte veshjet e vajzave shkodrane me bustine drejtuem para tij, t’buzëqeshuna e të ndrojtuna në veshjet e tyne t’kushtueshme prej mëndafshi, që fjalën ua lanë vetëm burrave. Kur u përgjigjeshin në mënyrë të matun ndonji pyetjeje që u bahej, ai vërente në përgjigjet e tyne nji fisnikëri të adhurueshme ekspresioni. Në Pazar të Shkodrës që atëherë numëronte 2000 dugajë, ai frekuentonte ato të qëndistarëve të kostumeve, të argjendarëve, rrobashitësve e tregtarëve që kishin shëtitë tanë botën. Rrufiste kafet e forta allaturka tue ndigjue biseda mbi të kaluemen. (At Giuseppe (Zef) Valentini: “Vepra”, vëllimi II, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2005, f. 14-15-16).
KUJTIMET E ETNOGRAFIT NË TIRANË
Si i shëtiste përditë e një nga një gjellëtoret në rrugën e Dibrës
Por do të ngriheshin tiranasit dhe do t’i kundërshtonin shkodranët duke thënë se vërtet që autori ka bërë përshkrime shumë të bukura për Shkodrën, por kjo nuk do të thotë se ai ishte shkodran. Se ai ka lënë edhe përshkrime të tilla magjepsëse për Tiranën, që asnjë tiranas i lindur dhe i rritur në Tiranë nuk ka arritur që t’i bëjë dot. At Valentini shkruan për Tiranën:
Tirana ndodhet në ekstremin juglindor të një pllaje të ngushtë dhe pjellore, e cila duke u shtrirë në drejtimin veri-veriperëndimor, gati në profilin e bririt të bollëkut, kufizuar në ngjitje nga vargu i lartë Dajt-Brar, kuota 1269, Mali i Krus-Malet e Kurbinit-Mali i Lezhës dhe e përbërë nga sistemi i kodrave që e ndan nga pllaja e Durrësit, hapet gjerësisht mbi gjirin e Drinit, mes Lezhës dhe Kepit të Rodonit.” Në këto rreshta shohim një vrojtues të hollë që e ka shëtitur krahinën e Tiranës kryq e tërthor, dhe që veç njohjes së vendit ka dhe aftësinë për të gjetur figuracionin e nevojshëm për ta përshkruar atë, siç bën kur e krahason me figurën mitologjike të bririt të bollëkut.
Vrojtuesi i hollë me shpirt poetik dhe njohësi i mirë i vendit duket edhe kur shkruan për Tiranën: Panorama që shihet duke u nisur nga Tirana është me të vërtetë magjepsëse. Ka një variacion mes kodrave të pyllëzuara në të majtë dhe pllajës së kultivuar në të djathtë, mbi të cilat hijeshojnë malet madhështore, që sfumohen pasditeve nga një dritë vezulluese që të mbush me nostalgji. (At Giuseppe (Zef) Valentini: “Vepra”, vëllimi III, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2005, f. 209-210).
Sa për Valentinin si njohës i qytetit të Tiranës kemi ato që na thotë Ernest Koliqi te “Njeriu Valentini” për shëtitjet e në Tiranë: “Në Tiranë, me të ndjerin Stefan Shundi, të ndamë në mënyrë tragjike prej letrave shqipe, tue dalë mesditave, në kohën kur këndonte muezini, prej Institutit Mbretnor të Studimeve Shqiptare ku ai ishte këshilltar e sekretar i përgjithshëm, vizitonte me radhë, nji nga nji çdo ditë gjelltoret e vogla të rrugës së Dibrës, tue shijue gjellët e kandshme të përgatituna guzhinierësh shum t’aftë, ekspertë në artin kulinar të Lindjes e Perëndimit.
(At Giuseppe (Zef) Valentini: “Vepra”, vëllimi II, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2005, f. 16). Këto na japin të kuptojmë se At Valentini e njihte Tiranën jo më pak se Shkodrën. Prandaj, nëse biem dakord të gjithë se At Valentini ishte një shqiptar, do ta kemi të vështirë të përcaktojmë se cilës krahinë apo qytet të Shqipërisë i përket nderi ta quajë At Valentinin të vetin. Ai ishte njeri me pasione të shumanshme. Në ditën e punës së tij si studiues gjente kohë për të eksploruar natyrën shqiptare dhe lumturohej madje kur gjente në Shqipëri një bimë shumë të rrallë në botë, të quajtur Vulfenia.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)