Kujtimet/ Pano Taçi, jeta buzë
lumit pranë një arixhiu

Kujtimet/ Pano Taçi, jeta buzë<br />lumit pranë një arixhiu
TIRANE - Sa e vështirë qenka të shkruash për Pano Taçin, njësoj si për të vërtetën!

Nuk e di prej sa kohësh, ndoshta qysh atëherë kur lexova një poezi erotike të Pano Taçit, midis nesh u krijua një farë hendeku që më mbajti larg nga ai. Vargjet erotike të asaj poezie i këndonin organit gjenital të femrës dhe ishin shkruar pa ndonjë zbukurim ose përshtatje linguistike latine siç ndodh rëndom në botën shkollareske. Më vonë, kur e kam sjellë nëpër mend këtë detaj, kam medituar se e bukura në art i ka rrënjët në humusin në të cilin ushqehen rrënjët e thella të luleve ekzotike…Po a

nuk kishte ndodhur kohë më parë edhe me Pushkinin, me poezinë e tij “Kujtoj një çast të mrekulluar”, nga më të bukurat e letërsisë ruse, kur poeti i madh e kishte shoqëruar atë me shënimin që i dërgonte një mikut të tij, me fjalët që rëndon përkthehen ”shtiva në dorë”, kur në të vërtetë bëhet fjalë për aktin seksual “çudnoje mgnovjenje”? (Referim nga libri i I.Kadaresë “Ftesë në studio”)...

Me sa dukej, miqësia me Panon kërkonte nga ana ime një farë kurbani. Ndonjëherë ato më kujtonin marrëdhëniet e ngrira midis dy shteteve…
Ftesën për t’u ulur në tryezën e tij e mora vetëm pasi ai lexoi librin tim “Ah, ky Esenini!”. Ma kërkoi vetë atë libër, thjesht dhe pa shtirje në një takim në kafe “Opera”.

Më hodhi një vështrim nga koka te këmbët dhe ra në meditime i zhytur në heshtje si një krater i shuar vullkani. Në atë çast isha mjaft kureshtar të mësoja se çfarë bluante ajo koka e tij e thinjur dhe e regjur nga jeta. Duke thyer heshtjen e pyeta:
-Nuk më the asnjë fjalë për librin tim për Eseninin? Apo nuk e ke lexuar ende?

Sytë e tij më vështruan një copë herë dhe pasi shkundi cigarishten në tavllën e tryezës, m’u përgjigj:
-Më pëlqeu! - e shoqëruar me një vështrim të kithët si të donte të shtonte, “Shiko, qerrata, tani mos kërko më shumë!”

Pak më vonë shtoi si të fliste me vete: -Poezitë ia njihnim me kohë, por jetën jo aq shumë! Meri Lalaj na solli një libër të përkthyer bukur nga anglishtja, por edhe ky i yti në ato ujëra është!

Pas pak, duke ndjerë se diçka nuk shkonte midis nesh, kushedi, ndoshta edhe për t’u bërë më i besueshëm, shtoi:
-Edhe Xhevua (Xhevahir Spahiu) ma mori dhe e lexoi qysh dje librin tënd!
Me kënaqësi sjell ndërmend se ambasadori i parë pranë Panos ishte bërë kujtimi i lirikut të famshëm rus, të cilin e kishim të dy për zemër, Sergei Esenini!

Kishte raste kur rrëfimet e Panos më sillnin ndërmend baronin Mynahuzen, i cili ishte bërë i famshëm me historitë e tij të çuditshme, se si një herë kishte fluturuar në hënë, se si kishte jetuar midis njerëzve me tri këmbë, se si kishte gëlltitur një peshk të madh dhe si i qe këputur atij koka.

Mua më dukej se edhe në tregimet e Panos buisnin ca rrëfime artistike të pabesueshme, ndërsa mbante të ngrehur kokën lart e pak mënjanë, si një kalë i pashtruar, atë kokë që nuk ia shtroi kurrë asnjë hall, mënxyrë, polic apo pushtetar…

Gjatë meditimeve shpesh herë jam rrekur të zbuloj shtysën e qëndrimeve të këtij poeti të ndjeshëm, ëndërrimtar dhe me shpirt fëmije. Gjatë atyre çasteve më është dukur vetja si ai këlyshi i qenit që vështron i mahnitur atje lart në qiell hënën që ndriçon si një llampë neoni.Ky vegim më nxiti t’i kthehem kohë më kohë këtij misteri duke pyetur veten: Nëse mjaft nga tregimet e Panos nuk janë të vërteta, përse i sajon atëherë ai këto përralla të bukura?! Pastaj, me çfarë guximi i tregon ditën për diell si të vërteta?!

Ndoshta gjithçka e sajonte në mendje vetvetiu dhe krejt natyrshëm, njësoj siç mbush njeriu mushkritë me ajrin e pastër të pyllit. Panua qëndron deri vonë në njërën prej tryezave të kafe “Europa”, herë i vetmuar dhe herë i shoqëruar nga miqtë e tij, pastaj duke sjellë nëpërmend vetminë që e pret, vë në punë fantazinë, e cila mezi ç’pret të fluturojë në bulevardin e aventurave të poetit.

Në tregimet e tij zinin vend mjaft vargje e copëza subjektesh nga poezitë e Pushkinit, ca më shumë nga Esenini, Lasgushi, Ali Asllani e kështu me radhë…Oh, sa bukur nis e lundron në detin pa kufij anija fantazmë e poetit plak! Lundrim të mbarë, or mik! Lum ai që pati fatin të dëgjojë deri në orët e vona të natës, me veshët ngritur atë rrëfimtar magjik, që duket sikur të nomatis me fjalët, figurat dhe ngjarjet që tregon…

Nëse do të largohet, sepse diçka nuk shkon ose shkurt, diçka e pashpjegueshme që endet në eter, por që e ndien vetëm ai dhe ia ka prishur humorin, poeti plak sajon një mbyllje të ëmbël, shoqëruar me një tis mjergulle, por të ngjashëm me ndjesinë e fjalëve të mbarimit të një përralle: “përralla në lesh, shëndeti prej nesh”.

Por në se lexon në fytyrën tënde kënaqësi dhe kurreshtje fëminore, ritmi i tregimit të aventurave nga jeta e tij vazhdon me një zë edhe më të sigurt. Tashmë ai e ka kuptuar se e ka në duar shpirtin dhe zemrën e bashkëbiseduesit dhe mund të bëj me atë çfarë të dojë. Por Poeti ka vetë një zemër të pafajshme fëmije, ndaj nga ai nuk mund t’i vijë askujt ndonjë e keqe, as edhe një mize...

Përrallat janë ushqimi më i pastër shpirtëror për shpirtrat e fëmijëve, njësoj si qumështi i nënës!
Ja disa prej rrëfimeve të tij…
-Jetoj buzë lumit ngjitur me një familje arrixhiu. (Ndërsa ai flet, unë shkoj nëpër mend poemën e Pushkinit “Ciganët”, sepse e di fort mirë dobësinë e poetit plak për poezinë e tij dhe si një udhëtar që, për të kaluar në parajsë i duhet të kalojë patjetër nga ajo udhë, në një farë mënyre do të pasqyrojë edhe copëza nga ai…Ndoshta tani atij i vërtiten në mendje e sy vargje nga “Shalli i Zi”. Atë çast si të jem vënë nën narkozën e fjalëve të tij, kujtoj vetëtimthi vargjet e saj:

“…Një natë po pija me miq në gosti,/Kur portës trokiti një i lig jahudi./- Ti pi e dëfrehesh - çifuti më tha,-/Por grekja e bukur shkoi e të la...

-Dhoma ku banoj -vijon tregimin e tij Panua- ka një faqe muri të shembur… Por ia bëj dermanin; e zë me një perde, batanie, fletë çadre ushtrie ose çfardo që të jetë…

Ndonjëherë, aty nga ora nëntë, dal buzë lumit dhe shoh si rrjedhin ujërat verdhashë, por edhe si tunden gjinjtë e mëdhenj të arixhofkës së bukur që lan rroba e përkulur mbi govatë. Jo rrallë herë qëllon që i shoh edhe kofshët e plota dhe të kolme...

Një ditë, pyetjes sime nëse kishte fëmijë, Panua iu përgjigj si t’i kishte rënë mbi kokë uji i valuar:
-Qysh nuk kam? Por gruaja dhe djali më braktisën. Shkuan në Greqi! Nuk mbaj mend se kur, por, ja, diku mbi këto shkallë (pranë Pallatit të Kulturës përballë shtatorës së Skëndërbeut) më del përpara një djalë 15-16 vjeç.

-Kam një fjalë me ju,-m’u drejtua ai.
-Për të mirë qoftë!,- ia ktheva duke e ftuar të uleshim në një nga tryezat pranë,- po çfarë do nga unë?
-Asgjë, -m’u përgjigj ,- jam djali yt ndaj dua të më njohësh si djalin tënd. Kaq.
-Si, si? Pa ma thuaj edhe një herë? Qenke djali im dhe unë nuk ditkam gjë për këtë?!
-Po, unë jam djali yt! -këmbënguli ai me qetësi.

-Po si ma vërteton ti një gjë të tillë?
-Po ja, ke pasur ti një të dashur (dhe ai përmendi një emër femre) që ka fjetur me ty kur ishe në burg? Hë, më thuaj, ke pasur, apo jo? Nëna më ka treguar se aty më kini zënë mua. Hë, tani çfarë do të thuash; s’qenkam djali yt?!
-Po, edhe mund të jesh… Përse xhanëm nuk mund të jesh djali im?

Dhe, ja kështu, nuk e di se si e pranova edhe atë si djalin tim.
-Po, çfarë do t’i nga unë?- e pyeta.
-Asgjë veç atyre që i takojnë një babai…
-Pano,- e ndërpreva unë,- është në të vërtetë djali yt ai?

Duke më vështruar një copë herë i menduar pas xhufkave të vetullave të thinjura, m’u përgjigj i pasigurt:
-Ndoshta…Kushedi?! Si të them… po edhe mund të jetë!
-Përse e pranove kur nuk je i sigurtë?
-Po përse mos ta pranoj kur ai kishte dëshirë të ishte djali im?....

SHËNIM:
Eseja e plotë me titullin “Lundrim të mbarë në amshim, miku im!”, është përfshirë në librin “Muzgu vjen papritur” me krijimet e fundit të poetit Pano Taçi bashkë me shkrimet me poezi kushtuar atij nga shkrimtarë, studiues, publicistë, miq etj. Gazeta e boton me shkurtime.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë