KUKËS-Polica kufitare ka arrestuar në doganën e Morinës në Kukës një shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi.
 
Deniz Gun, 37 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Prishtinë, Kosovë u arrestua ditën e djeshme.
 
Gun u kap në hyrje të Pikës së Kontrollit Kufitar Morinë, ku gjatë regjistrimit në sistem, rezultoi “shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar”, nga Organet e Drejtësisë Maqedonase.
 
Autoritetet Gjyqësore Maqedonase, me vendim nr.k.br.846/13, datë më 20.01.2014, e kanë dënuar me 2 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Mashtrim ndaj detyrimeve të shtetit, kryer në bashkëpunim”, të parashikuara nga Kodi Penal Maqedonas.
 
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com