Kukan: Pushteti nuk merret me
protesta në rrugë kundër Ramës

Kukan: Pushteti nuk merret me<br />protesta në rrugë kundër Ramës<br>
Eurodeputeti Eduard Kukan ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, ku thotë se Shqipëria ka humbur mjaft kohë dhe energji duke u marrë me “luftë” të brendshme politike.

Teksa flet mbi zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, çështjen “Tahiri” dhe protestat e opozitës, Kukan konkludon se mungesa e dialogut konstruktiv politik dhe konsensusi midis partive politike, ka dëmtuar dhe po dëmton procesin e integrimit në BE.

Në një intervistë, ai gjykon se zgjedhja e prokurores së përgjithshme të përkohshme nuk duhet të kishte shkaktuar atë formë reagimesh, duke theksuar se situata e krijuar ishte për të ardhur keq.

Sa i takon reformës në drejtësi, eurodeputeti i PE-së shpreh me bindje se implementimi i saj ka qenë një ndër sukseset më të prekshme në vend, duke hedhur poshtë të gjitha zërat se ajo ka dështuar.

Ndërkohë, i pyetur lidhur me çështjen “Tahiri”, Eduard Kukan artikulon se nuk i takon atij të komentojë procesin hetimor.

Ai shton se asnjë politikan nuk duhet ta bëjë këtë.

Së fundmi, ai nënvizon se Shqipëria është pranë Bashkimit Evropian dhe deklaron hapur se mbështet hapjen e negociatave.

Z. Kukan Parlamenti zgjodhi së fundmi prokurorin e Përgjithshme të Përkohshëm. Procesi u kontestua nga opozita si antikushtetues ndërsa nga ana tjetër mazhoranca e miratoi me shumicë votash. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këto vendime?

Andrea, para së gjithash dua t’ju them se është për t’u ardhur keq që zgjedhja e prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm solli një reagim kaq të mprehtë politik. Megjithatë, nuk është roli im për të vlerësuar kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të tilla. Ajo duhet të bëhet nga institucionet përkatëse të themeluara për këtë qëllim. Unë besoj se është e rëndësishme të finalizohet zbatimi i reformës në drejtësi ku shpresoj se do të lejojë zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm, i cili do të ketë mbështetje të padiskutueshme. Politikanët nga të gjitha partitë politike angazhuan qytetarët shqiptarë për të përmirësuar funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe realisht në këtë drejtim duhet të bëjnë maksimumin e tyre.

Opozita e vendit ka paralajmëruar protesta popullore për të rrëzuar qeverinë “Rama” ashtu si pak muaj më parë duke sjellë në vëmendje një sërë akuzash. Si i shihni këto protesta 100 ditë pas votimit të qeverisë së re?

Protestat janë mënyrë legjitime e luftës politike. Është e drejta e opozitës që të thërrasë një protestë të tillë dhe shpresoj që të zhvillohen në mënyrë paqësore. Gjithsesi, me situatën  në Shqipëri nuk mendoj se protesta që do të zhvillohet në rrugë mund të përmbysë qeverinë. Unë mendoj se politikanët duhet të fiksojnë në mendje që lufta e rregullt politike duhet të zhvillohet brenda institucioneve të krijuara për atë qëllim si dhe gjatë zgjedhjeve. Prandaj shpresoj që politikanët do të përmbushin premtimet e tyre për të përmirësuar sistemin zgjedhor në vend. Në këtë drejtim, ata duhet të arrijnë marrëveshje dhe të zbatojnë rekomandimet që dha OSBE / ODHIR në vitin 2017.

Z.Kukan, referuar disa përgjimeve të dy trafikantëve që po hetohen nga drejtësia, emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri lakohet si bashkëpuntor. Opozita në Shqipëri kërkoi arrestimin e tij si të implikuar. Nga ana tjetër mazhoranca votoi masa të tjera. Si i keni parë këto zhvillime?

Në gjykimin tim është prokuroria dhe gjyqtarët që janë përgjegjës për të hetuar këtë rast. Nuk është roli im për të komentuar hetimet që ende vazhdojnë. Unë mendoj se asnjë prej politikanëve nuk duhet ta bëjë këtë gjë në këtë moment.

Mos ndoshta konsensusi i munguar mes mazhorancës dhe opozitës do të dëmtojë integrimin e Shqipërisë në familjen Evropiane?

Mungesa e një dialogu konstruktiv politik dhe konsensusi midis partive politike në vend, ka qenë  shpesh herë dëmtues i imazhit të vendit. Gjithashtu gjendja pengoi progresin në procesin e integrimit Evropian. Shqipëria humbi shumë kohë me përpjekjet e brendshme politike. Koha dhe energjia, duhet të ishin investuar në proceset e reformës dhe integrimit. Le të mos harrojmë se integrimi në BE mbështetet nga shumica e qytetarëve shqiptarë.

Artikulohet nga aktorë të ndryshëm të politikës, shoqërisë civile dhe medias se reforma në drejtësi është një projekt që tashmë ka dështuar. Ju vetë që jeni investuar kaq shumë për implementimin e saj çfarë përgjigje mund t’i jepnit?

Jam i bindur se reforma në sistemin e drejtësisë është një prej arritjeve më të prekshme të reformave në Shqipëri. Kjo është njohur jo vetëm përmes rajonit, por edhe në BE. Ne mbështesim plotësisht zbatimin e kësaj reforme dhe e di që qytetarët shqiptarë e njohin mjaft mirë rëndësinë e saj. Gjithashtu unë jam i bindur se kjo reformë do të ndihmojë Shqipërinë për të lëvizur më pranë hapjes së negociatave.

Në gjashtë muajt e ardhshëm parashikohet që BE të çelë negociatat. Cili është shkaku që në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (Mali i Zi, Serbia), Shqipëria po integrohet më vonë se ato?

Secili vend është vlerësuar sipas meritave të veta. Shqipëria bëri një përparim të mirë në reformat dhe prioritetet kryesore që u dhanë nga Komisioni Evropian. Mbështes hapjen e negociatave me Shqipërinë, dhe nga përvoja ime mund t’iu them se nuk është vonë për vendin.

Keni ndonjë mesazh për politikanët shqiptarë dhe popullin që pret ka 27 vjet të afrohet më pranë Evropës? 

Shqipëria po i afrohet BE-së, por ende ka punë për t’u bërë. Megjithatë, do të doja të shihja më shumë politika dhe politikanë që bashkojnë vendin në arritjen e këtij qëllimi të rëndësishëm./gazetaTema/

Redaksia Online
A.Gj/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Integrimi, BE i kërkon Shqipërisë qëndrimin për Kapitullin 6! Pritet të hapet brenda vitit

Integrimi, BE i kërkon Shqipërisë qëndrimin për Kapitullin 6! Pritet të hapet brenda vitit