Drejtuesi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Kukës, Besart Tota, u kërcënua për shkak të detyrës nga një vartës i tij, inspektor në këtë drejtori. Policia e Kukësit njofton se arrestoi inspektorin 46-vjeçar për shpërdorim të detyrës dhe kanosje.
Kallëzimi u bë në polici nga drejtuesi i IMT-së Kukës, se është kërcënuar në lidhje me akt-konstatimin për gërmimin e tokës në fshatin Krenzë nga djali i xhaxhait të inspektorit, tashmë të arrestuar.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, shtetasin D. H., 46 vjeç, banues në Kukës, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës.
Arrestimi i tij u bë pas kallëzimit të drejtuesit të Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës, shtetasit B. T., se është kanosur për shkak të detyrës nga shtetasi D. H., në lidhje me një aktkonstatimi për gërmimin e tokës në fshatin Krenzë, nga shtetasi M. L. (djali i xhaxhait të të arrestuarit).
Në vijim të veprimeve, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. L., 33 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, i cili kishte kryer gërmimin e dheut në zonën e fshatit Krenzë", njoftoi policia.
Hetimi në gjendje të lirë nisi edhe ndaj kushëririt që kishte gërmuar dheun në një zonë të fshatit, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.
Komente








