KUKES, 5 Mars/ATSH/- Prefekti i Qarkut të Kukësit, Safet Gjici ka mbledhur sot Shtabin e Emergjencave Civile, për të diskutuar rreth problematikave të shfaqura në Kukës, Has dhe Tropojë, pas reshjeve të dendura të dëborës që nisën këtë mëngjes.
Prefekti Gjici, u ka kërkuar drejtuesve të institucioneve, që janë edhe anëtarë të këtij shtabi, që të marrin masa për përballimin e çdo situate që mund të shfaqet, pasi banorët duhet të furnizohen me energji elektrike dhe të gjitha akset rrugore duhet të jenë të hapura, në mënyrë që qarkullimi i automjeteve të mos ndërpritet.
Prefekti Gjici tha se gjatë paradites së sotme, ka pasur probleme në autostradën Kalimash-Kukës, ku automjetet e tonazhit të rëndë janë detyruar që të vendosin zinxhirët, ndërkohë që ato mjete që nuk kanë patur mjetet dimërore, nuk janë lejuar që të qarkullojnë në këtë segment, në mënyrë që ai të mos bllokohet për asnjë çast.
Një rëndësi e veçantë, i është dhënë gjëndjes së rezervuarëve, apo edhe furnizimit me energji elektrike të të gjithë Qarkut, ndonëse ka patur disa probleme në zonën e komunës Malzi, Golaj dhe disa fshatrave në rrethin e Tropojës.
Shtabi i emergjencave do të qëndrojë në gadishmëri, në mënyrë që çdo situatë që mund të shfaqet të zgjidhet në një kohë të shpejtë dhe banorët të jetojnë pa probleme./a.g/









