Kulla e sahatit në Korçë, jeta
e një monumenti arkitekturo

Kulla e sahatit në Korçë, jeta<br />e një monumenti arkitekturo
Me kalimin e kohës, qyteti i Korçës nga një kadillëk i rangut të ulët, në varësi të Sanxhakut të Ohrit në shek.XVII-XVIII arriti, në fund të shek.XIX të jetë qytet me 18.000 banorë, dy xhami, dy hamame një teqe, një imaret, katër kisha dhe kullën e sahatit.[1] Qytetin e Korçës e përshkruan edhe Sami Frashëri në enciklopedinë e tij të famshme si “qytet me 757 dyqane e magazina, 23 hane, 2 hamame, 1 fabrikë mielli me 1 kullë-sahati…” [2]   

“Viti 1784. Esnafi i këtueshëm (i Korçës – Z.SH) i bakenjve i përbërë nga musulmanë gegë dhe ortodoksë voskopojarë ra në marrëveshje që të parët të ndërtojnë kullën, kurse të krishterët sahatin, bashkë me këmbanën e tij”. [3] Kulla e sahatit në Korçë ngrihej në oborrin e Xhamisë së Ilias Bej Mirahorit, duke marrë pjesë si element i kompleksit të xhamisë. Xhamia ndodhej shumë pranë tregut dhe vendosja e kullës së sahatit në atë vend përbënte një pozicion të favorshëm, që kumbimi i këmbanës së saj të dëgjohej nga të gjithë dyqanxhinjtë e klientët.

Duke folur për kullën e Korçës, një arsimtar i kësaj qëndre më 1880 shkruante: “Sahati është një ndërtesë e ngushtë dhe e lartë prej guri. Ndërtesa u ngrit me 1784 prej gegëve muhamedanë nga Dibra, kurse sahatin sëbashku me këmbanën, e cila peshon rreth 40 okë i vendosën fqinjtë tanë voskopojarë.

Ashtu siç e shikoni… sot atë, ajo është riparuar”. [4] Njëzetë vjet më vonë, edhe Nuçi Naçi shkruan për këtë objekt: “Kjo është një ndërtesë e gurtë me formë katërçipëse, mjaft e lartë, prej themelesh e ngritur më 1784 prej mjeshtrave gegë. Qëmoti kishte një orë të vjetër me një këmbanë 50 okëshe, të cilën e kishin sjellë tregëtarë voskopojarë. Ajo orë u prish nga që nuk ka patur mjeshtër ose ndreqës (zanaçi) të mirë. Më 1893 bashkia solli nga Evropa orën e sotme, e cila ka kushtuar 180 lira turke. Pastaj ndërtuan pirgun që shohim sot ku janë vënë të katër faqet e orës edhe stabilizuan orën që shohim. [5]   

Por si ka qenë pamja arkitektonike e kullës së sahatit në Korçë nga koha e ndërtimit të saj (viti 1784) deri përpara se të shkatërrohej krejt nga tërmeti më 21 maj 1960? [6] Kush janë ndryshimet në formulimin arkitektonik?

Hipoteza
Duke patur parasysh të dhënat që na ofrohen, dëshmi të ndryshme etj., do të mundohemi të rindërtojmë grafikisht pamjen arkitektonike autentike origjinale të kullës së sahatit të vitit 1784 në Korçë deri përpara vitit 1893, vit i rikonstruksionit të saj.

Nga të dhënat e mësipërme theksohet se: “është një ndërtesë e lartë dhe e ngushtë prej guri…” dhe “në vitin 1893 kullës së sahatit në Korçë i është ngritur një pirg i vogël…” Kjo na bën të mendojmë dhe të arsyetojmë se duke u ndërtuar e gjitha në gurë, ambjenti i mekanizmit dhe këmbanës (kati i dytë) qe i mbyllur me mure; në to mund të kenë qenë vendet e hapësirave të dritareve me hark (fig.1 skicoi Dritan Çoku) dy apo tre në çdo anë krahasimisht një zgjidhje e përafërt në formulim me kullën e sahatit të Prezës para rikonstruksionit të saj (fig.2). Kulla e sahatit në Korçë kishte formë kuadratike në plan.

Muret kishin gurë të punuar vetëm në qoshet e tyre, ndërsa pjesa e rrafshët ishtë me gurë të papërpunuar, ku dallonin qoshet e skuadruara dhe mbyllja e fugaturave me gëlqere që linin në dukje sipërfaqet e gurëve. Pas rikonstruksionit të vitit 1893, mbi kullë u ngrit një pirg i vogël, që mbante sahatin dhe mekanizmin e tij. [7]
 
Rikonstruksioni i vitit 1893
Mbi mesin e kullës së gurtë u ndërtua pirgu i vogël që lartësohej me katër kolona prej druri i mbyllur nga jashtë në gjysmën e poshtme të tij ku ishin vendosur të katra faqet e orës. Hapësira midis kolonave ndahet nga një listelë prej druri. Ky ambjent ishte mbuluar me një çati me konstruksion druri dhe forma piramidale me bazë katrore me fletë plumbi (fig.3 skicoi Dritan Çoku). Kulla e gurtë kishte nje strehe të profiluar me hark. Sipërfaqja e pjesës së sipërme të kullës ishte e rrethuar perimetralisht nga një parmak prej kangjella hekuri.

Rikonstruksioni i vitit 1933 sipas shtypit të kohës & realiteti faktik i monumentit
Duke vrojtuar kronologjinë e fotove të vjetra ku shihej mjaft qartë transformimi i kullës së sahatit në pjesën e sipërme të saj iu drejtuam bibliotekës së Korçës për ndonjë njoftim që mund të kishte dhënë shtypi i asaj kohe. (gjej rastin të falenderojë përgjegjësen e arkivës si dhe dy punojëset e bibliotekës në Korçë)

Sipas shtypit të kohës me anë të një “Lajmërimi” - “Bashkia e Korçës nxjerr në adjudikatë (njoftim) pakëdhënie (tenderim) konstruksionin e shkallëve të dyshemeve të Sahatit sipas prozhesë (projektit) prej zyrës teknike të kësaj Bashkie. Adjudikata bëhet në Bashki para këshillit të bashkisë. Fillon qysh sot dhe mer fund më 7 Qershor të këtij viti ditën e mërkurë ora 3.30 pas mes dite. Të interesuarit për informata më të plota mund të drejtohen çdo ditë në zyrën teknike të Bashkisë. Kryetari i Bashkisë Rustem Ymeri”. [8]

Në muajn tetor shtypi botoi një njoftim tjetër - “Veprime të Bashkisë”: “Bashkia e qytetit tonë e nxori në ankand dhe e dha rindreqjen e godinës së sahatit. Pas sa marrim vesh rindreqja do të bëhet në mënyrë moderne duke u goditur pjesa e sipërme krejt me beton – arme dhe duke lartësuar edhe dy metra akoma. Përveç kësaj do të meremetohen dhe muret e vjetër duke u forcuar me beton dhe hekura kështu që për pak kohë qyteti i ynë do të ketë një kampanilë (këmbanë) sahati nga më të bukurat e Shqipërisë”. [9]

Duke parë realitetin faktik prej fotografive të vjetra (fig.4) shohim mbylljen e dritareve në kullën e gurtë, suvatimin e muraturës së gurit duke mos u lexuar më teknika e realizimit të saj, ngritja e katër kolonave prej betoni në skajet e kullës të lidhura me njera-tjetrën me kangjella hekuri, si dhe pirgu ndryshon pamje. Në këtë kohë mbyllet pjesa e sipërme e tij ku ishte hapësira që mbante këmbanën dhe në të katra anët vendoset ora, ndërsa poshtë tij u realizuan nga 3 hapësira dritaresh me hark në çdo anë (fig.5 skicoi Dritan Çoku).

Rindërtimi aktual (viti 2015)
Krahas restaurimit që po realizohet në pazarin e vjetër të Korçës është duke u rindërtuar edhe kulla e sahatit (fig.6 foto Genci Samimi, dt.12 korrik 2015) jo shumë larg territorit të pazarit. Kulla e sahatit me planimetri katrore 4.5 m X 4.5 m po realizohet me material modern të kohëve të sotme, konstruksioni beton/arme. Deri në lartësinë 13.3 m do të vishet me pllaka guri, ndërsa lartësia e plotë e kullës së sahatit në Korçë do të jetë rreth 17 m.

Nga ana pamore ajo do të ruaj me korrektësi po atë formulim arkitektonik të vitit 1893, pa asnjë rikompozim pavarësisht rindërtimit tërësor të saj. Mendojmë se është zgjedhja dhe zgjidhje e duhur duke e konsideruar këtë fazë si përfaqësim të evolucionit në këtë kullë sahati.

Me shpresë se pas kësaj nisme të ndërmarrë të ketë momente të tjera vlerësuese edhe për restaurimin dhe konservimin e monumenteve të gjalla të kësaj trashëgimie arkitektonike, por jo vetëm duke rritur ndjeshmërinë përballë respektimit të monumenteve për t’ia transmetuar brezave të ardhshëm.
kulla

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës