Kulla, nyja gordiane e një epoke…

Kulla, nyja gordiane e një epoke…
TIRANE- Një mëngjes mesmaji kemi nisur udhëtimin tonë Bajram Curri-Gjakovë me furgonat e linjës për të ndaluar disa çaste në kullën e Berishës në Viçidol të komunës Tropojë Fshat.
Ndonëse ditë pranvere, mbi Shkëlzen zbardhëllon dëbora e rënë gjatë natës, e një erë e freskët lëkund pemët e sapo gjelbëruara.

Me ndihmën e shoferit zemërmirë, Nimanit, prej vitesh shofer i linjës, ndalojnë në anë të rrugës, ku ndahet një degëzim rruge automobilistike e pa asfaltuar, në të djthatë të magjistrales kryesore. Pasi rrugëtojmë rreth 10-15 minuta, sa hap e mbyll sytë ndodhemi në një kondrinë të gjelbëruar, e përpara nesh shfaqen disa ndërtesa karakteristike ndërtuar në stilin vendas herët, shumë herët, të quajtura kulla. Në atë gurmbull shtëpish dykatëshe, në anen e djathtë në hyrje të lagjes Prifç, ndodhet kulla e Berishajve, kulla e Sali Berishës, ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kulla  tashmë është  amortizuar nga vitet dhe shkatërruar nga lufta në Kosovë në vitet 1998-1999, me frëngji  nga shpatet e malit Shkëlzenit, i bën karshillëk ndërtesave të reja rreth e rrotull, me modele perëndimore bashkëkohore.
 
Kujdestari i kullës
Ulemi dhe presim që ndonjë banor i lagjes të kalojë aty pari për të na orientuar drejt kullës, por vetëm dy-tre autovetura e kamionçina që vijnë nga lart, asgjë s’pipëtin. Vonë, pas rreth një orë pritjeje, një banor, nxjerr në kullotë 4-5 lopë.
Njihemi, e pasi përshëndetemi, turret për të thirrur Sulejmanin, banorin që jeton në shtëpinë afër kullës së Berishës dhe kujdeset edhe për kullën. Teksa bëjmë disa fotografi, arrijnë i njohuri im dhe djali i Sulejmanit, komshiu që kujdeset për kullën dhe tokën, një  djalë i ri 17-18 vjeçar. Djali i Viçidolit bisedonte dhe jepte përgjigje pyetjeve tona, ndonëse vizitorë të tillë nuk i kishte fort për zemër, pasi sipas tij, gazetarët e ardhur në  Viçidol gjatë këtyre viteve, kanë abuzuar me zemërgjerësinë dhe virtytet tona.

Sulejman Pitamina është banor i fshatit Viçidol dhe kumbarë i Berishës. Babai i Sulejmanit ka qenë kumbara i xhaxhait të Sali Berishës. Falë kësaj lidhjeje, Sulejmanit i është lënë e drejta të rrojë me tokën e kullës së rrënuar. Djali i Sulejmanit, teksa   tregon për lidhjet e kumbarisë, thotë se nuk dëshiron të fotografojmë. “Fotografitë e kullës janë në internet- thotë ai -ndaj mund t’i merrni prej andej në gazeta. Nuk duam të flitet në televizione për kullën e shkatërruar. Sali Berisha e ka lënë kullën pa ristrukturuar për t’u treguar vizitorëve të shumtë  një histori të gjallë të fisit të tij.

Kulla do të meremetohet, se ne na kanë dërguar prej kohësh kosovarët moketin e saj. Ia kanë dërguar edhe xhaxhit Sali”, shprehet entuziast bashkëbiseduesi ynë. “Ne kemi mbi 10 vjet që banojmë këtu. Tokën e tij e kemi ne në përdorim dhe e punojmë, duke siguruar të ardhura për jetesë. Kujdesemi edhe për kullën. Ne jetojmë në ndertesën tjetër, ngjitur me kullën, të cilën e ka ndërtuar xhaxhai i Berishës, Zeqir Halili”, mbyll bisedën djali i Sulejmanit.

Historia
Në lagje jetojnë disa shtëpi, por të bien në sy banesa të vetmuara dhe të shkatërruara, të braktisur prej kohësh si rezultat i migrimit brenda e jashtë vendit. Ende në fshat jetojnë  familje të fisit Berisha, disa prej të cilëve kanë ndërtuar shtëpi dhe jetojnë larg mendimeve për t’u larguar nga fshati. Rruga automobilistike gjarpëron mes për mes fshatit, por e paasfaltuar dhe e pashtruar. Të bie në sy gjithashtu mënyra e re e jetesës, veçanërisht me ndërtimet e shumta dhe automjetet e  parkuara pothuaj pranë çdo shtëpie.

Ndërtesa është rreth 100 vjeçare. Berisha është larguar nga kjo kullë në moshën 14-vjeçare, sapo ka mbaruar shkollën 7 vjeçare. Ai ka filluar studimet në politeknikumin mjekësor. Në një intervistë të kohëvë të fundit, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur i lumtur për fëmijërinë e tij, pasi ajo nuk ka qënë kurrë bahçe me lule, por me vështirësitë dhe gëzimet e veta.
E duke iu referuar thënieve të mësiprmë, konkludojmë se familja e Sali Berishës, një familje dhe derë e madhe, e veçanërisht xhaxhai i tij, Zeqir Haili, kanë qënë të njohur jo vetëm në Tropojë, por në Malësinë e Gjakovës e më gjerë.

Fotografia e Saliut dalë në klasën e shtatë mes nxënësve të dalluar me 1 janar 1958, ku ishte i ftuar në Tiranë në festimet e Vitit të Ri, ku është i pari në radhë me kostum të zi, vërteton atë që bënte mbi një orë rrugë për të vazhduar shkollën 7 vjeçare, veçse kushtet ekonomike, krahasuar me shokët e tij, ishin më të mira. E kjo falë punës, djersës dhe mundit të prindërve të tij.

Engima e kullës së dëmtuar e pa ristrukturuar prej vitesh ,Sali Berisha ka dhënë përgjigjen e tij, e mbase është e udhës të citojmë ç’thotë ai në lidhje me këtë. ”Është dëmtuar, citon Berisha, se gjatë luftës së Kosovës është gjuajtur nga serbët me mortaja 127 mm, të cilat i ranë afër. Kulla ka patur edhe çifligun e vet. Aty pranë saj kanë qënë 43 hektarë tokë jo vetëm të famijes sime, por të njerëzve më të afërm, e cila punohej në mënyrën më intensivë dhe ata kanë qënë njerëz që punonin ditë e natë. Përtej saj janë 74 ha, të cilat punoheshin tërësisht, por ishin sa një vrap kali. A mund ta kthejmë kullën siç ishte? Ndërtesa mund të kthehej, por toka dhe ato të tjerat…”

E kështu kulla njëqindvjeçare ka mbetur në kodrën e Prifçit duke sfiduar deri më tani shirat dhe shtërngatat, dëborën dhe ngricat, e frëngjitë e saj, kah Shkëlzeni, qëndrojnë roje e kohërave historike.
Me mendime të turbullta dhe me shtjellime trysnike për jetën, u ndava me djalin e Sulejmanit, që as emrin nuk ia mësova dot, e u nisa rrugës së fshatit për të zënë furgonat e linjës në kthim.
Shkëlzeni shkëlqente nga rrezet e diellit dhe dëbora që zbardhëllonte këtë mesmaji jubilar i 70 vjetorit të çlirimit, e ku duhet kujtuar edhe kulla e Berishës në fshatin Viçidol.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike