Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim,  Ali Ahmeti, është penguar nga një grup protestuesish shqiptarë, teksa ishte nisur për një takim elektoral me qytetarët e Kumanovës. Dhjetëra protestues ishin mbledhur në hyrje të qytetit me pankarta në duar kundër BDI-së dhe Ali Ahmetit. 

​Ata kanë qëlluar me gurë në drejtim të eskortës së kreut të BDI-së, çka ka bërë që automjetet të devijojnë rrugën dhe të largohen nga qyteti.

Shqiptarët e Kumanovës kërkojnë drejtësi për dhunën me karakter etnik në këtë qytet si dhe disa çështje të tjera, si vrasja e komandant "Shqiponjës", rasti "Sopoti" apo dhe përgjakja e Kumanovës dy vite më parë, të cilat sipas tyre kanë pasur si qëllim ndëshkimin e shqiptarëve.

Ata akuzojnë si të implikuar në këto çështje të montuara politikisht edhe përfaqësuesit politik shqiptar, kryesisht ata të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).  

Reagon BDI:
Në një deklaratë për mediat BDI dënon ashpër aktet e paligjshme për siç thotë kjo parti, ndaj karvanit të delegacionit.

“Një grup i vogël provokuesish të dhunshëm tentuan të ndalin rrugën e Kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti drejt një takimi me qytetarët e Kumanovës. Tentativa e tyre dështoi dhe Ali Ahmeti zhvilloi në Kumanovë një takim në një sallë plot me mbështetës e simpatizantë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kjo parti ka shprehur keqardhje për përdorimin e turpshëm të dhimbjes së njerëzve nga disa grupe të reja politike të cilat duan të afirmohen nëpërmjet akteve të dëshpëruara.

BDI dënon çdo mjet politik jopaqësor dhe mbetet e vendosur të vazhdojë rrugën e vetë politike me anë të bisedave me qytetarët”.

Ndërkohë, në takimin me kumanovarët, Ali Ahmeti shprehu mirënjohje për mbështetjen e treguar ndaj tij dhe BDI-së dhe tha se së bashku ishin më të fortë sesa keqbërësit.

“Keqbërësit në Kumanovë kurrë nuk do të gjejnë aleatin te Bashkimi Demokratik për Integrim,” u shpreh Ali Ahmeti.