Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro ka reaguar për ngjarjen e rëndë ditën e djeshme në Himarë, ku humbi jetën një 7-vjeçare pasi u përplas nga një gomone e cila drejtohej nga ish- shefi i Policimit në Elbasan dhe ish-shefi i Komisariatit të Himarës Arjan Tase. Me anë të një postimi në Twitter, Kumbaro tha se ngjarja ka ndodhur për shkak të marrëzisë së një njeriu që theu çdo ligj, rregull e normë. Ajo thënë se duhet të jepet dënim maksimal për këdo që thyen ligjet dhe rrezikon të shkaktojë humbje jete. 

“Tejet e rëndë dhimbja për ngjarjen e kobshme në bregdetin e Himarës, ku një engjëll nuk është më mes nesh për shkak të marrëzisë së një njeriu që theu çdo ligj, çdo rregull e çdo normë me pasoja tragjikisht të pakthyeshme! Me vetëdijen se nuk ka fjalë të shërbejë sado pak si ngushëllim për prindërit, familjen për gjëmën që pësuan, kërkesa shkon për Drejtësinë që të bëjë punën e saj, pa asnjë kompromis, me dënim maksimal ndaj kujtdo që thyen ligjet e përbashkëta dhe rregullat dhe rrezikon të shkaktojë
humbje jete, në tokë a në ujë qoftë! Kërkesa shkon edhe për Policinë e Shtetit po ashtu, për çdo punonjës të saj në territor, që të jetë në lartësinë vigjiluese dhe ndëshkuese që uniforma i imponon për kryerjen e detyrës. Jonada e vogël u prehsh ne paqe”, shkroi Kumbaro.

Institucioni në varësi të Ministrisë së Turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, doli krejtësisht e papërgatitur në zbatimin e funksionit të saj. Redaksia e Report Tv iu drejtua me një seri pyetjesh zyrtare për të sqaruar aktivitetin që ka bërë AKB, autorizimet e dhëna, sanksionet marrë ndaj shkelësve dhe stafin në dispozicion për të realizuar kontrollet përgjatë gjithë bregut shqiptar siç e detyron ligji, në fakt nga AKB vendosën të mos përgjigjen me asnjë nga pyetjet kryesore duke pranuar se nga qershori deri më sot, janë bërë vetëm 178 inspektime, pa sqaruar se sa sanksione apo shkelje janë vërtetuar.

Ngjarja e rëndë u regjistrua ditën e djeshme në plazhin e Potamit në Himarë, ku Arjan Tase duke drejtuar gomonen ka goditur për vdekje një 7-vjeçare. E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Drejtuesi i gomones ishte shefi i policimit në komunitet në Elbasan, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia.