Kume: KQZ drejt ngërçit, nuk
është e detyruar të investigojë

Kume: KQZ drejt ngërçit, nuk <br />është e detyruar të investigojë
Në një intervistë për Shqiptarja.com ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume, sqaron procedurën e shpërndarjes së mandateve për deputetët e ardhshëm. Ai bën të ditur se zgjedhjet e ardhshme pritet që të jenë të vështira për tu administruar nga KQZ.

KQZ nuk mundi të miratonte vendimin për shpërndarjen e mandateve për zgjedhjet e ardhshme, i cili donte 5 vota në komision. Çdo të thotë për ju ky fakt, jemi drejt ngërçit institucional?


Ajo ç`ka Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka arritur të prodhonte në funksion të plotësimit të detyrimit ligjor të tij për të bërë shpërndarjen e mandateve sipas zonave zgjedhore, detyrim i cili mund të realizohet nga një votim me shumicë të cilësuar, pra jo më pak se 5 anëtarë, për mendimin tim është shenjë, e cila po shkon drejt prodhimit të ngërçit. Me këtë KQZ, me këtë përbërje që është tani, që është përbërje e bazuar mbi bazën e parimit të përfaqësimit politik të forcave politike në të, do të vazhdojmë të ndeshemi përpara situatave, të cilat prodhojnë produkte që nuk i shërbejnë mirë fillimit të procesit zgjedhor. Ndarja e mandateve në zonat zgjedhore nga KQZ, e parashikuar kjo në nenin 75 dhe 76 të Kodit Zgjedhor, po të lexohet me kujdes kodi, është në fund të fundit një procedurë e thjeshtë llogaritëse, e cila nuk nënkupton investigim nga ana e KQZ për vërtetësinë e informacionit që sipas kërkesës së bërë nga vetë komisoni, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i vë në dispozicion. Fakti që KQZ e shtyu vendimmarrjen për narjen e vendeve të deputetëve sipas zonave zgjedhore, ishte për mendimin tim një tregues që KQZ kërkonte të gjente gjuhën e përbashkët, pra të jepte një zgjidhje konsensuale. Kjo vetëm se nuk mund të veprohet ndryshe sepse ky proces kërkonte 5 vota në komision. Fakti që nuk u arrit kjo gjë është tregues që ajo ç`ka do pritej do të ishte shumë e dëshirueshme për këtë institucion në dobi të zgjedhjeve të ardhshme, vendimmarrja me konsesus ishte kryefjala e këtij. Konseusi është vështirë të realizohet.

Cilat janë hapat ligjorë që do të ndjekë tashmë KQZ apo palët në këtë komision?

Nëqoftë se do t`i referohemi sjelljes formale, asaj ç`ka bën dhe duhet të bëjë një institucion në zbatim të ligjit, jemi në kushtet kur ky komision ka vendosur që të mos realizojë një vendimmarrje të tillë. Kodi Zgjedhor parashkon hapa të tjera që duhet të marrë. Duhet që problemi të trajtohet në një nivel tjetër që është Kolegji Zgjedhor. Është Kolegji, i cili është instanca e fundit që trajton problemet e admnistrimit të vendimmarrjes për administrimin e procesit zgjedhor. Ai do të marrë vendimin për mënyrë dhe atë ç`ka duhet të prodhojë KQZ. Do të shtoja se nuk do të ishte mirë që zgjedhjet që ne presim, të cilat do të jenë me probleme sepse të tilla do janë vetë problemet që ka procesi i administrimit zgjedhor, të realizohen nëpërmjet kësaj rruge. Pra që KQZ të mos gjejë dot mundësi për vendimmarrje përsa i përketë ligjit dhe në vendimmarrjen e tij ai të mos jetë vetëm në zbatim të ligjit, por dhe të detyrimit që do të vijë nga vendimi që do të marrë Kolegji Zgjedhor.

Çfarë ndodh nëse sërish KQZ nuk miraton me 5 vota vendimin edhe pas detyrimit nga Kolegji Zgjedhor?

Kolegji Zgjedhor me vendim të tij detyron KQZ të realizojë vendimmarrjen përkatëse për të zgjidhur problemin pra për ndarja e mandateve në zonat zgjedhore. Nuk mund të ndodhë në asnjë rast që këto dy hallkat kryesore të prodhojnë një situatë apsurde që është pamundësia në vendimmarrje. Pamundësia në vendimmarje në të gjitha rastet kur kërkohet vendimmarrja me shumicë të cilësuar nëqoftë se nuk të ndodhë, atëherë nuk do të ndodhë procesi zgjedhor.

Ekzistojnë dhe disa afate në Kodin Zgjedhor përsa i përket ndarjes së këtyre mandateve. Çfarë ndodh nëse këto afate shkelen?

KQZ ndaj u mblodh dje, sepse i kërkohej që në bazë të informacioneve të dërguara nga Drejtoria e Gjendjes Civle, brenda 15 ditëve ai duhet të merrte vendimin për ndarjen e mandateve sipas njësive zgjedhore. E realizoi këtë duke mosrealizuar dot vendimin për ndarjen e mandateve. Jemi në kushtet kur kjo pamundësi vendimmarrje e KQZ-së duhet të ankimohet dhe gjykohet në Kolegjin Zgjedhor. Është Kolegji Zgjedhor, i cili do të japë vendim të formës së prerë dhe që është i detyrueshëm për tu zbatuar për rrugën e zgjidhjes së problemit.

Është e drejt kërkesa që kanë bërë dy anëtarët e KQZ-së për marrjen e informacioneve të detajuara lidhur me shtimin e popullsisë së Qarkut të Kukësit?

Nëse na duhet t`i referohemi Kodit Zgjedhor në nenin 75 dhe 76 të tij, KQZ nuk ka detyrë as të drejtë për të investiguar mbi vërtetësinë e informacionit. Fakti që KQZ vendosi të shtynte vendimmarrjen me kërkesë së anëtarëve të PS ishte për mua një sjellje e mirë dhe vullnet pozitiv i shprehur i mazhorancës në këtë komision për të realizuar kushtet që vendimmarrja të ishte konsensuale. Ligji thotë që në bazë të të dhënave që i dërgon Drejtoria e Gjendjes Civile në bazë të një rregulli të mirëdetajuar në Kodin Zgjedhor, llogaritet sesa mandate i takon çdo zone zgjedhore. Këtu detyrimi i KQZ përfundon. Por a ka institucione të tjera që mund ta trajtojnë këtë prtoblem? Po, duke filluar që nga partitë politike, të cilat mund të kërkojnë jo te KQZ, por te Drejtoria e Gjendjes Civile për të parë nëse ky informacion është apo jo i vërtetë në kuptimin e saktësisë. Në asnjë mënyrë nuk duhet që padakortësia mbi sigurinë për këtë informacion të reflektohet në prodhimin e ngërçit në KQZ. Kjo vendimmarrje e parë e rëndësishme e KQZ-së në funksion të procesit zgjedhor na tregoi se vazhdojmë të mbetemi në kushtet kur një institucion i ndërtuar mbi bazën e përfaqësimit politik, një institucion i ndërtuar me anëtarë të ardhur që përfaqësojnë interesat e subjekteve të ndryshme politike ka përfshirë administrimin e procesit zgjedhor. Pasi KQZ të vendosë për ndarjen e mandateve në zonat zgjedhore, këtë vendim do t`ia kalojë Parlamentit.

A ka ndodhur më parë që qarqe të caktuara të pësojnë rritje drastike të popullsisë, siç kemi rastin e përfolur të Qarkut të Kukësit?

Kjo mënyrë e ndarjes së mandateve në njësitë zgjedhore, për herë të parë është zbatuar në zgjedhjet e 2009-ës. Janë realizuar në përputhje me sistemin proporcional rajonal, ku Kodi Zgjedhor i realizuar në 2008 në plotësim të kërkesave të sistemit zgjedhor, përcaktoi këtë mënyrë llogaritje të marrjes së mandateve sipas zonave zgjedhore. Kjo mbështetet mbi numrin e përgjithshëm të shtetasve shqiptar, pra atyre që janë të regjistruar në regjistrin themeltar të Shqipërisë dhe shtetasve shqiptarë në çdo qark, njësi vendore. Kjo ka qenë ndarja e mandateve në 2009. E njëjta proçedurë pa asnjë ndryshim është duke u zbatuar dhe në zgjedhjet e 2013. Se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre katër viteve për lëvizjet demografike të popullsisë, është e pasqyruar në regjistrat e Gjendjes Civile.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)