Kundëradmiral Arsen Mullaj mori sot zyrtarisht detyrën e Komandantit të Forcës Detare pas dekretimit nga Presidenti i Republikës. Ai zëvendëson në këtë detyrë Nënadmiral Adnand Agastra, i cili përfundon mandatin e tij në krye të Forcës Detare.

Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës mori pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili vlerësoi ndërrimin e komandës si pjesë të vazhdimësisë profesionale dhe forcimit të lidershipit në Forcat e Armatosura. Ministri Vengu shprehu mirënjohje për kontributin dhe lidershipin e treguar nga Nënadmiral Agastra gjatë një karriere të gjatë në shërbim të vendit.

Në fjalën e tij, Ministri Vengu theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen dhe modernizimin e Forcës Detare, duke e cilësuar dimensionin detar si një prioritet strategjik kombëtar.

“Në mbi 30 vite tranzicion, Forca Detare është tkurrur gradualisht dhe është mbështetur kryesisht në profesionalizmin e personelit të saj, njerëzve në uniformë, aty ku mungonin mjetet, pajisjet, anijet dhe sistemet mbështetëse. Uroj realisht që, në muajt dhe vitet në vijim, së bashku me komandantin e ri dhe gjithë shtabin e Forcës Detare, të mundësojmë një rimëkëmbje graduale,” u shpreh Ministri Vengu.

Sipas Vengut, kjo është një përparësi e qeverisë shqiptare, e artikuluar disa herë edhe nga Kryeministri, dhe në themel të saj qëndron rikthimi i vendit në horizontin e tij detar dhe adriatiko-jonian.

“Kjo nuk mund të ndodhë pa mjete, pa anije, pa luftanije dhe pa anije logjistike. Për këtë arsye, qeveria shqiptare ka angazhuar jo vetëm financimin e nevojshëm, por edhe kuadrin e duhur ligjor për ringritjen e Pashalimanit si një kantier strategjik, jo vetëm në dobi të forcave tona, por edhe të forcave aleate,” theksoi Vengu.

Në përfundim, Ministri Vengu uroi suksese Komandantit të ri, personelit të Forcës Detare dhe familjeve të tyre, duke theksuar synimin për ndërtimin e një Force Detare moderne, plotësisht të integruar në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe të gatshme për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe sigurinë detare.