Kryeministri Edi Rama ka reaguar për të gjithë ata që kritikojnë ‘Paketën e Maleve’. Teksa ka shpërndarë disa nga komentet që i kanë bërë në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shprehet se 90% e tyre janë profile fallco.
Sipas Ramës pas atyre profileve fshihen 'sorrat e opozitave parlamentare dhe korbat e opozitave imagjinare, të cilat e shndërruan bulevardin e flamingove në sheshpërsheshin e vulgaritetit'.
Rama theksoi se gjuha e përdorur në hapësirën dixhitale ndaj komunitetit vendës është e papranueshme, duke kërkuar nga qytetarët të reflektojnë.
“Lexoni argumentat e kundërshtarëve të paketës së maleve dhe kini parasysh se 90% e tyre janë vërtetë profile fallco, po mbas atyre profile qëndrojnë pikërisht sorrat e opozitave parlamentare dhe korbat e opozitave imagjinare, të cilat e shndërruan Bulevardin e Flamingove në Sheshpërsheshin e Vulgaritetit, ku jashtënxirret llumi i gjuhës së urrejtjes me sasira e ndotësira që ai bulevard s’i kishte parë as kur nxirrte gjuhën mbi të Ndotësi i Madh i mexhelisit tonë.
Shikojeni se si i shajnë, mallkojnë, ofendojnë gjithë ata burra sot në Theth dhe mendojeni vetëm për një sekondë, që këta shpirtra të bardhë si sytë e sorrës dhe pendët e korbit, të kenë në dorë fatin e Shqipërisë”, shkruan Rama.
Në një bashkëbisedim me banorët dhe sipërmarrësit sot në Theth, Rama tha se rreth “Paketës së Maleve” ka shumë keqkuptime, ndaj sipas tij ishte e nevojshme të zhvillohej ky takim me banorët.
Ai u bëri thirrje të gjithë trashëgimtarëve të pronave që ndodhen jashtë legjislacionit të ndarjes së tokës sipas ligjit 7501 të informohen mbi përmbajtjen e paketës dhe të mos bien pre, siç i cilësoi ai, të “marrëzive dhe broçkullave” që thuhen lart e poshtë.
Komente










