Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin e Erion Veliajt i cili kishte kundërshtuar pezullimin e afateve të paraburgimit. Kështu mbetet në fuqi vendimi i Apelit të GJKKO i dhënë më 29 prill.
Vendimi për pezullimin e afateve të paraburgimit u mor në dy seanca nga GJKKO, ku Veliaj mungoi në gjyq për shkak të parregullsive nga Drejtoria e Burgut të Durrësit, në njoftimin e kryebashkiakut.
Vetë Veliaj e ka cilësuar të padrejtë vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit , duke argumentuar se ai ka qenë i përfaqësuar rregullisht në gjyq nga avokati i tij.
Praktika e pezullimit të afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit në bllok, për shkak të mungesës nga njëri prej tyre, po ngre debate të forta në sistemin e drejtësisë. Avokatët kërkojnë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se kjo qasje cenon të drejtat individuale dhe mban në qeli persona që nuk kanë asnjë përgjegjësi për vonesat.
Qëndrimi në paraburgim njehsohet me një ditë e gjysmë burg, duke patur kështu ndikim të drejtpërdrejtë më pas në përllogaritjen e vuajtjes së dënimit përfundimtar.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









