Sot do të mbyllet sezoni futbollistik, me finalen e Kupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Laçit, që do të luajnë në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Nëse Skënderbeu do të arrijë të fitojë në finalen e mbrëmjes së sotme, klubi nuk do të marrë asnjë lekë.
Presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj, ka vendosur që shumën prej 50 milionë lekësh të vjetra, që përfiton fituesi i këtij trofeu nga Federata, ta marrin lojtarët dhe stafi.
Ky është shpërblimi i vendosur për Skënderbeun nga presidenca korçare. Lojtarët e Skënderbeut kanë një arsye më shumë për ta fituar këtë trofe. Skënderbeu nuk ka arritur asnjëherë ta fitojë Kupën e Shqipërisë në historinë e tij, edhe pse ka shkuar 5 herë deri në finale, ndërsa Laçi është për herë të 3-të në finale dhe e ka fituar 2 herë.