Skiatorja italo-shqiptare, Lara Colturi nuk arriti të shkëlqejë në etapën e gjashtë të Kupës së Botës në Ski, e zhvilluar të shtunën në pistën e vështirë të Tremblant, Kanada. Kushtet atmosferike të pafavorshme, me reshje të dendura bore dhe shikueshmëri të kufizuar, ndikuan në performancën e saj në Slalomin Gjigant.

Pas një fillimi me gabime në lëshimin e parë, Colturi regjistroi kohën 1’09”69, duke u renditur në vendin e 28-të dhe duke siguruar kalimin për në raundin e dytë mes 30 skiatoreve të kualifikuara. Ndërsa emra të njohur si Sara Hector dhe Julia Scheib u skualifikuan gjatë këtij raundi.

Në lëshimin e dytë, Lara bëri përpjekje të mëdha dhe shënoi kohën 1’09”79, duke u renditur e 14-ta në këtë fazë. Megjithatë, në renditjen përfundimtare ajo u pozicionua në vendin e 23-të.

Podiumi u dominua nga Alice Robinson e Zelandës së Re, që fitoi medaljen e artë, ndjekur nga Zrinka Ljutic nga Kroacia me të argjendtën dhe Valerie Grenier nga Kanadaja që mori medaljen e bronztë.

Pas tre podiumeve të mëparshme këtë sezon, përfshirë dy medalje argjendi dhe një të bronztë, Lara Colturi do të kërkojë rikthimin me formë të plotë nesër po në Kanada në Slalom Gjigant.