VARSHAVË, Poloni - Në ‘PGE Arena’ të Varshavës gjithçka duket gati për mbrëmjen e 26 marsit, aty ku kombëtarja shqiptare e futbollit luan në gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026 kundër Polonisë. Gjysma e rrugëtimit për ëndrrën amerikane të kuqezinjve të Sylvinhos kalon nga Varshava, në një prej stadiumeve të pakta me çati të lëvizshme që ka Evropa.
Tapeti i barit të fushës ishte i sapovendosur dhe ka kushtuar 150 mijë euro, madje prej muajsh bari nuk ekzistonte në stadium, ndaj u desh një kompani sllovako-hungareze e barit, që 11 ditë më parë të përfundonte shtrimi i tij.
‘Nëse do vije dhjetë ditë më parë, nuk do shikoje bar, madje nuk kishte as fushë’, thotë një nga shumë punonjësit e personelit. Gjithçka në stadiumin e rindërtuar 14 vite më parë është e programuar, që nga hapja e çatisë, për të hyrë më mirë rrezet e diellit; që për çudi na shoqëruan në gjithë udhëtimin, e deri te momenti i korrjes së barit, vaditjes së tij, vijëzimit të fushës dhe vendosjes së portave apo pankinave.
Dhjetëra punonjës kishin detyra specifike, që nga pastrimi i më shumë se 68 mijë ulëseve të impiantit, tetë studiove televizive në stadium, si dhe ambienteve të brendshme që të ngjanin me një qytet më vete.
Me një leje të veçantë u futëm edhe në dhomat e zhveshjes ku do vendosen fanellat e ekipit tonë, teksa gjithçka dukej në hapat e fundit të përgatitjeve.
Siguria e tifozëve, mes të cilëve diçka më shumë se 3 mijë do jenë shqiptarë, është parësore. Mësojmë se 500 kamera, një pjesë edhe e padukshme, janë të vendosura në stadium dhe siguria e personeli njoftohen në kohë reale nëse do ketë situata të pakëndshme.
Salla e medieve dhe ajo e konferencave ishin gati për të pritur raportime, pyetje, përgjigje, lot trishtimi apo gëzimi. Shqipëria nuk luan për herë të parë në këtë impiant, pasi më herët kuqezinjtë janë ndeshur edhe dy herë të tjera, duke pësuar dy humbje.
Kapiteni ynë, Berat Gjimshiti, do të rikthehet në këtë stadium pas finales së Superkupës së Evropës të humbur me Atalantën kundër Real Madridit në 2024, ndeshje ku Kylian Mbappe shënoi golin e parë historik me fanellën e ‘Galaktikëve’ pas transferimit nga PSG. Topi që Mbappe dërgoi në rrjetë qëndron aty, ashtu si portreti i Gjimshitit duke ngritur trofeun e Europa League.
Nëse dhoma e kombëtares kuqezi priste fanellat e Shqipërisë, në kampin kundërshtar gjithçka ishte gati. Punonjësit kishin vendosur emrat e grumbulluar nga trajneri Jan Urban, por fanellat e reja mungonin. Madje aty mund të gjeje fanellën e Wojciech Szczęsny, edhe pse gardiani i Barcelonës ka kohë që është tërhequr nga futbolli ndërkombëtar. ‘Fanella e preferuar është ajo e Lewandowskit’, thotë punonjësi, duke na treguar njërën prej tyre që sulmuesi e ka patur rezervë për një nga duelet në shtëpi.
Në modernin ‘PGE Arena’ po i jepet dora e fundit punëve të imta, pasi të enjten në orën 20:45 sfida mes Polonisë dhe Shqipërisë është një finale për gjysmën e rrugëtimit drejt Kupës së Botës 2026, që këtë vit do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Ashtu si shqiptarët, edhe polakët e presin me padurim këtë duel, aq sa kur i përmend fitoren e Shqipërisë, ta kthejnë: ‘po, vetëm në play-station ose në ëndrra’. Epo, gjithçka nis me një ëndërr!
Komente









Albitri shum i keq, nga ana e polonis ka per te mbajtur.. Megjithate FORZA SHQIPERI… do fati shkojm ne boterore
Përgjigju