Kur Romano Prodi tregonte takimet me Finon, Berishën dhe vizitën në Vlorën e Zani Çaushit (VIDEO)

Romano Prodi rrëfen kujtimet e tij nga vizita historike e vitin 1997; marrëdhëniet me Shqiperinë dhe politikanët; një leksion për Europën lidhur me krizën e emigracionit dhe mbi rrugën e Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Mbi të gjitha një shembull se si duhet të jetë një politikan.

President Prodi, fillimisht faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë. Slogani i takimit që ju solli në Tiranë është “Paqja është gjithmonë e mundur”. Si është e mundur paqja në këtë moment, ku një pjesë e madhe e botës është e përfshirë nga luftimet?

Pikërisht sot është e mundur paqja. Të gjithë fuqitë e mëdha kanë një armik të përbashkët, terrorizimin ndërkombëtar. Ky terrorizëm në fakt jeton sepse fuqitë e mëdha janë në tension mes tyre dhe përçojnë tension dhe në shtetet e lidhura me fuqitë e mëdha. Do të mjaftonte një dakordësi e vogël lidhur me problemin në Ukrainë që në të qetësojmë të gjitha tensionet. Është e qartë që paqja universale nuk është e mundur, por një paqe konkrete mund të arrihej sot më të vërtetë.

Romano Prodi dhe Bashkim Fino

Shënohen 18 vite nga vizita juaj e parë në Shqipëri. Një vizitë historike, pasi ndodhi në një moment kur shteti nuk ekzistonte dhe shteti i vërtetë ishin bandat e armatosura. Si e kujtoni mbërritjen tuaj në Vlorë, i rrethuar nga njerëz të armatosur, mes tyre dhe një nga drejtuesit më të njohur të bandave të Vlorës në atë kohë, Zani Caushi, i cili ishte dhe truproja juaj. Cila ishte gjëja e parë që ju erdhi ndërmend kur zbritet në Vlorë?1997-prodi-albania

Në fillim isha i papërgatitur, pasi në të vërtetë nuk e dija kush ishin shoqëruesit e mi. Unë ndjeja vetëm diçka, që Shqipëria kishte nevojë për një marrëdhënie me Europën dhe që Italia kishte përgjegjësinë. U nisëm me dy helikopterë, 12 parashutistë dhe njerëz të tjerë të armatosur dhe ishte ai sheshi i madh në Vlorë, ku qëllonin në ajër me Kallashnikov. Por kuptova menjëherë nga koret që bërtisinin, të cilat ndonjëherë edhe jashtë parashikimeve, që kishte një dëshirë të madhe për paqe, gëzimi. Sinqerisht në asnjë moment të vetëm nuk u ndjeva i shqetësuar. Fjeta i qetë në helikopter gjatë kthimit, pasi me dukje se kishte nevojë vetëm për një mesazh për të ardhmen, sepse shtetit me të gjithë problemet e skandaleve, ishte si i harruar, i braktisur. Ishte shumë e rëndësishme dhe njëherësh shumë e komplikuar më pas, përgatitja e misionit pasardhës, sepse unë e doja ndërkombëtare, sepse në të kundërt do përsëriteshin probleme, hamendësime për marrëdhënie koloniale, këto gjëra që nuk shkojnë asnjëherë mirë, dhe ishte e vështirë të gjeja shtete të tjera. Për fat, Franca u bashkua, dhe takimi me Shirakun ishte i jashtëzakonshëm, sepse kuptoi menjëherë që ishte e domosdoshme t’i jepje një dorë Italisë. Ne ishim në marrëdhënie shumë të mira dhe dua gjithashtu të rrëfej që kur ushtarët tanë u kthyen me 3 ditë vonesë, krahasuar me programin fillestar, Shirak tha që nuk kam parë kurrë një mision ndërkombëtar të mbarojë në kohën e duhur, duke arritur dhe objektivin e vënë, sepse frika e tij ishte që të ndihej si i burgosur në Shqipëri, ndërsa unë isha më optimist dhe për fat në fund isha unë ai që pati të drejtë..

A patët qoftë edhe për një moment frikë gjatë udhëtimit apo qëndrimit në Vlorë?

Jo. Unë jam i papërgjegjshëm. I vetmi sens i frikës ishte kur një politikan, duke takuar time shoqe, i tha: Bashkëshorti juaj ishte i guximshëm. Unë nuk e mendoja fare. Për mua Shqipëria ishte një fqinj i shtëpisë, me këtë historinë e saj misterioze, me atë “Radio Tiranën” që ishte diçka që dukej sikur vinte nga Hëna, më kishte ngjallur gjithmonë kureshtje intelektualisht. Më pas kur u bëra Kryeministër, kuptova që ky ishte një prioritet për vet Italinë. Problemi i emigrantëve dhe të gjitha këto, e në fund sipas meje, gjithçka shkoi mirë.

Si e kujtoni takimin me Kryeministrin e kohës, Bashkim Fino?

prodi finoPikë së pari e themë me shumë qartësi që unë nuk i konsideroja parti politike të veçanta për Shqipërinë. Vendimi më i rëndësishëm që kam marrë ishte ai i ndalimit të politikanëve italianë që të vinin dhe të bënin fushatë elektorale në Shqipëri. Ishte e vështirë, sepse nga të dy anët, Fino dhe Berisha, natyrisht i bënin apel partive që u ishin atyre afër. Nëse do ta kisha lejuar, do kishte qenë një katastrofë, sepse demokracia shqiptare duhet të lindte me të gjithë problemet, me rritjen e tensioneve që ishin në Parlament, grindjet, por duhet të lindte me autonominë e saj totale.

Tani kur e shihni, a ka lindur?

Po. Sepse demokracia është e avashte. Unë e kuptoj që ju duke e parë nga brenda, thoni që ky vend nuk ka bërë progres të madh. Duke ardhur nga jashtë, dhe unë vij me një rregullsi të caktuar, shoh ndryshime dhe është një gjë madhështore. Sigurisht është një vend me doza anarkie shumë të forta, me shumë probleme, por shikoni rrugën nga aeroporti në qytet; herën e parë që erdha ishte skandal. Pastaj zhvillimi i zonave bregdetare, ndonjëherë edhe më shumë se nevoja, sepse nëse do t’i kishit mbajtur plazhet pak më shumë të rezervuara do të ishit më mirë. Por edhe Italia ka bërë të njëjtat gabime në disa vende.

Ju erdhët në Shqipëri vetëm pak javë pas tragjedisë së “Katerit të Rades”, e cila u godit nga anija italiane “Sibilla”. A jeni ndjerë ndonjëherë fajtor për 81 të vdekur në atë tragjedi?

Fajtor…. fajtor në sensin që ishte një paaftësi. Marina jonë nuk ishte e përgatitur në atë kohë për të bërë këto gjëra. Mund t’ju siguroj që ishte një incident, për mua shumë i dhimbshëm. Fakti që ndjeva detyrën të vija në funeralet e viktimave dhe ishin funerale shumë të dhimbshme. Nuk do të harroj kurrë karvanet me arkivolë, familjarët që qanin. Ishte një moment dhimbje. Por fajtor, do të thotë të bësh diçka me qëllim. Ju siguroj që nuk ishte e qëllimshme. Sot ai incident nuk do të ndodhte, sepse kemi bërë këto stërvitje të gjata në mënyrën e shpëtimit me Libinë, pastaj misioni ne Liban. Pati një mësim progresiv dhe sot do të thosha që jemi dhe na njohin, që jemi më seriozet në misionet e shpëtimit apo ato humanitare. Atëherë ishte e para.

Pak muaj më parë në Itali u riciklua ideja e “bllokimit detar”…

Riciklohen të gjitha idetë, por problemi është ky, çfarë do bëjmë me “bllokim detar”. Nëse i bllokojmë në det, detyrimisht do duhet t’i shpëtojmë. Nëse shkohet për t’i fundosur kur janë ende pa u nisur, ato janë në duart e krimineleve dhe merret përsipër një përgjegjësi shumë e madhe. Problemi me Libinë është që të kemi një raport konstruktiv, një raport të paqes së brendshme. Atje duhet të ulen të gjithë në një tryeze. Duke njohur Libinë që është një shtet tmerrësisht i fragmentuar, ndërsa Shqipëria ishte një shtet i bashkuar, Libia nuk është e tillë, ka 11 fise të mëdha, 2 qeveri dhe nëse nuk është paqja e të gjithëve, nuk funksionin asgjë. Në Shqipëri është një popull me historinë e tij të bashkimit dhe nuk mund të bëhet asnjë krahasim.

Historia përsëritet dhe sot kemi të njëjtën histori në Itali, ku gomone dhe varka që vijnë nga Libia me emigrantë. Si e shikoni këtë situatë?

Edhe në këtë rast është një histori e ndryshme. Në Shqipëri ishte një numër i limituar njerëzish, një shtet i vogël dhe njerëzit vinin vetëm nga Shqipëria. Afrika është një kontinent. E ndërsa në mendojmë që ata që vijnë për shkak të luftës, mund të kenë edhe një limit, ata që vijnë për shkak të urisë dhe varfërisë nuk do kenë kurrë fund. Është e kot të mendohet për bombardime, duhet rregulluar ky fluks me anë të shteteve nga të cilat nisen. Në këtë moment është e pamundur me Libinë, dhe më pas duhet të bëhet një operacion shumë i madh i zhvillimit të vendeve afrikane. Them i madh për të dhënë dhe sensin e solidaritetit, sepse edhe nga eksperienca shqiptare është mësuar se emigracioni nuk ndalon kur njëri bëhet i pasur, por kur njëri ka shpresa, kur shikon që gjërat ndryshojnë nuk është më i shtyrë që të emigrojë, ose e bënë përkohësisht. Nëse ne nuk i japin Afrikës një shpresë, janë miliarda dhe kujtoni që Afrika deri në mes të shekullit popullsia do shkojë në dy miliardë banorë. Pra, do ketë një miliard afrikanë më shumë në 30 vitet e ardhshme. Është tërësisht një gjë tjetër kjo.

Si ish-president i Komisionit Europian, a mendoni se është Europa në lartësinë e duhur në këtë situatë emigrantësh dhe çfarë duhet të bëjë më shumë Europa përballë kësaj situate?

Europa nuk ka bërë kurrë një politikë europiane mbi emigrantët dhe këtë duhet të bëjë. Javën e fundit, kancelarja Merkel ka dhënë një mesazh të madh, unë kam qenë gjithmonë kritik mbi qëndrimin e saj ndaj Greqisë dhe qëndrimeve të tjera, në rastin e emigrantëve dha aprovimin, por kujdes, ka të bëjë vetëm me sirianët, ka të bëjë me një emigracion të një niveli të lartë kulturor. 50% janë të diplomuar, lehtësisht të integrueshëm në jetën gjermane. Problemi është që Europa duhet të përballet dhe me aspektin tjetër të emigracionit, jo vetëm me atë që mund të adoptohet menjëherë në ekonominë e vendit, por atë që vjen në Italia në pjesa e poshtme të Saharas, që ka një nivel arsimimi shumë të ulët, tradita dhe kultura tërësisht të ndryshme dhe procesi i integrimit në shoqëri është tërësisht i ndryshëm. Ka dhe një problem tjetër ndershmërisht, që edhe një marrëveshje për emigracionin duhet të ketë limite sasiore. Nuk mund të merret një numër i pafundmë. Edhe njëherë del diferenca e madhe nga situata me Shqipërinë. Në kishim një grup të përcaktuar njerëzish.

Si e komentoni murin e ngritur nga qeveria hungareze në kufi me Serbinë për të ndaluar emigrantët?

Një problem i politikës së brendshme, sepse më pas u pa që nuk funksionoi. Orban duhej t’i tregonte votuesve të tij që ai është një i fortë, kështu ka qenë gjithmonë dhe do vijojë të jetë i tillë.

Një tjetër fenomen i shfaqur kohët e fundit është dhe ai i shqiptarëve që kërkojnë azil ekonomik në Gjermani. Si e shikoni këtë problem?

Për fat të keq duhet të them që ka nisur emigracioni dhe nga Italia. Vitin e fundit ishin 85 mijë persona dhe 40% e tyre të diplomuar. Kjo për faktin se Gjermania në këtë moment ka pasur vite të ekspansionit ekonomik të forta, Italia ka pasur një krizë të rëndë. Unë shpresoj, si dhe e uroj edhe për Shqipërinë, që kjo të jetë një gjë e përkohshme. Faktikisht, gjermanët janë shumë të lumtur me emigrantët italianë, pasi ata janë inxhinierë dhe kompani të mëdha gjermane marrin inxhinierë italianë, por unë mendoj se ky është një fenomen i përkohshëm dhe uroj që i tillë të jetë edhe për Shqipërinë. Ndërkaq, Shqipëria ka dhe një avantazh që ka një popullsi të vogël. Nëse nuk ka një situatë të dëshpëruar ekonomike përreth, vendet e vogla mund t’i gjejnë mundësitë e zgjidhjes me lehtësi, por sigurisht është e qartë që kjo do ishte më e lehtë nëse Shqipëria do të ishe pjesë e Bashkimit Europian. Kur unë shoh vendet Balltike, apo Sllovakinë se si janë zhvilluar, them që këto janë gjëra të rëndësishme. Pavarësisht se kanë ndjenja antiemigrantë, unë shoh ndryshimet e tyre që janë spektakolarë.

Një dukuri që ka ndodhur vitet e fundit është dhe ajo e ardhje se studentëve italianë për të studiuar ose për të hapur biznese në Shqipëri. Pra po kthehet historia…

Është një gjë shumë e mirë, pasi fillimisht do jenë italianët ata që do hapin biznesin, por pas disa vitesh do jenë dhjetëra shqiptarë që bëjnë të njëjtin biznes. Por, duhet të bëjmë më shumë në fushën e shkëmbimeve. Mes Italisë dhe Shqipërisë kontaktet janë të shumta dhe duhet të krijohen bashkëpunime më të shumta në shkëmbimin e studentëve, sepse në mendimin tim, duhet të investojmë më shumë në të ardhmen. Pastaj ka të tjera fusha bashkëpunimi si shëndetësia, por qëndrimi im fiks është ai i krijimit të një “Erasmus” të madh, në të cilën studentët shkëmbehen, sepse ky është mesazhi kryesor për zhvillimin e të ardhmes e jo më për mbijetesën.

Marrëdhëniet tuaja me politikanët shqiptarë, Sali Berisha, Edi Rama, Fatos Nano…

Shiko, nuk dua të përgjigjem duke bërë një lojë retorike. Kanë qenë gjithmonë të mira më të gjithë, sepse niseshin gjithnjë nga parimi që ky është përfaqësuesi i Shqipërisë. Pastaj, të them të drejtën jam ndjerë gjithmonë mirë me ta.

Si e shikoni rrugëtimin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian?

Ky nuk është një problem i Shqipërisë, është një problem i Europës.

A eshte e lodhur Europa nga zgjermimi?

Kur zgjerova BE me 10 shtete, nga 5 që kërkohej, e bëra sepse kisha një ide fikse që duhej bërë shpejtë, sepse e dija shumë mirë që më pas do të lindnin mijëra probleme. Mbi të gjitha doja t’i vija në rresht shtetet, që njëri të lidheshe me tjetrin. Kur u anëtarësua Sllovenia, unë shkoja atje dhe u thosha që duhet të hapeshin me kroatët dhe në Kroaci u thosha që duhet të ishin të lumtur që anëtarësohej Sllovenia. Më pas në Serbi, më shumë herë në Maqedoni, pastaj në Bosnjë e Shqipëri. Sepse nëse krijohet një zinxhir, atëherë behet një proces natyral. Ndërsa kjo vonesë shumë e madhe për Kroacinë dhe më pas frika e populistëve që u krijua tani, ka ngadalësuar shumë këtë proces, edhe pse tashmë në Europë qendra e fuqisë nuk është më Komisioni, por Këshilli dhe vendet, e në këto kushte duke qenë shumë parti populiste kundër zgjerimit, natyrisht qeveritarët janë bërë ekstremisht të rreptë.

Ju keni qenë President i Komisionit Europian kur u zhvillua Samiti i Selanikut në vitin 2003 për vendet e Ballkanit Perëndimor. A i arriti objektivat e tij ai Samit apo dështoi?

Kur ishim në Selanik kishim afate më të kufizuara. Unë mendoja 4-5 vite, e mendonim të gjithë në atë kohë. Nëse më thoni a i ka arritur objektivat precize, unë ju them jo. Nëse më pyesni a është mbyllur rruga, unë ju them jo sërish, sepse rruga është akoma e hapur, por ka marrë një ngadalësim burokratik. Për zgjerimin, sigurisht që shtetet e reja duhet të respektojnë disa rregulla, por nëse nuk bëhet me zemër ka marrë fund. Unë kam parë shumë përjashtime, edhe për shtete të cilat më pas ishin shumë mirë si Polonia, përjashtime kemi bërë shumë. Por tani, me elektoratin që kemi, rreptësia e qeveritarëve është bërë “migrenë burokratike”.

Si ka ndryshuar Shqipëria që nga marrja e statusit të vendit kandidat?

Sipas meje Shqipëria ka ndryshuar për mirë. Shqipëria, e përsërisë, e parë nga jashtë është një shtet që ka bërë shumë progres, por duke folur me shqiptarët të gjithë shfryjnë. E kuptoj edhe un që e parë nga brenda, mendohej për një proces më të shpejt. Unë që kam parë shumë nga këto fenomene, them që Shqipëria nuk është më i njëjti shtet. Por për të kompletuar homogjenizimin ekonomik me Europën, procesin e demokratizimit total etj. duhet të jesh anëtar i Bashkimit Europian. E përsëris që këtë gjë e shoh akoma shumë të largët.

Sipas jush, kur Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nëse Europa lodhet nga zgjerimi edhe vendet e Ballkanit lodhen nga durimi, ka të drejtë? Dhe a është ky një kërcënim që i bëhet Bashkimit Europian?

Ka të drejte. Ka te drejte, sepse dikush duhet ta ndiejë që ka një frymë mbështetëse. Pse më shkoi mirë misioni kur erdha këtu në Vlorë? Sepse njerëzit kuptonin që i doja të mirën. Ose i jepet një mesazh i këtij lloji, ose padyshim që dhe ju do ju soset durimi. Nuk është një kërcënim, por është thënia e një politikani që njeh popullin e tij. Gjëja e parë që një politikan duhet të bëjë është të kuptojë ndjeshmërinë e njerëzve të tij. S’mund të thuash gjithmonë nesër, nesër, nesër, duhet sot.

Nga këndvështrimi jua, Shqipëria duhet të ndjek shembullin e Kroacisë me arrestimin e zyrtarëve të lartë për të qenë pjesë e BE-së? Është ky standardi që kërkon Europa sot, luftimin e korrupsionit.

Problemi i korrupsionit është një problem themelor dhe duhet përballuar. Çdo shtet duhet të përballet me rregullat e veta. Në Itali, për shembull, shumë njerëz ankohen se si pas fashizmit nuk u procedua më ashpërsinë që ata donin. Unë e pash me urtësi, në kuptimin që duhet të jemi shumë të ashpër mbi sjelljet, por proceset që kanë të bëjnë me të shkuarën janë gjithmonë të komplikuara dhe duhet të çohen përpara me shumë urtësi, ndërsa duhet të jemi shumë të ashpër në luftën kundër korrupsionit në të tashmen.

Një nga pikat kryesore të kërkuara nga Bashkimi Europian është reforma në sistemin e drejtësisë…

Ajo po, sepse ka të bëjë me të tashmen. Duhet të ketë një pavarësi totale të gjykatave, shpejtësi në gjykim. Le ta pranojmë që edhe shtete si Italia nuk janë imun nga probleme të tilla dhe të sqarojmë që nuk po dënoj askënd, por mbi këtë çështje, edhe gjatë kohës kur unë isha në Komisionin Europian, për vendet e reja, ishte një diskutim prioritar, sepse drejtësia i jep sensin e anëtarësimit një shteti.

Një tjetër çështje që ka nxitur shumë debate kohët e fundit në Shqipëri është ajo e dekriminalizimit të politikës dhe administratës…

Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë të pastër, sepse populli duhet të identifikohet me përfaqësuesit e tyre. Është i ndryshëm qëndrimi i një krimineli nga ai që duhet të ketë një përfaqësues i popullit. Duhet të ketë rreptësi më të madhe në këtë çështje. Por edhe ky është një proces i avashtë. Unë kam lindur reformist, asnjëherë revolucionar, asnjëherë konservator, më pëlqen maratona dhe jo garat e shpejtësisë. Në mendimin tim, pastrimi i parlamentit duhet të bëhet me grusht të hekurt, por jo ndëshkues, sepse hap konflikte të reja. Nuk e njoh situatën specifike shqiptare dhe nuk dua të jap këshilla, por kur isha në situata të ngjashme, problemi im ishte të jepja drejtësinë, por pa krijuar konflikte të tjera që çojnë në derdhje të tjera gjaku, në tensione të tjera. Kjo është ajo politika që duhet të bëjë me urtësi.

Dhe në fund, një mesazh për klasën politike shqiptare dhe një mesazh për Bashkimin Europian…

Unë nuk kam asgjë për t’i mësuar askujt, por politika shqiptare duhet të gjejë mënyra më pak konfliktuale për të drejtuar jetën politike. Në demokraci duhet të jetë një alternim, që nuk prodhon konflikte që të pengojnë njërin apo tjetrin që të qeverisi, sepse vendi është një i vetëm i qeverisur me kritere të ndryshme si nga njëri apo nga tjetri. Mesazhi për Europën është shumë i thjeshtë: vendet e Ballkanit janë pjesë e Europës. Pikë. / Top Channel

J.GJ./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja