Kur në fillim të viteve '90 studentë e të rinj, në diskon e atëhershme nëntokësore "Albania" , kërcenin nën ritmin e magjisë së "Living on my own" apo të "Show must go on" të "jashtëtokësorëve" Queen, jo të gjithë shijonin muzikën sublime. Me sytë të mbyllur, disa, vërtetë përqëndroheshin të shijonin ëndrrën pa kufi ku të projekton vetëm arti i bukur, ndërsa të tjerë shqetësoheshin nëse Freddie Mercury ishte apo jo gay, apo pse vishej e lyhej si grua. Sa shpërthente "Queen", disa ngrinin e tërhiqeshin në errësirën e kolltukëve, të tjerë kërcenin me Universin.

Kapërcyem edhe vitet 2000 dhe gjendja pak ka ndryshuar: Njerëzit ende ndahen në ata që admirojnë një këngë me vlerë, një punë të mirë, një art të bukur, me ata që përqëndrohen te... (ndjesë) prapanica e atyre që e kanë realizuar. Pa kuptuar, i japin rëndësi asaj duke e kthyer në piedestal të mendimeve dhe shqetësimeve të tyre, në vend që të shfrytëzojnë bukurinë dhe talentin me vlerë universale që pak njerëz kanë fatin ta shprehin. E në këtë moment, lind moda, magjepsja nga muzika tallava, personazhet tallava e telenovelat turke. Këto "produkte të larta" të përqëndrojnë te pjesë të tjera të trupit, në vend të mendjes, zemrës dhe shpirtit.

Fokusimi te gishti që tregon, më shumë se te Hëna, është një defekt që na persekuton në vite të viteve duke na lënë ne të mbeturve brenda kufijve më provincialë seç ishte dikur Tirana e izoluar. Përqendrimi për të gjykuar shijen, punën, mendimin e dikujt na impenjon, na merr më shumë energji se për të ngritur, për të përmirësuar e për të mbrojtur tonën. Duket se edhe disa të rinj bien në këtë grackë, dhe, me çilrtësinë që i karakterizon, i sheh shpesh të shajnë zgjedhjet e shokëve sesa të tregojnë e mbrojnë atë që mendojnë dhe bëjnë vetë. E duke u marrë me jetën e punën e të tjerëve, pak kohë mbetet për të ndërtuar një punë të bukur për veten.

Dikush thotë se ky shfokusim  është një strategji e shpikur dhe e kthyer në profesion nga një lloj politike dhe propagande brenda vendit. Do të presim të vdesin këta "strategë", apo do të vendosim të shohim më në fund Hënën? Kur nuk shpëtuam në kohën e Freddie Mercury-t, sa shpresa kemi në kohën e tallavasë dhe telenovelave turke?