/ATSH/- Dashuria për natyrën e malin bashkon popujt e nxjerr në pah anën humane, solidare, respektin për veten sikurse edhe për të tjerët. Kjo ka ndodhur me sportist të Shqipërisë, Preshevës dhe Serbisë, të cilët, këtë fundjavë kanë ngjitur Malin e Dajtit.

Në këtë aktivitetet të përbashkët, morën pjesë rreth 25 sportistë, anëtarë të Shoqatës Dajti Alpino-Turistik, nga Shoqata Ostrovica Preshevë dhe Kukavica, Serbi.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të dëshmonte faktin se sporti i alpinizmit kapërcen çdo kufi dhe konflikt.

Sportistët e kanë nisur ngjitjen për në Malin e Dajtit, të dielën në oren 8:00, të shoqëruar me shi dhe erë të lehtë. Por kjo nuk e uli aspak ritmin e alpinistave të cilit ishin të vendosur të vazhdonin sipas planit. Në majë të Tujanit, u ngjitën rreth rreth 20 veta, ku vlen të përmendet kryetari i Ostrovicës, zoti Bajram që ia doli me sukses në moshën 73 vjeçare.

Kryetari i Shoqatës Dajti Alpino Turistik, Xhimi Begeja tha për ATSH-në se vlerësimet më të larta shkojnë për  dy të rinjtë,  Kushtrimin dhe Shpëtimin, përkatësisht 12 dhe 13 vjeç që sfiduan shiun, baltën, e lodhjen për të arritur në maje.

Grupi sportist, përgëzoi edhe zonjën Dushica nga Serbia dhe Dorenen si femrat e vetme që shkuan në maje, e treguan që dashuria për malin e natyrën nuk njeh gjini.
Kryetari i Shoqatës Dajti Alpino-Turistik, Xhimi Begeja: Bashkë për të përcjellë mesazhe paqeje

Nuk kishte si të shkonte më mirë kur bjeshkëtarë e alpiniste të dy vendeve Serbi e Shqipëri, bëhen bashkë në një aktivitet domethënës dhe argëtues për të ngjitur Malin e Dajtit, thjeshtë pa pagesë burokratike dhe pa paragjykime.

Shoqata Dajti Alpino-Turistik mikpriti Shoqatën serbë të bjeshkëtarëve e alpinistëve " Kukavica " të qytetit Leskovac me kryetare zj.  Dushanka Vaskoviç të shoqëruar nga bjeshkëtarë të shoqatës "Ostrovica " të Preshevës me kryetar Z.  Bajram Sadriu një 72 vjeçar që me një çantë prej 18 kg, u ngjit në Malin e Dajtit ( maja e Tujanit)  deri në maje  si një djalë i ri ku jep shembull impresionues.

Vendosëm që këtë të djelë të bënim Malin e Dajtit nga itenerari i Gurores,  në mes një shiu që gjatë gjithë ditës nuk na u nda, por me një  kënaqësi të veçantë i gjithe grupit prej gati 30 bjeshkëtarë e alpinistë nga të gjitha moshat 12,  13,  15 vjeçare e deri tek simboli 72 vjeçarit.

Gjatë  zbritjes ku frymëmarrjen e ke më normale, diskutuam  për kënaqësitë që jep natyra e  problemet që po hasim për ta mbrojtur atë, ku dhe në Serbi ka filluar të bëhet alarmante,  folëm për ngjitje të ndryshme dhe eksperienca por  kur  ngacmonim njëri tjetrin me dronin vetëm qeshnim,  qeshnim papushim si nje absurtitet që sporti nuk ka pse ta vuajë.

Nuk folëm për bindje,  nuk folëm për politikë nuk folëm për lajme dhe as për fetë, secili ka bindjen e tij dhe fenë e tij.

Pra jemi njerëz si të gjithë,  serbë dhe shqiptarë, nuk u ngjitëm të ndarë por bashkë, dëshmuam respekt ndaj njëri tjetrit, ku pas një dite të mrekullueshme u ndamë të përlotur për të qënë në të ardhmen jo më 30 por 300 bjeshkëtarë e  alpinistë.

Kjo është natyra me  sportin i alpinizmit, bashkon dhe nuk ndan njerëzit mposht paragjykime dhe mentalitete të rrënjosura prej vitesh.

Shoqata Dajti Alpino Turistike dhe një herë tjetër dëshmoi që vazhdon të jetë në elitën e sportit shqiptar, ku përveç ngjitjeve në majat e botës organizon aktivitete plot me mesazhe paqeje dhe dashurie për sportin e natyrën.