Çdo ditë e më shumë po na rastis të dëgjojmë lajme për persona që largohen nga jeta. Të rinj që ikin në kulmin e moshës, aksidente fatale, apo njerëz që vdesin nga sëmundje të pashërueshme.

Përsa i përket të dhënave statistikore nga INSTAT mbi vdekjet, vihet re se gjatë dekadës së fundit numri i tyre ka qëndruar relativisht në nivele të njëjta. Kurse përsa i përket ndarjes sipas gjinisë,  në totalin e vdekjeve, meshkujt janë ata që dominojnë në krahasim me femrat, rreth 52,2% të totalit të rasteve.  Kohët e fundit vihet re se aksidentet rrugore po  përbëjnë një numër të lartë të vdekjeve.

Nga raporti i Institutit të Shëndetit Publik, del se sëmundjet kronike janë shkaktarët kryesor të humbjes së jetës me 88% të rasteve (55% sëmundjet  kardiovaskulare dhe 15% nga kanceri). Nuk mund të lëmë pa përmendur se dhe sëmundja ishemike e zemrës, sëmundjet cerebrovaskulare dhe infeksionet e rrugëve të poshtme respiratore, janë shkaqet kryesore të viteve të humbura të jetës si pasojë e vdekjes së parakohshme në Shqipëri.

Mesa  duket si shoqëri nuk kujdesemi as sa duhet për shëndetin tonë. Kjo vjen edhe si pasojë e gjendjes ekonomike të ulët, por edhe të një kulture të munguar shëndetësore. Faji nuk mbetet vetëm i popullsisë, por edhe i institucioneve përkstëse të cilat prej kohësh kanë bërë që të humbet besimi prej korrupsionit apo mungesës së aparaturave etj. Ndaj jo rrallë herë shqiptarët e lënë veten në dorë të fatit apo Zotit.

Faktikisht vdekja nuk është vetëm finalja e jetës por edhe proces i ndaljes se saj. Na rastis që kur zgjohemi të shohim televizionin me imazhe fatale, të  lexojmë gazetat me lajme të hidhura dhe sigurisht që këto ngjarje na bëjnë të ndjejmë keqardhje. Arrijmë të reflektojmë deri diku, por ndërgjegjësimi na kalon shpejt pasi na duhet të vazhdojmë veprimtari të tjera të cilat nuk presin. Por kur humbim një person që e kemi njohur mirë dhe kemi ndarë momente jete me të,  sikur ndërgjegjësohemi më tepër. Ndjejmë më shumë se keqardhje, më tepër se dhimbje. Ndjehemi të pafuqishëm për të ndaluar atë çfarë nuk mundemi ta zhbëjmë. Duket kaq absurde ndonjëherë që njerëzit jetojnë me vdekjen dhe jetën njëkohësish.

Murmurisim me vete: "Ai nuk e meritonte të vdiste" sepse për ne të gjallët gjithmonë ai që vdes ka qenë person i mirë. Ndaj  kërkojmë një fajtor ta kemi përballë dhe ta ofendojmë duke i kërkuar arsyen e ikjes nga kjo jetë. Megjithatë ka dhe pyetje të tjera të paevitueshme qe ia bejmë vetes: "Vërtet ndjejmë dhimbje vetëm nga humbja e dikujt, apo ndjejmë edhe keqardhje se dhe ne do të vdesim një ditë?!"

Ritualet e përcjelljes deri në banesën e fundit zbatohen me përpikmëri. Njerëzit kanë krijuar për çdo pjesë të jetës zakone të veçanta. Veshja me të zeza për gratë, pritjet e vizitave, shtrimi i drekës, etj. Këto rituale mund të duken si procese të panevojshme dhe të mërzitshme, por që tregon se njerëzit janë të vetëdijshëm se kjo ditë do të vijë edhe për ta, por e imagjinojnë shumë larg.

Pavarësisht kësaj i bëjnë  premtime njëri tjetrit: Duhet të duhemi çdo moment të jetës, të duam më shumë veten, të respektohemi më shumë, të japim dashuri dhe të largojmë urrejtjen. Faktikisht deri më sot shumë njerëz janë larguar nga jeta, dhe njerëzit janë të vetëdijshëm që nuk janë të përhershëm në këtë tokë, por përsëri ka shumë urrejtje, neglizhencë ndaj vetes, keqdashje, dhunë, armiqsi.

Të etur për ambicje, të mbushur me egoizëm harrojnë se një ditë do të vdesin. Mbyllen brënda katër mureve të shtëpisë së tyre, zbukurojnë dhomat me orendi të çmuara, ushqehen me iluzione që vetë kanë krijuar. Gjithsesi harresa nuk është krejtësisht e gabuar, ndryshe sot nuk do të mundnin të buzëqeshnin. Si udhëtar të përkohshëm në këtë botë, le të vazhdojmë të ecim drejt rrugës së përbashkët të njerëzimit. Te mbajmë mbi supe peshën e përgjegjësisë për të qënë njerëz më të denjë. Edhe pse nuk do të mundemi të bëjmë të mundshme diçka të pamundur, të jemi me të  ndërgjegjshëm për të zbutur egoizmin dhe të mendojmë për shëndetin tonë para se të jetë tepër vonë.

dy.b/shqiptarja.com