Kurba e progresionit të koronavirusit ka qenë e butë në Shqipëri dhe kjo falë masave të menjëhershme të marra nga qeveria por dhe strategjisë së ndjekur nga ekspertët e shëndetësisë për të gjurmuar çdo rast të dyshuar për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit.
Sigurisht që një rol tepër të madh ka luajtur dhe ndërgjegjësimi i pjesës më të madhe të shqiptarëve për të qëndruar në shtëpi dhe shmangur distancimin social.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar kurbën e progresionit të koronavirusit, ku vihet re se Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera, ka një rritje të butë duke shmangur kolapsin e sistemit shëndetësor. Për këtë Rama falenderon bashkëpunimin 'popull dhe shtet' për të dalë fitimtarë në këtë luftë, që fatkeqësisht nuk e zgjodhi askush.
"Të gjitha kanë rëndësinë e tyre, po mbi të gjitha sot është mbrojtja e jetës së çdo shqiptari dhe ecja çdo ditë të bashkuar, popull dhe shtet, drejt fitores së kësaj lufte që nuk e zgjodhëm, por kemi detyrën ta fitojmë. Nëse sot jemi në këtë pikë, e jo mbi ndonjë mal me të vdekur, kjo është falë nesh e mënyrës se si e kemi bërë luftën deri këtu, shtet e popull bashkë si një trup i vetëm dhe vetëm prej nesh varet tanimë ta çojmë deri në fund kështu këtë luftë", shkruan Rama.