Eduard Zaloshnja: Kurba e emigracionit shqiptar përgjatë tre dekadave të fundit

Eduard Zaloshnja: Kurba e emigracionit shqiptar përgjatë tre dekadave të fundit

Foto ilustruese

Shqipëria ka patur disa dallgë emigracioni qysh prej ndryshimit të sistemit politik. Dhe nëpër media e nëpër kafenera, janë përmendur me rradhë si shkaktarë të këtyre dallgëve – Enveri e Ramizi pas dallgës së parë, Saliu pas dallgës së dytë, Fatosi pas dallgës së tretë, Saliu pas dallgës së katërt, dhe Edvini pas dallgës së pestë…

Pa u futur në analizën e shkaqeve apo shkaktarëve, ky shkrim synon vetëm të analizojë kurbën e emigracionit shqiptar përgjatë tre dekadave të fundit. Nga regjistrimi i popullsisë para ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri (u krye më 1989), numri total i banorëve rezultoi 3,182,417 (shihni tabelën shoqëruese). Ndërkohë, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 3,214,241 shtetas shqiptarë. Pra, rreth 32 mijë shtetas rezultonin atëherë emigrantë (politikë apo ekonomikë). Nga regjistrimi i parë i popullsisë pas ndryshimit të sistemit politik (në fund të vitit 2001), numri total i banorëve rezultoi 3,069,275. Ndërkohë, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 3,993,077 shtetas shqiptarë. Pra, rreth 924 mijë shtetas ishin atëherë në emigracion.

Nga regjistrimi i dytë i popullsisë pas ndryshimit të sistemit politik (në fund të vitit 2011), numri total i banorëve rezultoi 2,821,977. Ndërkohë, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4,289,950 shtetas shqiptarë. Pra, rreth 1.47 milionë shtetas ishin atëherë në emigracion. Regjistrimi i tretë i popullsisë pas ndryshimit të sistemit politik ende nuk është kryer, por nga llogaritjet  vjetore të popullsisisë banuese që publikon INSTAT-i, mund të nxirret shifra e përafërt 2,750,000 banorë në fund të vitit 2022. Ndërkohë, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4,586,144 shtetas shqiptarë në fund të dhjetorit 2022. Pra, rreth 1.84 milionë shtetas janë aktualisht në emigracion.

Viti

 Shtetas në regjistrin e gjendjes civile

 Nga këta, banues në Shqipëri

 Nga këta, në emigracion

1989

     3,214,241

   3,182,417

        31,824

2001

     3,993,077

   3,069,275

      923,802

2011

     4,289,950

   2,821,977

   1,467,973

2022

     4,586,144

   2,750,000

   1,836,144

Në grafikun shoqërues janë përmbledhur të gjitha shifrat e mësipërme, për të treguar se sa përqind e shtetasve shqiptarë kanë qenë në emigracion në fund të secilës nga dekadat e shkuara.

Në dekadën e parë pas ndryshimit të sistemit politik, ndodhi emigracioni më i madh – nga një emigracion i papërfillshëm më 1989, u arrit deri tek pothuaj çereku i shtestasve shqiptarë në emigracion më 2001. Në dekadat pasardhëse u ngadalësua ritmi i rritjes së emigracionit – përqindja e shtetasve në emigracion u rrit me 11 pikë pas dekadës së dytë dhe me pothuaj 6 pikë pas dekadës së tretë.

F.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Mitet që rrëzoi dhe precedenti që hapi lirimi i Sali Berishës

Ylli Pata: Mitet që rrëzoi dhe precedenti që hapi lirimi i Sali Berishës