TIRANË- Hetimet e SPAK lidhur me hetimet për origjinën e pronës në Zvërnec, pas sekuestrimit të llogarisë bankare të “Albania Land Development”, janë mëse të mirëpritura nga kryeministri Edi Rama. Në konferencën për shtyp krah Antonio Costas, ai tha se e sheh “shumë pozitiv” këtë hetim.
“Kjo e SPAK-ut ka dy pjesë; pjesën pozitive që i takon SPAK-ut dhe pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetofruar të SPAK-ut. Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur, me apo pa të drejtë dhe i shumëpërfolur, aq më tepër për sa kohë kjo lidhet me një hetim të nisur sa i takon subjektit, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone, është e mirëseardhur dhe e nxis këtë hetim.
“Albania Land Development” është në pronësi të dy vëllezërve nga Katari, vëllezërit Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat. Këta të fundit zotërojnë një nga kompanitë më të mëdha në Lindjen e Mesme, “Poëer Holding”, që ka blerë tokat në Zvërnec. Kryeministri tha se verifikimet e duhura janë kryer dhe burimet financiare të investitorëve kanë rezultuar legale.
“Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetofruar që ndajnë gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha pasi investitorët që sot janë zotëruesit e pronës sipas legjislacionit shqiptar, janë investitorë me reputacion të padiskutueshëm, burimet financiare për të përcjellë pagesën janë investiguar imtësisht nga Agjencia e Pastrimit të Parave dhe kanë rezultuar totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global. Kjo çështje, siç është me dy pamje, duhet ndarë në dy pjesë. Investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që kanë të drejtën e asaj prone, mund të marrin ato para dhe të gjitha janë të lumtura përveç palës që ka mashtruar. Do t’u bëja thirrje zëdhënësve të vetofruar që të mendohen disa herë për të shkruar disa të vërteta sepse cenojnë Shqipërinë. Dihet kush janë investitorët sepse janë njerëz me reputacion”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se investimi vazhdon dhe nuk do të ndalojë sa kohë të jetë ai.
“ S’ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do të jem këtu. Unë jam absolutisht i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime, por duhet të sqarojmë për çfarë janë pretendimet. Nëse janë për pronën, ka rrugën e vet dhe mund të çojë në zgjidhje ideale”, tha Rama.
Edhe presidenti i Këshillit Europian u pyet lidhur me investimin, por tha vetëm se Komisioni po mban kontakte me autoritetet dhe shoqërinë civile në Shqipëri.
Në konferencën e përbashkët të zhvilluar me presidentin e Këshillit Evropain, kryeministri Edi Rama u shpreh se projekti i parashikuar për tu jetëzuar në zonën e Zvërnecit, do të zhvillohet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Rama: Si mundet ne të bëjmë një projekt i cili është një projekt me një peizazh natyror dhe të mos respektojmë standardet e BE-së? Kjo ka një mundësi: që ne ta mbyllim procesin me BE-në, t’i themi faleminderit, ne do të shkojmë me Kinën dhe nuk do të merremi me këto “cic-mice”. Nuk e kemi këtë alternativë, e kam thënë dhe e përsëris për të gjithë ata që e mendojnë. Ajo Evropa plakë është e vetmja që na duhet ne. Për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje, duhet të sillemi korrekt sipas standardeve, jo për ata, por për ne.
Presidenti ka qenë kryeministri më i suksesshëm i Portugalisë për lirinë individuale dhe biznesin. Është një njeri që mund t’ju tregojë shembuj sesi gjithë ato tensione apo dhimbje që krijoi procesi i futjes në BE për të reformuar vetveten, u kthyen në mirësi dhe sukses për atë popull. Ne këtu bëjmë edhe Ramazan, ne kemi gjithandej atë thirrjen: pas dhimbjes vjen lehtësimi. Pa dhimbje nuk ka. Projekti jo vetëm që do të jetë në standardet e BE-së, por ambicia ime, që e ndaj me bashkëinvestitorët që sot janë edhe bashkëpronarë, është që të bëjmë një projekt që të jetë model. Kompanitë nuk janë mbledhur këtu për të hedhur beton e për të shkatërruar biodiversitetin. E vetmja gjë që mund të bëjnë, dhe këtë s’kemi si ta shmangim, është që të shkatërrojnë nervat dhe komplet imazhin e Sazan Gurit me shokë, se lekë për Sazan Gurin ata nuk kanë.
I pyetur për ndikimin që mund të ketë një projekt si Zvërneci në negociatat me BE lidhur me kapitullin për mjedisin, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, tha se Komisioni Europian po dëgjon autoritetet dhe shoqërinë civile.
“Nuk është se unë mund të flas për ndonjë projekt të veçantë ose specifik, por Komisioni Europian është në kontakt me autoritetet shqiptare, po dëgjon shoqërinë civile dhe nëse do të ketë pyetje, do t’i bëjë”, tha Costa.
Investimi në Zvërnec nuk do të ndalet, por kryeministri Rama u shpreh se është i gatshëm të flasë me këdo rreth tij. Ai e bëri të qartë se teoria ‘ndalu ti se jemi ne’ nuk do të funksionojë pasi është zgjedhur nga populli.
“Teoria ndalu ti se jemi ne me mua nuk ka funksionuar, nuk funksionon dhe nuk do të funksionojë për sa kohë unë jam këtu me votat e shumicës së shqiptarëve dhe kush thotë ne jemi populli duhet të mendohet mirë se populli flet ditën e zgjedhjeve. Ne na bashkon një kauzë, një interes, këngët, nevoja për të thirrur në kor ‘Edi Rama, tqr’, por populli është diçka tjetër”, tha kryeministri.








