KURBIN- Arrestohet nga forcat e policisë në fshatin Vinjoll, Alfred Balloku. Mësohet se Balloku ditën e enjte ka kanosur nën kërcënimin e armës, duke bërë presion dhe duke ju bllokuar rrugën punonjësve të një hidrocentrali.

Personat e kanosur sipas burimeve të policisë janë një inxhinier shqiptar dhe dy inxhinierë Italianë. Alfred Balloku prej disa muajsh ka mbajtur nën kërcënim investimet te huaja në këtë zonë.

Po kështu një ditë më parë policia e Kurbinit ka arrestuar edhe një shtetas tjetër, 23-vjeçarin Hysen Barjamaj, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe kanosje të punëtorëve të hidrocentralit në fshatin Vinjoll.

Gjithashtu bëhet e ditur se punimet në hidrocentral janë ndërprerë prej disa kohësh në këtë fshat nga dhuna psikologjike dhe morale e personave në fjalë. Forcat e policisë po punojnë për të zbardhur çështjen dhe për të vënë në vend drejtësinë.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja,com)