KURBIN - Një person i maskuar dhe me armë ka plagosur, një 56-vjeçar në tentativë për të grabitur një pike grumbullimi të skrapit në Kurbin.
 
Sipas burimeve të policisë është bërë e ditur se ngjarja është shënuar rreth ores 13:00 të ditës së djeshme pranë supestradës Laç-Fushë Krujë në afërsi të fshatit Adriatik, ndërsa i plagosur ka mbetur Gëzim Mehmeti 56-vjeç nga Tirana. Autori i ngjarjes i cili ka qenë i maskuar kishte shkuar për të grabitur tek pika e grumbullimit të skrapit, por ka hasur në rezistencën e 56-vjeçarit, i cili ishte edhe magazinier i  firmës.
 
Përballë kësaj situatë ai ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Mehmetit duke e lënë plagosur rëndë. Kanë qenë disa punëtorë të tjerë të cilët kanë dërguar në spitalin e Laçit 56-vjeçarin, ku ka marrë ndihmen e parë dhe më pas është dërguar në spitalin Ushtarak të Tiranës nga ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Policia e Kurbinit bëri të ditur se ai ka marrë 3 plumba në dy këmbët, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja automatiku.

Pas ngjarjes autori është larguar së bashku me një përson tjetër i cili e priste, atë me një automjet “Benz”. Pasi kanë ecur 2 km larg vendit të ngjarjes ata kanë djegur mjetin, me benzinë duke u larguar më pas me një motorr.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)