Një rrjet i tërë tunelesh i ndërtuar nga ISIS është zbuluar në qytetin iraken Sinjar tashmë të shkatërruar nga lufta. Siç raporton AP, tunelet, të cilat arrijnë deri në disa qindra metra u zbuluan nga forcat kurde që kanë marrë kontrollin e qytetit.
 
Bëhet fjalë për tunele me dhoma fjetje dhe me ndriçim elektrik, ku kurdët kanë gjetur thasë rëre, ilaçe e madje edhe pajisje amerikane për prodhimin e bombave. Shamo Eado, një komandant i luftëtarëve kurdë që njihen si Peshmerga tha se janë gjetur rreth 40 tunele brenda Sinjarit.
 
“Është një rrjet i tërë tunelesh brenda qytetit. Ata i kanë gërmuar këto tunele për tu fshehur nga sulmet ajrore dhe që të lëviznin lirshëm nëntokë, por që edhe të kishin një vend ku të ruanin arsenalin e tyre ushtarak” –tha Eado.