Kurti: Asgjë e re nga takimi me
Jahjagën, Thaçin e takoj në Kuvend

Kurti: Asgjë e re nga takimi me<br />Jahjagën, Thaçin e takoj në Kuvend
PRISHTINË - Presidentja Atifete Jahjaga ka zhvilluar një takimin me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të cilin ka diskutuar rreth krizës institucionale që është krijuar në vend.

Ky i fundit pas takimit tha se nuk ka asgjë të re nga takimi i sotëm me Presidenten, ndërsa ka përjashtuar çdo mundësi të takimit me liderin e PDK-së, Hashim Thaçin. Sipas tij, takimin mund ta bëjnë vetëm në Kuvendin e Kosovës, aty ku duhet të flasin të gjithë 120 deputetët.

Kurti e ka quajtur më shumë cinik se sa gjykatës kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, duke komentuar deklaratat e fundit të kreut të Gjykatës.
 
Deklarata e plotë e Albin Kurtit pas takimit me Presidenten Jahjaga 
Ishte një takim i përsëritur meqenëse bëhet fjalë për qëndrime të përsëritura dhe për ide gjithnjë të njëjta. Pra nuk mund të them se kishte diçka të re në këtë takim përveçse ky takim u zhvillua sot për dallim prej takimit tjetër që u zhvillua dje. Pra, ishte dita e ndryshme mirëpo as temat, as përmbajtjet, as pozicionet nuk ishin tjetërfare.
 
Siç e dini, ne sot hymë në sallën ku mbahen seancat konstituive dhe plenare të Kuvendit të Republikës, dhe aty u deklaruam katër nënshkruesit e marrëveshjes së 10 shtatorit, që njëherazi jemi edhe katër kryetarë të subjekteve dhe katër deputetë të Kuvendit të Republikës, në kuadër të këtij bashkëpunimi që synon shumicën parlamentare. Ne e dimë që insistimi i partisë në pushtet, që është parti-shtet dhe e cila e ka lënë Kosovën pa Republikë e po përpiqet ta lë edhe pa Kuvend, është se është fituese teknike e zgjedhjeve të 8 qershorit. Ne theksojmë që nuk është Republika parlamentare çështje se kush është i pari, sepse kush është i pari është logjikë monarkiste. Në monarki apo mbretëri i pari është mbreti ose mbretëresha, dhe më pas vjen pasardhësi. Republika parlamentare është e ndërtuar dhe e organizuar mbi shumicën dhe rreth shumicës. Kjo shumicë është duke u parandaluar me procedura të partizuara që ta materializojë vetveten në funksionimin e institucioneve përkatësisht në konstituimin e Kuvendit të Republikës.
 
Ne i thamë Presidentes se nuk ka qenë në rregull që ajo nuk ndërhynte tek kryesuesja, deputetja më e moshuar Brovina, dhe ju e patë mbrëmë që Presidentja u detyrua të ndërhyjë përmes një sqarimi publik sepse ishte kryesuesja ajo e cila e bëri ndërhyrjen tek presidentja. Nëse e lexoni shkresën përmes së cilës ajo mbrëmë e shtyu seancën e sotme, në fjalinë e parë ajo flet tamam sikurse të ishte presidente. Prandaj Presidentja u detyrua të ndërhynte. Unë besoj që Presidentja e Republikës në komunikimin e saj me kryesuesen që është deputetja më e moshuar nuk paraqet ndërhyrje, sepse ndërhyrja është ndërhyrje prej jashtë. Në seancën konstituive Presidentja nuk është jashtë, por brenda, meqenëse seanca konstituive është thirrur nga Presidentja. Ju po e shihni që për çdo ditë kemi pa fund takime të Presidentes me liderët, dhe të gjitha këto takime janë rrotull një takimi që në vazhdimësi ka munguar. Ky është takimi i znj.Presidente me znj.Brovina. Gjithandej nëpër Kosovë, tërë kohën është diskutuar e debatuar për mënyrat e daljes nga kriza, përveç në vendin ku kjo duhet të ndodh domosdoshmërisht, në Kuvendin e Republikës.
 
Sot kemi pasur një zhvillim pozitiv, sekretaria e Kuvendit përkundër faktit që kryesuesja Brovina e kishte shtyrë seancën, ajo i hapi dyert, dhe ne si deputetë, si përfaqësues të vullnetit të popullit, u ulëm aty ku është vendi ynë, dhe thamë atë për të cilën jemi zotuar para qytetarëve të Republikës, dhe kjo është drejtësia ligjore, të drejtat e qytetarëve, nevoja për zhvillim ekonomik, për tejkalimin e krizës e më pas për formimin e qeverisë e cila do ta kishte prioritet zhvillimin ekonomik, luftimin e krimit të korrupsionit e kështu me radhë.
 
 Cila nga partitë e bllokut do të lëshojë pe dhe do të shkojë në takim me PDK-në, apo do të shkoni bashkë?
 Ne jemi 120 deputetë që e kemi dhënë betimin dhe këta 120 deputetë e kanë vendin në sallën ku mbahet seanca konstituive e më pastaj edhe seanca plenare. Ata mund të vijnë në seancë të kuvendit, dhe aty do të debatojmë, sepse aty është vendi i debatit për deputetët. Takimet mes liderëve do të ishin të padrejta dhe jashtëinstitucionale. Ata që janë bërë deputetë nga PDK-ja le të vijnë në sallën e Kuvendit dhe aty le të flasin. Por ata nuk e duan Kuvendin. Ata e duan me çdo kusht dhe për çfarëdo çmimi mbetjen e tyre në Kuvend. Mirëpo, Republika jonë është Republikë Parlamentare. Në parlament është vendi për debat, dialog e diskutim. Sot nuk e shfrytëzuan mundësinë, por do ta kenë prapë javën e ardhshme.
 
Meqë e keni shumicën, pse nuk po i formoni institucionet? 
Ne sot mbajtëm këtë seancë kuvendi ku treguam vullnetin tonë për të dalë nga kriza dhe do ta kemi seancën në javën e ardhshme do të zhvillojmë debatin e plotë në situatën e krijuar dhe më pas natyrisht do t’i ndërmarrim edhe hapa e mëtutjeshëm në mënyrë që bashkëqendrimi i këtyre katër subjekteve që kanë nënshkruar marrëveshje më 10 shtator të shndërrohet edhe në bashkëpunim e bashkëveprim. Kjo do të bëhet në ditët dhe javët na vijim.
 
Takimet me presidenten a do të sjellin rezultate?
 Ne po jemi bashkëpunues në këto takime. Po ftohemi dhe po vijmë. Por, këto janë takime të përsëritura sepse nuk ka asgjë të re në takime të tilla. Besojmë se është koha e fundit për takime të hapura pa dyer të mbyllura që duhet të ndodhin në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
 
Nëse kryesuesja thërret seancë para se ta thirrni ju, a do të shkoni?
 Nëse e keni lexuar me vëmendje përgjigjen e kryesues, ajo tash mund të thotë çfarë të dojë, por është një fjali në fund që e bën të qartë se nuk e ka ndërmend të thërras seancë pa marrëveshje të liderëve. Ata duan që në marrëveshjen tonë të 10 shtatorit të vihet edhe një nënshkrim shtesë, nënshkrimi i atij që është kryeministër në ikje, përkatësisht ish kryeministrit.
 
Ne e kemi marrëveshjen tonë, ne jemi shumicë parlamentare, vullneti dhe e drejta e së cilës nuk do duhej të pengohej më. Zonja kryesuese Brovina, e cila është në pozicionin e saj si kryesuese për shkaqe teknike, do të duhej që të reflektonte sepse ka zhvillime të reja. Ajo ka thënë që nuk e ka ndërmend të vazhdojë me thirrje të seancave ndërkaq ne po i mbledhim nënshkrimet që të mos lejojmë që kjo qeveri e cila e ka bllokuar Kosovën, duke e bllokuar veten në pushtet, të na e bllokojë edhe Kuvendin si organin më të lartë politik.
 
A do t’i jepni përparësi shumicës parlamentare para vendimit të gjykatës kushtetuese (deklarata e Enver Hasanit)? 
Unë e kam kuptuar që ka tendencë të vazhdueshme që PDK të bëhet kategori kushtetuese, pra të futet si një entitet kushtetues në Republikën e Kosovës por kjo nuk duhet të ndodhë dhe nuk do të ndodhë. Kryesuesi i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një deklaratë politike dje dhe gjithashtu kjo paraqet një shkelje. Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese e njoh nga e kaluara kur ka qene profesor e rektor, por për të mund të them personalisht meqë e ngrite si çështje se ai është tepër cinik për të qenë gjykatës. Përderisa në vendet e zhvilluara demokratike gjykatësit janë personalitete me cilësitë më të larta etike, ky nuk është rasti në Kosovë. Për shkeljen më të vogël, cilido gjykatës në vendet e zhvilluara demokratike zmbrapset, tërhiqet, dorëhiqet e kështu me radhë. Ne jemi republikë parlamentare dhe nuk mund të kemi një klub arbitrar të ekspertëve që dhunojnë vullnetin e qytetarëve duke shpërfillur deputetët e Kuvendit të Republikës.
 
Aktgjykimi i gjykatës kushtetuese është jo vetëm i papranueshëm, është absurd. Në njërën anë thotë se pa u konstituuar kuvendi nuk ka grupe parlamentare, e në anën tjetër thotë që grupi më i madh parlamentar është PDK. Pra, bëhet fjalë për tendencë që PDK-në ta shndërrojë në kategori kushtetuese, pra edhe një dëshmi më shumë se shteti i Kosovës është i kapur.
 
A jeni në konsulta me minoritetet për seancën e radhës?
Ne i kemi ekipet tona punuese që e kanë përgatitur tekstin për seancën në javën e ardhshme dhe natyrisht që ato ekipe punuese do të merren edhe me thirrjen e deputetëve që të marrin pjesë në seancën e radhës dhe jo të bëhen edhe më tutje ndërprerje seancash për t’u paralajmëruar vazhdime që shtyhen në mënyrë që asnjëherë kuvendi i republikës të mos konstituohet.
 
Ata që e kanë kapur shtetin duke e mbajt veten me çdo kusht në pushtet, nuk duan që Kosova të ketë Kuvend. Ne jemi Republikë Parlamentare, ata duan Republikë Qeveritare. E në Republikë Qeveritare ka tepër shuam qeveri, e tepër pak Republikë. Ne duam ta ndryshojmë këtë gjendje dhe largimi i kësaj partie shtet nga pushteti dhe funksionaliteti e konstituimi i institucioneve janë praktikisht e njëjta gjë e thënë në dy mënyra të ndryshme.  
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Shiste kanabis të ndarë në doza në Tiranë, arrestohet 33-vjeçari

Shiste kanabis të ndarë në doza në Tiranë, arrestohet 33-vjeçari