S'ka marrëveshje në Bruksel, por 'plani franko-gjerman' pranohet nga palët! Borrell: Zhvillim i madh! Vuçiç: Kosova s’pranon Asosacionin! Kurti: Serbia s’ishte e gatshme të firmoste

BRUKSEL- Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në tryezën e bisedimeve ishte propozimi i BE-së, i titulluar "Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë".

Në deklaratën e Borrell pas takimit, ai tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

"Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave", tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin mars.

Propopozim-marrëveshja që u bë publike pas takimit, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Marrëveshjet e deritashme përfshijnë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë. Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiç insiston në themelimin e tij. Pas takimit, Kurti konfirmoi se palët kanë rënë dakord për përmbajtjen e propozimit evropian.

"Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen", tha Kurti.

"Unë nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për të nënshkruar. Unë mendoj se është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam", shtoi ai.

Vuçiç, në anë​n tjetër, tha se takimi me Kurtin ka qenë "i vështirë". Ai tha se nuk u fol për miratimin ose mosmiratimin e propozimit të BE-së, por "për krijimin e planit të zbatimit".

"Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme", tha ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.

'Mendoj se është e rëndësishme që deklarata e BE-së të përfshijë domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht, insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se zoti Kurti nuk ka qenë i gatshëm ta pranojë tani. Do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen.'- tha Vuçiç.

Përpara takimit të përbashkët, Kurti dhe Vuçiç u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë, si dhe me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Karakteristikat e propozimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 shkurt në Kuvend lexoi “disa karakteristika” të versionit të parë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore p.sh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore. Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar në vitin 1973 që marrëveshja gjermano-gjermane ngërthente më vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.

Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.

Propozimi, gjithashtu, përcaktonte njohjen nga palët, të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale si OKB, UNESCO apo NATO.

Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyrave të përhershme diplomatike në formën e legatëve që janë ambasada faktike e që përbënin formën normale të marrëdhënieve ndërshtetërore para Luftës së Dytë Botërore.

Propozimi përmbante njohjen e dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave të njëra-tjetrës nga njëra-tjetra.

Propozimi, megjithatë, përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: E para, normën që e përcaktonte komuniteti serb, do të ketë një të drejtë të vetëmenaxhimit në përputhje me instrumentet, konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare në Këshillin Evropës.

Dhe, e dyta, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në Ligjin tonë për komunitetet fetare në Kosovë.

Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:52
Publikohet për herë të parë zyrtarisht plani franko-gjerman, kjo është përmbajtja me 11 nene

1677526713_gfdsa.JPG

Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përmban gjithsej 11 nene.

Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së.

Palët e dakorduara,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje.

Ora 22:35
PDK: Kurti dhe pala serbe janë pajtuar për planin evropian që përmban Asociacionin

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se ajo që deklaron ndërmjetësi është më afër së vërtetës. Ajo ka thënë se Kryeministri Kurti, edhe pala serbe janë pajtuar për planin evropian, i cili e përmban Asociacionin dhe marrëveshjet e mëhershme.

‘Nga përvoja, ajo çka deklaron ndërmjetësi është më afër së vërtetës. Pra edhe Kryeministri Kurti, edhe pala serbe janë pajtuar për planin evropian, i cili e përmban Asociacionin dhe marrëveshjet e mëhershme. Fazat e implementimit do të dakordohen në takimet e radhës.’- tha Çitaku.

Ora 21:04
Kurti: Takimi pozitiv, propozimi evropian i pranueshëm! S'e nënshkrova, sepse Serbia s'ishte e gatshme ta nënshkruante

1677528321_gargtr.JPG

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka folur pas takimit në Bruksel. Kurti ka thënë se nuk ka nënshkruar asgjë, sepse Serbia nuk ishte e gatshme ta bënte një gjë të tillë. Pas takimit, Kurti tha se në bisedimet në Bruksel, palët u pajtuan për përmbajtjen e propozimit evropian.

“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti.

“Unë nuk kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte i gatshëm për të nënshkruar. Unë mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, shtoi ai.

I pyetur se pse në takimin në Bruksel nuk u nënshkrua ndonjë marrëveshje, Kurti tha se ishte Serbia që “nuk ishte e gatshme për të nënshkruar”.

“Unë mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, shtoi ai.

Sa i përket gatishmërisë së tij për të zbatuar marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se për këtë ka folur më herët.

“Ai është neni 10, është fjalia e fundit e praktikisht nenit të fundit dhe për këtë gjë tash jam përgjigjur”, tha ai për gazetarët në Bruksel.

Ora 20:37
Borrell: Kurti e Vuçiç janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime tjera për planin evropian

1677526713_gfdsa.JPG

Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, konferencën për media ka thënë se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç kanë rënë dakord se nuk nevojiten diskutime tjera për planin franko-gjerman.

Të dy liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme. Jam i gëzuar të lajmëroj që Kurti dhe Vuçiç janë pajtuar që jo më shumë diskutime janë të nevojshme për propozimin evropian, i cili ka titullin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Le të kuptohet se Kurti e Vuçiç e kanë pranuar përfundimisht planin franko gjerman. Teksti i propozimit do të publikohet shumë shpejt. Fokusi i takimit ka qenë që të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një zhvillim i madh sepse nga vera e kaluar jemi përfshirë në menaxhime krizash, me fokus vetëm në kriza, nga kriza në kriza, duke tentuar që t’i kontrollojmë krizat në terren. Ne tani po kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme. Ky propozim, i Bashkimit Evropian, është i miratuar nga Këshilli i Evropës dhe që nga atëherë ne jemi angazhuar në një shuttle-diplomaci intesive. Lajçak ka udhëtuar rregullisht, ka qenë 10 herë në Prishtië dhe 8 herë në Beograd", tha ai. 

Ai po ashtu njoftoi se nga mesi apo fundi i marsit do të mbyllin tërësisht procesin.

Ora 20:34
Takimi i radhës Kurti-Vuçiç do të mbahet në Maqedoninë e Veriut më 18 mars

1677526549_gsgaa.JPG

Takimi i radhës i kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq do të mbahet me 18 mars.

Vendtakimi ndërkaq do të jetë në Maqedoninë e Veriut. 

Ora 20:19
S’ka marrëveshje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Burime nga mediat kosovare bëjnë me dije se takimi i radhës do të mbahet më 18 mars. Pas pak në një konferencë për media për të folur për takimin, pritet të dalë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Ora 19:57
Vuçiç reagon sërish: Takim i vështirë, por s’ka dorëzim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dërguar një mesazh nga takimi trilateral që po mbahet në Bruksel. Vuçiç ka thënë se ishte “takim i vështirë” dhe se “nuk do të ketë dorëzim”.  

‘Një takim i vështirë. Ashtu siç është pritur. Nuk ka dorëzim’, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Instagram.

Ora 19:57
Petkoviç: Nervozizëm i madh në bisedime

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se në takimin e sotëm në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “po thyhen shtiza” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Duke folur nga Brukseli për Televizionin Pink të Serbisë, Petkoviq tha se Kurti “po përpiqet në çdo mënyrë ta shmangë detyrimin për formimin e Asociacionit”, ndërsa Vuçiq “insiston pikërisht në të”.

“Kemi manovrime të Albin Kurtit dhe, në anën tjetër, presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili po lufton për Marrëveshjen e Brukselit për themelimin e Asociacionit. Për këtë po thyhen shtiza dhe ka një nervozizëm të madh. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të ditës”, tha Petkoviç, transmetojnë agjencitë serbe të lajmeve.

I pyetur nëse do të nënshkruhet ndonjë gjë sonte në Bruksel, ku po diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Petkoviç tha se sot “nuk është kurrfarë dite D”, duke iu referuar figurativisht ditës ku pritet të ndodhë diçka e rëndësishme. Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të formohet asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiç këmbëngul në themelimin e tij.

Propozimi i BE-së, për të cilin po diskutojnë palët, nuk e përmend në mënyrë specifike formimin e Asociacionit, por kërkon nga të dyja vendet që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ky dialog, i cili ka nisur në vitin 2013, ka prodhuar dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar. Kurti dhe Vuçiç e kanë pranuar në parim propozimin evropian./REL

Ora 18:55
Petkoviç zbulon detaje nga bisedimet nw Bruksel: Kurti po përpiqet të shmangë detyrimin për formimin e  Asociacionit.

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviç është deklaruar për takimin në Bruksel. Sipas tij,  Kurti po shmangë obligimin për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këto deklarata ai i bëri nga Brukseli në kohën e pushimit pas takimit me Josep Borrell dhe Vuçiç.

“Kurti po përpiqet në çdo mënyrë të shmangë detyrimin për formimin e  Asociacionit. Ai e bën atë në mënyra të ndryshme dhe me truke të ndryshme. Presidenti Vuçiq po lufton dhe po insiston në Asociacion, sepse është obligim i Prishtinës që ekziston për 10 vjet”, ka theksuar ai.

 

Ora 18:48
Takimi Kurti – Vuçiç, Borrell: Pres qasje konstruktive nga palët

Pak para se të nisë takimi, shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka postuar disa fotografi nga takimi ku shkruan se shpreson një qasje konstruktive nga palët.

“I urova mirëseardhjen Presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të Dialogut Beograd - Prishtinë.

Në rendin e ditës: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj për një qasje konstruktive nga të dy palët”, shkruan Borrel.

Ora 18:46
Vuçiç para takimit në Bruksel: Faleminderit të gjithëve që besuan në lidershipin e qeverisjen e Serbisë

1677493437_vucic.JPG

Tryeza e rrumbullakët e bisedimeve në Bruksel pritet të japë përgjigjen vendimtare të ecurisë së dialogut Kosovë-Serbi. Deri tani ka shpresa të pakta, por gjithësesi mbetet akoma kohë.  Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka falënderuar të gjithë ata që kanë pasur besim në lidershipin e tij e mënyrën e qeverisjes.

Sot rreth orës 17:00 në Bruksel ka filluar takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, me presidentin serb Vuçiç, me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borellin dhe të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak. Pak para fillimit të këtij takimi, Vuçiq ka reaguar me një foto në Instagram, ku ka falënderuar të gjithë ata që besojnë tek ai.

“Faleminderit të gjithëve që kanë besim në udhëheqjen e tyre shtetërore dhe që besojnë se do të bëjmë më të mirën për vendin tonë”, thuhet në profilin e tij në Instagram

Ora 17:04
Varhelyi pritet të shkojë në Beograd një ditë pas bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel! Do pritet nga Brnabiç

1677513945_brnabicvarheli.jpg

Një ditë pas takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, do të shkojë në Beograd.

Atje do të pritet nga kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, siç njoftoi zyra e qeverisë serbe për komunikim me media

Ora 17:01
Ambasadori suedez në Prishtinë për takimin Kurti-Vuçiç: Shans i vogël për lajm pozitiv nga Brukseli

1677513737_ksoove.JPG

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se ka një shans të vogël për lajm pozitiv nga takimi i kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, sot në Bruksel.

“Për dialogun e normalizimit, jam i sigurt se jeni në dijeni se sot është një takim në Bruksel, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Kam vërejtur se ka pasur disa para-negocime në media, dhe kryeministri juaj ka thënë se dëshiron të fokusohet në propozimin franko-gjerman dhe jo të fokusohet në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse presidenti Vuçiq tha se ai dëshiron të shohë themelimin e Asociacionit përpara se të diskutohet propozimi franko-gjerman. Nuk më takon mua të diskutoj se çfarë do të ndodhë sot. Mendoj se ka një shans të vogël për një lajm pozitiv sot nga Brukseli. Pra, le të shpresojmë që qëndrimi i Bashkimit Evropian për këtë, përfshirë Suedinë dhe SHBA-në, është se të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen. Ideja është se nuk mund të zgjedhësh midis marrëveshjeve të mëparshme. Pse ka një qeveri të re, nuk do thotë se mund t’i injorosh të gjitha angazhimet e qeverive të kaluara, sepse atëherë duhet të filloni nga e para. Juve mund t’ju pëlqejnë, mund të mos ju pëlqejnë disa nga këto marrëveshje, por ju duhet të jeni në gjendje t’i zbatoni ato marrëveshje”, tha ai.

Ai përmendi edhe dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku tha se Suedia e cila kryeson presidencës e Këshillit të Evropës është duke vazhduar konsultimet me 27 vendet anëtare të BE-së dhe më pas të merr një vendim për këtë çështje.

“Ju e dini që Kosova ia dorëzoi presidencës çeke aplikacionin për aplikim në BE vitin e kaluar, në mes të dhjetorit. Ne do ta çojmë procesin përpara duke ndërmarrë konsultime të kujdesshme me të gjitha shtetet anëtare tani, duke filluar nga të ashtuquajturit shtetet mosnjohëse. Ambasadori suedez në Bruksel i udhëheq këto konsultime dhe ato janë ende duke vazhduar. Ne kemi konsultimet e para me shtetet mosnjohëse dhe tani po bëjmë konsultime me të gjitha shtetet e tjera anëtare. Asgjë më shumë se kjo unë nuk mund të zbuloj veçanërisht jo me mediat këtu në këtë sallë, por konsultimi është duke vazhduar, dhe pyetja kryesore është nëse presidenca suedeze e BE-së duhet t’ia dorëzojë apo jo Komisionit Evropian kërkesën për anëtarësim në BE, d.m.th. kjo është pyetja kryesore, por kjo është në të vërtetë, kjo nuk varet nga presidenca suedeze e BE-së, ne duhet të konsultohemi me të gjitha shtetet anëtare dhe më pas të marrim një vendim. Pra, ne do të kemi një rol shumë neutral gjatë presidencës suedeze të BE-së”, shtoi Westerlund.

Ai nënvizoi se ardhmja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, derisa tha se të njëjtat duhet të fokusohen në forcim të sundimit të ligjit dhe reformat shtetërore./KosovaPress

Ora 16:35
Pas Kurtit, Vuçiç takon zyrtarët evropianë

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën në takim presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Paraprakisht, ata u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pas orës 17:00 pritet një takim i përbashkët mes tyre. Deri më tani nuk ka ndonjë deklarim për mediat.

Ora 15:15
Nis takimi i Kurtit me Borrell dhe Lajçak në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti ka nisur takimin me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak. Takimi ka filluar nga ora 15:00, sipas agjendës së publikuar nga BE. Pas takimit me Kurtin, dy zyrtarët europianë do ta presin presidentin serb Vuçiç. Ndërkaq, pason një takim i përbashkët mes dy zyrtarëve europianë dhe udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

Ora 14:07
Ambasadori i SHBA-ve në Serbi s’ka iluzione se mund të ketë rezultate të shpejta në dialog mes Beogradit dhe Prishtinës

1677503273_hiklk.JPG

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë të hënën se takimi në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq tregon se Bashkimi Evropian po tenton të gjejë një zgjidhje që u përshtatet të dyja palëve në të ardhmen.

“Procesi i Brukselit nuk mund t’i gëzojë ata që presin rezultat të kënaqshëm menjëherë. “Dua ta theksoj se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë duke punuar ngushtë në këtë çështje dhe jemi shumë të përkushtuar në këtë temë”, ka thënë mes tjerash Hill.”, ka thënë Hill.

Ora 13:55
Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, BE: Presim qasje evropiane për të arritur përparim në dy vendet

1677502589_qasua.JPG

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka thënë të hënën se blloku evropian pret qasje evropiane nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksadanar Vuçiç, në rrugën drejt marrëveshjes finale.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen në pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson BE-ja.

I pyetur për pritjet nga ky takim, Stano ka thënë se nuk mund të parashikohet diçka e tillë.

“Gjithçka varet nga gatishmëria e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq që të pajtohen për rrugën përpara".

Ai ka theksuar se BE-ja është vetëm ndërmjetësuese në dialog dhe se përparimi varet nga gatishmëria e palëve.

“Pritjet e BE-së nga liderët e të dyja shteteve, shefat negociatorë, përfaqësuesit, është qasja evropiane që u mundëson atyre të gjejnë forcën, kurajën, gatishmërinë për kompromis evropian, në të mirë të popujve të tyre dhe në interes të perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë”.

Ora 12:49
Kurti para takimit me Vuçiqin: Pika kryesore e marrëveshjes, njohja reciproke

1677362414_ClimateChange21068x6011.jpg

Kryeministri Albin Kurti, ka folur pak para nisjes për takimin e sotëm në Bruksel me BE-në dhe presidentin e Serbisë, Alekandër Vuçiç. Duke folur për Euractiv, Kurti është shprehur se është e domosdoshme normalizimi i marrëdhënieve dhe se kjo mund të arrihet me njohjen reciproke.

 “Ne kemi nevojë për normalizim të marrëdhënieve dhe kjo mund të arrihet me njohjen reciproke si pikën kryesore. Beogradi ka qenë i bindur se nuk do ta njihte zyrtarisht pavarësinë e ish-krahinës, megjithëse mund të pajtohet për një njohje ‘de facto’”, tha Kurti në një intervistë meEuractiv. Ndërsa në lidhje me afatin kohor i cili është përcaktuar në propozimin e BE-së, Kurti thotë se synimi i kësaj marrëveshje është të arrihet gjatë këtij viti.

Sigurisht që synimi është që kjo marrëveshje të arrihet këtë vit, Ajo që ka mbetur për të negociuar – dhe nuk do të jetë aspak e lehtë – është një mekanizëm për zbatim, garanci ndërkombëtare dhe sekuencë kohore se çfarë, si dhe kur”, tha Kurti.

Ora 11:23
Pak para se të nisej në Bruksel për bisedime, Vuçiç mesazh opozitës serbe: S’jemi tradhtar nëse nënshkruajmë diçka! Do luftoj që Serbia të ecë përpara, s'ka kthim në vitet '90

1677493437_vucic.JPG

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka ndarë një mesazh pak para se të nisej për bisedimet në Bruksel. Vuçiç iu drejtua me një mesazh opozitës, e cila e ka vënë në qendër të kritikave për propozimin franko-gjerman dhe ecurinë e dialogut me Kosovën. Vuçiç nënvizon se nuk janë tradhtar nëse firmosin dhe se Serbia do të ecë përpara.

“Dua të falënderoj atë pjesë të popullit në Serbi, e cila nuk është e madhe, por që ka besim në udhëheqjen e saj shtetërore dhe beson se ne do të bëjmë atë që është më e mira për vendin tonë. Për ata që po përgatiten të na sulmojnë paraprakisht, se ne kemi nënshkruar diçka dhe sipas tyre jemi tradhtarë, dijeni se jemi fajtor. Jemi fajtor që nuk po kthehemi në vitet ’90. Por mos u shqetësoni, ne do kujdesemi për të gjitha.  Nuk do të ketë kapitullim dhe nuk do të ketë kthim në '90. Serbia do të ecë përpara, sado e vështirë të jetë dhe ne do të arrijmë të luftojmë për të - tha presidenti.

Ora 10:39
Bisedimet vendimtare Kosovë-Serbi në Bruksel, çfarë parasheh plani franko-gjerman

1677490811_gj.JPG

Propozimi franko-gjerman pritet të diskutohet sot në Bruksel me Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në ndërmjetësimin e BE-së me përfaqësuesit Borrel dhe Lajçak. Po çfarë parasheh plani franko gjerman për të cilin sot pritet të merret një vendim i prerë.

Karakteristikat e propozimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 shkurt në Kuvend lexoi “disa karakteristika” të versionit të parë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto karakteristika, sipas Kurtit, janë:

1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore p.sh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore. Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar në vitin 1973 që marrëveshja gjermano-gjermane ngërthente më vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.

2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.

3. Propozimi, gjithashtu, përcaktonte njohjen nga palët, të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale si OKB, UNESCO apo NATO.

5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyrave të përhershme diplomatike në formën e legatëve që janë ambasada faktike e që përbënin formën normale të marrëdhënieve ndërshtetërore para Luftës së Dytë Botërore.

7. Propozimi përmbante njohjen e dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave të njëra-tjetrës nga njëra-tjetra.

8. Propozimi, megjithatë, përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: E para, normën që e përcaktonte komuniteti serb, do të ketë një të drejtë të vetëmenaxhimit në përputhje me instrumentet, konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare në Këshillin Evropës.

Dhe, e dyta, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në Ligjin tonë për komunitetet fetare në Kosovë.

9. Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Ora 10:28
Çitaku: Kurti sot nënshkruan Asociacionin për të cilën ai dhe partia i tij e kanë sulmuar Kuvendin

1677490197_560311aljbinkurtiivljoracitakuf.jpg

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se sot merr fund kauza e kryeministrit, Albin Kurti me të cilën arrit në pushtet. Ajo ka thënë se sot Kurti do të nënshkruan zotimin për zbatimin e Asociacionit.

“Sot merr fund kauza e fundit me të cilën Kryeministri Kurti u ngrit dhe për të cilën ai dikur i shpallte të tjerët tradhtarë e patriotë. Sot Kryeministri e nënshkruan zotimin për zbatimin e Asociacionit. Njeriu i cili thoshte se presionit i nënshtrohen vetëm të shantazhuarit, sot nënshkruan marrëveshjen për të cilën ai dhe subjekti i tij e kanë sulmuar Kuvendin, kanë hedhë gaz lotsjellës. Kaq për kauzat e Kryeministrit.” – ka shkruar ajo në Facebook.

Ora 09:24
DASH: Propozimi i BE-së, mundësi për popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë

1677486311_dash.JPG

Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Duke cituar bllokun evropian, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE.

“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”.

Këshilltari i lartë i këtij departamenti, Derek Chollet, ka thënë një ditë më parë se Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm në takimin që do të zhvillohet të hënën në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alekesandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel. SHBA-ja pret përparim të dukshëm nga takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel Ai i ka bërë këto deklarata pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me Vuçiqin./REL

G.MO/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Blenard: 27/02/2023 22:19

    Kjo esht qe te rivrasesh gjithmon dhe me shekuj popullin shqiptar ska asocacion vetem per serbet nese po atehere lugina e preshevesh 120000 duhen te krijohet asocazion shqiptaresh ne maqedoni gjysma e maqedonis jan shqiptar pse nuk behen asecasione pse e shtypni gjithmon popullin shqitar ??? Politikanet shqipeyar kudo ne ballkan jan kot barkederra te pangopur e hajduta sdin e skan sesi te vlersoin cdo te thot Atedhe!

    Përgjigju
  • Arbërori: 27/02/2023 22:10

    I madhi Albin Kurti nuk bie në grack ashtu si e mendon Vucici fashist dhe Edvin shkjau shqipfolës …balkani serborus do ia fut litarin në fyt Edvin tradhtarit,por dëmin do e paguan prap populli Shqiptarë…!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur