Vuçiç pretendon se për shkak të Kurtit s’do të mbahen zgjedhjet në veri të Kosovës

Vuçiç pretendon se për shkak të Kurtit s’do të mbahen zgjedhjet në veri të Kosovës

Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të premten se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse, siç u shpreh ai, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron t'i lejojë serbët të kenë të drejta elementare”.

"Perëndimi do të thotë se nuk ka mundësi për t'i bërë presion Kurtit dhe do të lëshojë një deklaratë. Tashmë ka pasur një deklaratë nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, dhe kaq", tha Vuçiç në Dubai, ku po merr pjesë në Samitin e liderëve për ndryshimet klimatike, raporton Beta.

Ai tha se “Kurti insiston ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”.

"Ne duhet ta njohim Kosovën në mënyrë që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Pikë. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Dhe, këtë e dinë të gjithë në Serbi dhe në Evropë. Është mirë që ata do të reagojnë për këtë, por ne nuk do të kemi asgjë nga ai reagim”, tha Vuçiç.

Më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një letër dërguar shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, kishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të posaçme, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës për komunitetin serb të Kosovës muajin e ardhshëm, në mungesë të një kërkese zyrtare nga autoritetet serbe për këtë.

Duke iu përgjigjur zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), i cili kritikoi Kosovën për ndalimin e mbajtjes së atyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës, Bislimi tha se përpjekja për organizimin e zgjedhjeve të “një shteti tjetër në Kosovë” pa kërkesë paraprake, nuk është në frymën e dialogut.

Sipas një praktike që daton nga viti 2017, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja. Më pas, ato vota janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytetet kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar. Më 2022, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ishte thënë se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë direkte Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në territorin e saj.

Në prill të atij viti janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës. Si rezultat, serbët e Kosovës janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë, për të votuar.

Në janar të atij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë, përmes së cilës u kundërshtua mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese. Vendet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Italia dhe Franca – dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje miratimin e rezolutës.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe. Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, ishin ato të 21 qershorit të vitit 2020./REL

S.S/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 02/12/2023 03:26

    Kosova eshte e pavarur,nese deshiron vota nga serbet e Kosoves per parlamentin e Serbise,vetem me dy menyra mund t'i kesh:1-ose me poste,2-ose me vajtjen e serbeve te Kosoves te votojne fizikisht ne Serbi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë