Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte sot në inaugurimin e Qëndrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike. Kurti gjatë inaugurimit u shpreh se kemi një fqinj agresiv si Serbia, por kjo sipas tij nuk i bën të trembur por të kujdesshëm.
“Pata nderin bashkë me komandantin e Sigurisë së Kosovës të shoh edhe këta 15 kamionë multifunksionalë të firmës gjermane që i kemi përfshirë tashmë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. 10 prej tyre i kemi blerë me buxhetin e shtetit, 5 janë donacion. Pra ky është partneritet që po bëjmë. Edhe marrim donacion edhe blejmë në mënyrë që integriteti territorial, sovraniteti e siguria e qytetarëve të jetë e pacenueshme. Ne e kemi pas të qartë që fqinj jonë verior është agresiv, është nevrik, mirëpo kjo na bënë të kujdesshëm, assesi të frikësuar”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës u shpreh se po bëhen përgatitje maksimale për çdo rrezik prandaj u përurua edhe kjo Qëndër shtetëore për sigurinë kibernetike.
“Konfliktet nuk janë ndër-etnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm në lindje të Evropës janë në rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA-ja nuk mund ta dijë askush. Ajo çfarë bëjmë ne është që ne përgatitemi maksimalisht atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, ka thënë tutje ai.