TIRANË- Shtatë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, votuan Klodian Brahon pasues të Altin Dumanit në krye të SPAK-ut. Prokurori, i cili prej 19 dhjetorit kur Dumani dorëzon detyrën do të marrë drejtimin e Strukturës së posaçme Anti-korrupsion, mori shumicën e votave të 11 anëtarëve në një seancë të gjatë publike në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

 Pas tij, 3 vota të anëtarëve arriti të marrë Adnand Xholi, dhe vetëm 1 votë, Elvin Gokaj. Kandidatja e katërt, e vetmja grua që synoi drejtimin e SPAK-ut, Doloreza Musabelliu, nuk mori besimin e asnjë anëtari të KLP-së.

Zgjedhja e kreut të ri erdhi menjëherë pasi për gati 6 orë të 4 kandidatët prezantuan platformat me prioritetet e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.

"Duhet të merren masa për krijimin e një njësie taktike që për çështje të caktuara, BKH ta realizojë vetë ekzekutimin e masave të sigurimit”, tha Braho.

“Sfida është që institucioni i SPAK të maturohet dhe të kalojë në pikën e pakthyeshme mbrapa. Të jetë institucioni që t’i imponojë njerëzve standard. Kjo realizohet dujke ruajtur pavarësinë e institucionit, pavarësinë e prokurorëve dhe duke u rritur dhe maturuar me standarde më të mira”, tha Braho. 

Përzgjedhja e kreut të një prej institucioneve që është vënë në qendër të me vëmendjes, jo vetëm të opinionit publik e politikës në Shqipëri, por edhe të ndërkombëtarëve, u ndoq nga afër në sallë gjatë gjithë seancës maratonë, nga krerët e selive diplomatike në Tiranë, SHBA,-së, ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe Britanisë së Madhe.  Në fund ishte ambasadori i BE-së ai që përshëndeti zgjedhjen e Brahos.

“SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Është një nga kërkesat kyçe për në BE. Dje thamë që ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integritet. Uroj z.Braho dhe që mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim", tha Gonzato.

Kreu i SPAK e ka mandatin 3 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, të parin drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, tashmë do të jetë prokuror në SPAK, deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani e mbyll ciklin e drejtuesit mes kërkesave të vazhdueshme për t’i dhënë mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK.

 VOTIMI I KLP PËR KREUN E SPAK
Anëtarët e KLP që e votuan
Moisi Duda
Olger Eminaj
Mirela Bogdani (Kryetare e KLP)
Ledina Riza
Erind Gërmenji
Zeqir Hoda
Arta Mandro
ADNAN XHOLI 3 VOTA
Anëtarët e KLP që e votuan
Sokol Stojani
Erind Mërkuri
Vatë Staka
ELVIN GOKAJ 1 VOTË
Anëtarët e KLP që e votuan
Erion Fejzulla
DOLOREZA MUSABELLIU 0 VOTA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:22
Klodian Braho kreu i ri i SPAK, ja si votuan 11 anëtarët e KLP-së

Këshilli i Lartë i Prokurorisë finalizoi sot garën për kreun e ri të SPAK duke i dhënë shtatë vota pro, Klodjan Brahos, i cili u shpall fitues mes katër kandidatëve. Procesi u zhvillua pas intervistave publike, ku secili prej prokurorëve të posaçëm prezantuan vizionin dhe programin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.

Më poshtë si votuan anëtarët e KLP
Sokol Stojani votoi për Adnan Xholin 
Mojsi Duda votoi për Klodian Brahon 
Olger Eminaj votoi për Klodian Brahon
Erind Mërkuri votoi për Adnan Xholin
Mirela Bogdani votoi për Klodian Brahon
Vatë Staka votoi për Adnan Xholin 
Ledina Riza votoi për Klodian Brahon
Erind Gërmenji votoi për Klodian Brahon
Zeqir Hoda votoi për Klodian Brahon
Arta Mandro voti për Klodian Brahon
Erjon Fezullah votoi për Elvin Gogaj
Ora 15:07
Mbyllet pas 6 orësh mbledhja e KLP-së për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, pritet votimi

1765461462_mbledhjaeklp.jpeg

Mbledhja e KLP-së për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK që do të pasojë Altin Dumanin. Të 4 kandidatët Adnan Xholi, Klodian Braho, Elvin Gokaj e Doloreza Musabelliu prezantuan para KLP-së platformën e tyre dhe tashmë pritet procesi i votimit.

Ora 14:53
‘Prokurorët e SPAK s’mund të bëjnë jetë normale’, Braho: Kur shkojmë në lokal kontrollojmë kush e ka

 

Kandidati për drejtimin e SPAK, Klodian Braho tha para anëtarëve të KLP-së se prokurorët  nuk bëjnë një jetë normale, por kanë disa kufizime. Ai tha se madje kontrollojnë edhe në pronësi të kujt është një lokal nëse do të shkojnë.

“Prokurorët s’mund të bëjnë jetë normale si të gjithë të tjerët. Aq edhe sa shkojmë në një lokal e kontrollojmë në QKB kush e ka. Ajo që mund të them është që unë përpiqem të mos e ndryshoj mënyrën tim të jetesës, sepse në të kundërt do kthehej në një situatë negative. Përpiqem ta mbaj punën larg shtëpisë, të mos ndryshoj mënyrën time të jetesës, por duke respektuar një sërë kufizimesh”, tha Braho.

Ora 14:44
Sfida më e madhe e SPAK? Kandidati Klodian Braho: Të mos kthehet pas

 

Kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho u shpreh se sipas tij sfidë për SPAK mbetet fakti që të jetë institucioni që t’i imponojë njerëzve standard

“Sfida është që institucioni i SPAK të maturohet dhe të kalojë në pikën e pakthyeshme mbrapa. Të jetë institucioni që t’i imponojë njerëzve standard. Kjo realizohet dujke ruajtur pavarësinë e institucionit, pavarësinë e prokurorëve dhe duke u rritur dhe maturuar me standarde më të mira”, tha ai, duke shtuar: “Nuk e mendoj që hetimi i një çështje sjell problem në stabilitetin e një vendi. Pra nëse do kishte një stabiliteti i vendit nuk komentohet me këshilla apo vendime. Në çështjet që kam patur nuk e kam ndjerë ndonjëherë këtë gjë. Një vepër penale nuk mund të mbulohet me asnjë arsyetim tjetër”, tha Braho. 

Ora 14:42
‘Nga Dumani do merrja proaktivitetin, nga Kraja qetësinë’, Braho: Në cilësinë e drejtuesit të SPAK do isha i vendosur

 

Kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho para anëtarëve të KLP tregoi se çfarë cilësish do të merrte nga Arben Kraja dhe Altin Dumani.

“Nga Dumani do merrja proaktivitetin dhe vendosmërinë. Edhe nga Kraja do merrja qetësinë në kryerjen e detyrës. Jam në një pozitë që po më kërkoni të përgjigjem për dy drejtues, kanë ushtruar të dy të njëjtën detyrë institucioni nuk ka qenë i njëjti. Institucioni mund të ishte më aktiv në atë periudhë edhe pse çështjet duan kohën e tyre, nuk ishte një periudhë as 3 vite. Viti i parë ishte krijimi, ngelen vetëm 2 vite. 2 vite çështjet duhen të piqen. Dumanit do i merrja anën e proaktivitetit.

Do merrja tiparet e mira të të dyve proaktivitetit, vendosmërisë, qetësisë që të bëja kombinim më të mirë të dyve. Është fat kur i ke kolegë dhe sidomos kur ke çështje të përbashkëta dhe mësojmë nga njëri tjetri”, tha Braho.

Nëse do drejtonte SPAK, ai tregoi se do karakterizohej nga këto tre cilësi “proaktiviteti, vendosmëria dhe standardi”.

Ora 14:33
'Presione direkte dhe indirekte', Klodian Braho: Zgjidhja ime është vetëm zbatimi i ligjit

 

Gjatë prezantimit të platformës në KLP, kandidati për kreun e ri të SPAK Klodian Braho u pyet në lidhje me presionet dhe se si i ka menaxhuar.

Gjatë fjalës së tij ai tha se presione ka pasur në forma direkte apo indirekte, por zgjidhja e vetme për raste të tilla është vetëm zbatimi i ligjit.

"Edhe kem ndjerë presione direkt indirekt. Por jo vetëm tani sepse tani jemi në SPAK kemi mbrojtje, por edhe kur nuk i kemi pasur këto, ka një rregull cdo çështje e vështirë, ka një zgjidhje të thjeshtë, do të zbatosh ligjin sepse ajo është zgjidhje që nuk të lë të gabosh. Kjo ka qenë zgjidhja ime”, tha ai.

Ora 14:32
Cilat janë pikat e tua të forta dhe ato të dobëta? Ja si përgjigjet kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho

 

Kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho u pyet nga anëtarët e KLP edhe për pikat e tij të forta dhe të dobëta.

“Kam ndjekur në hetimet e lidhura me korrupsionin, kam që nga 2012 që merrem me veprat penale të lidhura me korrupsionin. Kam patur qartësinë dhe maturinë në kryerjen e hetimeve. Sa i përket pikës sime të dobët, do tregohem i sinqertë, prokuroria nuk ka qenë më parë siç është sot, as ne nuk kemi qenë të përgatitur për vëmendje publike, do thoja kjo është një nga pikat e mua të dobëta”, tha Braho.

Ora 14:26
Vizioni i Klodian Brahos: BKH ta realizojë vetë ekzekutimin e masave të sigurimit, Kod Etike për hetuesit

 

Nëse do të votohej për drejtimin e SPAK, prokurori Klodian Braho thotë se duhet të merren masat e nevojshme për krijimin e një njësie taktike, që për çështje të caktuara BKH ta realizojë vetë ekzekutimin e masave të sigurisë, pa Policinë e Shtetit.

“SPAK s’ka patur kapacitete për vëzhgimin e personave dhe realizmin e përgjimeve në vende private. Veprimtaria e SPAK dhe BKH ka qenë e kufizuar nga institucione të tjera si policia e shtetit. Duhet të merren masa për krijimin e një njësi me mjete teknike të nevojshme, trajnimin e personave përkatës. Duhet të merren masa për krijimin e një njësie taktike që për çështje të caktuara, BKH ta realizojë vetë ekzekutimin e masave të sigurimit”, tha Braho.

Po ashtu, Braho tha se parashikon të Kod Etike për hetuesit e BKH-së, përmes së cilit parashikohen deri procedime disiplinore.

“Kod Etike për hetuesit e BKH, sjelljet jo etike do vlerësohet si shkak për procedim disiplinor”, tha Braho.

Ora 14:17
Klodian Braho: SPAK përballet me volum të lartë çështjesh, duhet të krijohet një sektor për analizën e informacionit

 

Kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho propozon se nisur nga fakti që SPAK përballet me një volum çështjes, duhet të krijohet një sektor për analizën e informacionit.

“Kam vlerësuar që SPAK duke qenë se përballet me volum çështjeje komplekse, ka nevojë për krijimin e sektorit të veçantë të analizës së informacionit. Ky sektor duhet të grumbullojë dhe sistemojë informacionin kriminal, të kryejë analiza kriminale, të shërbejë për matjen e riskut për çështje me ndjeshmëri të lartë dhe të shërbejë për prodhimin e raporteve periodike, ngritja e këtij sektori është hap i domosdoshëm”, tha Braho.

Ora 14:07
Në garë për kreun e SPAK, Braho: Do forcoj luftën kundër korrupsionit e krimit! Në 2023 u konfiskuan 18.4 mln euro, sa dyfishi i buxhetit të SPAK

 

Kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho prezantoi në KLP vizionin e tij për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Braho tha se do të forcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa u ndal edhe në disa prej çështjeve që ka hetuar ndër vite si prokuror. Ai solli në vëmendje edhe konfiskimin e 18.4 mln euro në vitin 2023, duke thënë se kjo shumë ishte sa dyfishi i buxhetit të SPAK.

“Kam ndjekur disa çështje që lidhen me krimin e organizuar. Disa nga çështjet që u kam përshkruar janë zhvilluar para se të krijohej SPAK gjatë kohës kur kam qenë në Vlorë ose te prokuroria e krimeve të rënda. Në vitin 2023 janë konfiskuar 18.4 mln euro që i përkisnin një organizatë kriminale, kjo shumë është sa dyfishi i buxhetit të SPAK në 2023. Ky kandidim është angazhim për të forcuar më tej luftën kundër korrupsionit, duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

SPAK ka një kornizë strategjike të miratuar, plani strategjik, strategjia e komunikimit dhe strategjia për reduktimin e çështjeve të mbartura. Do marr masat për ndjekjen e zbatimit të këtyre dokumenteve të diskutuara dhe partnerët ndërkombëtar. Do garantoj zbatimin e parimit të barazisë para ligjit. Ky parim do gjejë zbatim edh enë regjistrime hetimeve parapake, duke shmangur perceptimet për drejtësi selektive. Do garantoj pavarësinë e prokurorëve të SPAK. Në cilësinë e drejtuesit nëse do zgjidhem, do mbështes secilin prokuror, të pandikuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm. Do merren masat që çdo çështje për korrupsion dhe krimin e organizuar të shoqërohet me hetim pasuror. Do organizohen trajnime të veçanta për hetuesit”, tha Braho.

Ora 13:29
Gara për kreun e SPAK/ Kandidati Gokaj: Pika ime e fortë është puna dhe integriteti

 

Prokurori Elvin Gokaj, një prej kandidatëve për drejtimin e SPAK, deklaroi se parimi kryesor i drejtimit të tij do të jetë integriteti dhe mbështetja e plotë e prokurorëve.

Ai u shpreh se përvoja e tij mbi 10-vjeçare në drejtimin e prokurorive në disa rrethe të vendit e ka mësuar rëndësinë e punës në grup dhe të pavarësisë profesionale brenda sistemit. Ai foli edhe për pikat e tij të forta dhe të dobëta.

“Pikat e mia të forta, puna, integriteti dhe mirënjohja ndaj njerëzve që punojnë dhe derdhin djersë për këtë vend. Pika e dobët janë programet kompjuterike që kanë avancuar, por me ndihmën ekspertëve do ta kalojmë këtë fazë”, tha Gokaj.

Ora 13:29
Garon për kreun e SPAK, Gokaj: Rritja e hetuesve është e domosdoshme! Nuk të bën askush presion nëse....

 

Kandidati për kreun e SPAK, Elvin Gokaj tha se rritja e hetuesve është e domosdoshme.

“Rritja e hetuesve është e domosdoshme, nëse do jepet mundësia edhe emërimin e disa këshilltarëve pranë prokurorëve. Sot ushtrojnë funksion në SPAK 20 prokurorë, kemi të ndarë me shefa seksionesh. Nëse unë do bëhem drejtues i SPAK do mendoj edhe shefat e seksioneve të futen në short”, tha Gokaj.

Ai foli edhe për presionet.

“Nuk mendoj se të bën dikush presion nëse nuk futesh në kontakt me të. E vetmja mënyrë për të mos bërë presion, është të mos biesh në kontakt me palët, të zbatosh ligjin dhe të rrish korrekt”, vijoi Gokaj.

Ora 13:19
Gokaj jep vlerësimin për Dumanin e Krajën: Kurrë s’kanë ndërhyrë në asnjë çështje, do jenë shembull për mua

 

Kandidati për kreun e SPAK, Elvin Gokaj u pyet nga anëtarët e KLP-së për Altin Dumanin dhe Arben Krajën. Gokaj i vlerësoi duke thënë se kurrë nuk kanë ndërhyrë në asnjë çështje dhe theksoi se kjo do jetë një karakteristikë që do ta ndjekë edhe ai vetë nëse do zgjidhet në krye të SPAK.

“Një nga karakteristikat që unë vlerësoj është se s’kanë ndërhyrë kurrë në asnjë çështje, asnjë ndikim nga drejtuesit për çështje konkrete dhe kjo do jetë edhe linja me që do ti qëndroj”, tha Gokaj.

Ora 13:13
Gara për kreun e SPAK/ Elvin Gokaj prezanton platformën: Ja katër shtyllat e vizionit tim nëse zgjidhem në krye të SPAK

Prokurori Elvin Gokaj prezantoi platformën e tij për drejtimin e SPAK. 

"Kam eksperiencë 26-vjeçare në sistemin e drejtësisë. SPAK duhet të mbetet institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrugëtimi im ka nisur në vitin 1999. Kam hetuar çështje të zyrtarëve të lartë publikë. Kam hetuar çështje me rrezikshmëri të lartë. Ngritjen e akuzës e kam bazuar vetëm në prova dhe duke kërkuar masa në proporcianalitet me objektin e hetimit. Bashkëpunimi im do bazohet në grup.

Shtyllat e vizonit tim janë:

  • Në luftën e pandërprerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimi
  • Në konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe shtimin e kapaciteteve njerëzve me ekspertë nga fusha të ndryshme
  • Në forcimi me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit organizuar dhe korrupsionit.
  • Forcimin e besimit tek publiku.

Këto do përbejnë thelbin e qasjes time ndaj drejtimin e SPAK.Do forcoj më tej bashkëpunimin dhe koordinimin me europol, interpol, agjencitë partnere si FBI dhe DEA si dhe do rritet mbështetja për skuadrat e përbashkëta hetimore”, tha ai.

Ora 13:11
Në garë për kreun e SPAK, Gokaj: Do ta udhëheq drejt një faze të re pjekurie

 

Kandidati për kreun e SPAK, Elvin Gokaj prezantoi para anëtarëve të KLP platformën e tij për drejtimin e SPAK.

“I gatshëm ti shërbej drejtësisë shqiptare dhe ta udhëheq drejt një faze të re pjekurie ku efikasiteti dhe llogaridhënia të jenë standarde. Drejtësia është e shenjtë dhe e pandarë nga integriteti dhe morali. Vetëm se bashku mund të ndërtojmë institucion që ruan pavarësinë dhe mbron të drejtat dhe liritë themelore të çdo qytetari. Zotimi im të konsolidoj SPAK, pavarësinë dhe besueshmërinë, që ky institucion vepron shpejt ty ku duhet dhe me masën e duhur. Ky ëhstë angazhimi im dhe vizioni që ofroj për drejtimin e SPAK.

Ora 12:58
‘Transparenca dhe llogaridhënia’, Musabelliu: Ja vizioni im për drejtimin e SPAK

 

Doloreza Musabelliu prezantoi para anëtareve të KLP platformën e saj për drejtimin e SPAK.

“Vlerësoj punën e prokurorëve, hetuesve, dhe bashkëpunimin me policinë e shtetit, vlerësoj se duhet të punohet për të përmirësuar më tej drejtimin e SPAK. Në thelb të vizonit qëndron fryma e ekipit, asnjë individ nuk mund ti arrijë rezultatit i vetëm. Vizioni im mbështetet në disa shtylla, transparenca dhe llogaridhënia. Deri më tani SPAK ka treguar nivel të lartë transparence dhe llogaridhënie, ndaj publikut dhe institucioneve partnere. Synimi im është që këto standarde të ruhen dhe të forcohen më tej. Transparenca dhe llogaridhënia janë dy koncepte që plotësojnë njëra-tjetrën.

Cilësua dhe shpejtësia e hetimeve. Për të garantuar rritje të cilësisë është thelbësor organizimi i takimeve periodike me trupën e prokurorëve për të evidentuar problematikat dhe ofrimin e zgjidhjeve, po aq i rëndësishëm motivimi për të përshpejtuar hetimet dhe për të reduktuar afatet e paraburgimit.

Menaxhimi i burimeve njerëzore mbetet një nga sfidat e prokurorëve të posaçëm. Përdorimi sa më efikas i burimeve njerëzore është domosdoshmëri. Në SPAK, krimi i organizuar ka çështje që shkojnë 100% me gjykim normal, i bie që gjatë javës një prokuror që shkojnë me gjykim normal, është i angazhuar me gjykimin dhe nuk i ngel koha për të ndjekur hetimin. Duhet parë ngarkesa e gjykimit që të bëhet një balancim dhe ndarjen e drejtë të ngarkesës mes prokurorëve. Kjo qasje do ndihmojë në shmangien e mbingarkesës.

Do të ndërmrren masa për forcimin e kontrollit të prkororëve mbi punën e oficerëve të BKH. Kjo do të garantojë rritjen e efektivitetit të hetimeve dhe forcimin e besueshmërisë së publikut ndaj institucionit.

Prokuroria e Posaçme do të vijojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar që do të përmirësohet vazhdimisht duke garantuar hetime cilësore. Rritja e numrit të procedimeve të nisura kryesisht është një tjetër pikë e rëndësishme. Hetimet proaktive e kthejnë institucionin aktor aktiv që godet nga fazat e hershme. Qëllimi do të jetë identifikimi në kohë i fenomeneve me potencial risku. Në fokusin tim do të jetë nxitja e hetimeve financiare që të kryhen paralelisht së bashku me hetime penale. Kjo qasje siguron jo vetëm ndëshkimin penal por edhe goditjen e bazës. Shtimi i rasteve të gjurmimit të produkteve të veprës penale, duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje. Do mbështes përdorimin e teknikave speciale të hetimit. Garantimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut është një nga shtyllat kryesore…Mbrojtja e të drejtave të njeriut është treguar i nivelit të lartë të institucionit”, tha ajo.

Ora 12:14
Doloreza Musabelliu nuk ndan Krajën nga Dumani: Secili ka bërë maksimumin e tij në krye të SPAK! Veten s’e krahasoj me asnjë...presioneve u bëj ballë

 

Edhe kandidatja për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu u pyet nga anëtarët e SPAK për një vlerësim për punën e Arben Krajës dhe Altin Dumanit. Musabelliu tha se është e vështirë të bëjë krahasimin mes drejtuesve pasi ata e kanë drejtuar SPAK në periudha të ndryshme.

“Të bësh krahasimet mes dy drejtuesve që kanë qenë në periudha të ndryshme është e vështirë. Kraja ka qenë në momentet e fillimit kur gjërat nuk ishin bërë ende funksionale, ne s’kemi pasur as godinë, kaluam deri te gjykata derisa u krijuan kushtet, nuk kishim akoma hetuesit, ishte periudha e COVID. Të bësh krahasim duhet të kesh kushte të njëjta. Për mua nuk ishin kushte të njëjta, secili ka bërë maksimum  e vet. I vlerësoj të d y, për kushtet që kanë pasur kanë bërë maksimumin e tyre. Do ishte e padrejtë”, tha Musabelliu.

Më tej ajo iu përgjigj se veten e saj nuk e krahason me askënd tjetër, pasi ka cilësitë e saj dhe bën me të mirën.

“Asnjëherë nuk e krahasoj veten time me një person tjetër. Unë bëj atë që mund të bëj, nëse kjo është më e mirë apo më keqe, unë bëj të mirën time”, vijoi ajo.

Më tej për Dumanin dhe Krajën tha se “kanë pasur komunikim efektiv me stafin, duke i nxitur të ecin para me çështjet që mund të ishin në fazën e përfundimit. Këtë e kanë pasur të dy. Në kohën e Dumanit kishin çështje që ishin pjekur. Çështjet zgjasin shumë, mund të dijë 2 ose 3 vite për tu krijuar të gjitha kushtet dhe të shkosh drejt kualifikimit të veprës penale. Në kohën e Dumanit pati çështje që evoluuan shumë dhe pati guximin ti çonte para”.

Musabelliu tha se pika e fortë e saj është komunikimi me kolegët, ndërsa shtoi se është mësuar ti bëjë ballë presioneve.

“Karakteristika ime nëse do jem drejtuese, jam njeri i pavarur, i vendosur, kam element të fortë komunikimin me kolegët. Cilësi të domosdoshëm prej drejtuesve. Presioneve jam mësuar ti bëj ballë”, theksoi prokurorja e SPAK.

Ora 12:04
E vetmja grua kandidate për drejtimin e SPAK, Doloreza Musabelli para anëtarëve të KLP: Unë kafe në zyrë nuk u jap

 

Para anëtarëve të KLP dhe zyrtarëve të huaj, kandidatja tjetër për kreun e SPAK, Doloreza Musabellu u pyet nëse do ofronte favore.

Arta Mandro: Nëse do kërkoja favore për Arta Mandron?

Doloreza Musabelliu: Favorin do e kërkonit kundrejt shpërlimit apo jo? Do ta pres një preson që e njoh, por nëse kërkon favor do krijohet ndarje, që ndoshta nga sot tutje s’do jemi më kolegë apo afrimitet.

Arta Mandro: Kafe do më ofronit?

Doloreza Musabelliu: Jo nuk ka kafe.

Ora 11:55
Çështje të mbartura në SPAK, Musabelliu: Duhen 40 hetues të rinj

 

Kandidatja për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu ngriti çështjet e mbartura si një prej problematikave me të cilat përballet SPAK. Ajo tha se do duheshin 40 hetues të rinj për të çuar para çështjet.

“Kemi pajtueshmëri hetuesish, ka çështje të mbartura. Po bëjmë të pamundurën të heqim çështjet e mbartura. Duhet t’iu jepet zgjidhje, me atë që paraqita për 40 hetuesit e rinj do ketë shtysë të rëndësishme në këtë kuadër”, tha Musabelliu.

Ora 11:48
Sfidat për një grua në krye të SPAK? Ja si përgjigjet Doloreza Musabelliu

 

Cilat do të ishin sfidat me të cilat do përballej Doloreza Musabelliu si një grua nëse do të zgjidhej në krye të SPAK? Ja si përgjigjet ajo në mbledhjen e KLP-së.

“Mendoj që një drejtues i SPAK duhet të ketë disa cilësi që janë aftësi për vendimmarrjes të shpejtë, për të drejtuar me vizion, për të siguruar ambient efikas, aftësi për ti bërë ballë presioneve, i brendshëm i jashtëm, nuk shoh që ndonjëra prej tyre të lidhet me gjininë”, tha ajo.

Ora 11:41
Doloreza Musabelliu: Sekuestruam 10 milionë dollarë kriptomonedha, por nuk kishim portofol për t'i ruajtur!

 

Prokurorja Doloreza Musabelliu foli në mbledhjen e KLP edhe për cështjet që ka hetuar në SPAK.

“Kam hetuar një sërë çështjes në SPAK, ku ndër më të spikaturat vrasje me paramendim për hakmarrje dhe vrasje në rrethana cilësuese të kryera në kuadër të grupit të struktura kriminal. Në dy çështje janë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me bashkëpunëtorë, kanë qenë armë për zbardhjen e ngjarjeve. Rasti i parë që ka shkuar për gjykim organizatë kriminale dhe janë sekuestruar kriptomonedha digjitale 10 mln dollarë, kishim problematikë sepse nuk kishim ku ti ruanim për shkak se na mungon portofoli dixhital”, tha Musabelliu.

Ora 11:34
Nga trafiku ajror i drogës te vrasjet, Musabelliu: Ja dosjet sensitive që kam shqyrtuar! Asnjë funksionar publik nuk qëndron mbi ligjin

 

Kandidatja për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu para anëtarëve të KLP prezantoi disa prej çështjeve sensitive që ajo ka ndjekur si prokurore.

Musabelliu: Kam pasur çështje të trafikut të narkotikëve prej 2004-ës. Mund të përmend një çështje të vitit 2005. Ka qenë çështje senisitive, një çështje tjetër e 2015 për herë të parë u evidentua rasti i trafikut ajror të lëndëve narkotike, u dërguan për gjykim 7 persona dh enjë oficer policie gjyqësore që u dënuan me vendim të formës së prerë. Janë identifikuar të gjithë personat e përfshirë në rastin e trafikut të narkotikëve. Këto hetime të karakterit ndërkombëtar, kanë forcuar aftësinë time për të menaxhuar çështje komplekse dhe për të arritur rezultate konkrete. Lufta kundër trafikut është bërë prioritet global dhe kërkon qase të avancuara hetimore, të cilat kamë pasur mundësinë ti aplikoj që në nisje të karrierës sime.

Kam patur në hetim çështje vrasjes, për motive familjare, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës vrasje për hakmarrje, në rrethana të tjera cilësuese apo gjakmarrje. Vrasje ndaj një funksionari të forcave operacionale të drejtësisë etj. Pas vitit 2014 dhe ndryshimeve ligjore, kam pasur mundësinë të hetoj çështje të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të drejtësisë. Asnjë funksionar publik nuk qëndron mbi ligjin.

Ora 11:17
Në garë për drejtimin e SPAK, Musabelliu: Synoj drejtim të pavarur! Prokuroria e Posaçme rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit

 

Doloreza Musabelliu prezantoi para anëtarëve të KLP platformën dhe vizionin e saj për drejtimin e SPAK në 3 vitet e ardhshme. Musabelliu, e para grua që kandidon për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, tha se kërkon të kontribuoj me integritet, vizon dhe vendosmëri në drejtim e SPAK. Ajo tha se synon të ofrojë një drejtim të pavarur për SPAK dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete.

“Dua të kontribuoj me integritet, vizon dhe vendosmëri në drejtim e SPAK. Përvoja gjatë 2 dekadave bashkë me kurajën, etikën përbën garanci për drejtimin e institucionit. Institucioni futet në një periudhë konsolidimi, ku roli i SPAK mbetet thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me këtë kandidm synoj të ofroj drejtim të pavarur, të orientuar drejt rezultateve konkrete që përfaqësojnë parimet më të larta të shtetit të së drejtës.

Për 15 vite kam ushtruar pa ndalim profesionin e prokurores. Kam qenë pjesë e Krimeve të Rënda dhe SPAK. Veprimtaria ime ka qenë vetëm në këto dy institucione. Kanë përfaqësuar momente të rëndësishme në shtetin e së drejtës. Karriera ime ka filluar që në vitin 2004, në prokurorinë për krimet e renda, që kur isha e re jam marrë me bandat e armatosura, gupet e strukturuara dhe organizata kriminale. Përvoja 6 vjeçare në SPAK ka qenë thelbësore përmes hetimit me kompleksitet të lartë.

Drejtimi kërkon më shumë se një vizion, një njohje në rrënjë të sistemit, aftësi për vendimmarrje të shpejtë dhe të sigurt dhe përvojën për të vendosur me vendosmëri”, tha Musabelliu.

Ora 10:44
Si ndiheni kur kërkoni shkarkimin e magjistratëve? Xholi: Brenga më e madhe kur kolegu hidhet në rrugë, por…

 

Kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi u pyet nga anëtarët e KLP-së se i ndihet kur kërkon shkarkimin e një magjistrati.

"Pyetja më e sikletshme sepse në punën tonë na bie e udhës të kërkojmë dhe dënim të përjetshëm dhe se kam problem… por kur kërkoj shkarkimin e kolegëve që e di si janë përballur me tipe të ndryshëm kriminelësh apo me zyrtarë të lartë dhe për shkak të fjalës time mund të ndodhë që KPA të vendosë edhe shkarkimin, ajo është brenga më e madhe, jam i bindur që kanë bërë shkelje, por nga ana tjetër nuk më bën të ndihem krenar për shkak të kontribut. Mbase ka bërë gabime diku, por ta nxjerrësh në rrugë përballë grupeve kriminale kjo është brenga më e madhe. Do vendosë KPA, unë jam i detyruar të respektoj çdo vendimmarrje", tha Xholi. 

Ora 10:31
Në garë për drejtimin e SPAK, Xholi: Unë do marr përsipër vetëm dështimet, suksesi u takon prokurorëve dhe hetuesve! Do jetë strukturë elitë

 

Adnan Xholi u pyet se çfarë mesazhi do t’i japë opinionit publik ndërsa kandidon për kreun e ri të SPAK. Xholi tha se SPAK është strukturë elitë dhe se ai do marrë përsipër vetëm dështimet duke theksuar se suksesi u takon të gjithë prokurorëve dhe hetuesve.

“Mesazhi që kam për opinioni publik ka të bëjë me dëgjimin e çdo lloj kërkese, ankesa, dhënia përgjigje me shkresë apo vendim, pavarësisht nëse u pëlqen vendimmarrja. Standardi që është arritur tani e kanë arritur prokurorët dhe hetuesit, jo drejtuesit. Unë do marr përsipër vetëm dështimet, suksesi i takon të tjerëve, standardi që është arritur deri më tani as nuk mund të mendohet që mund të ulet, por të jetë sa më lart. Të jetë strukturë elitë, e besueshme, si për publikun edhe për partnerët ndërkombëtarë”, tha Xholi.

Ora 10:28
Adnan Xholi: Politika dhe krimi nuk ndikojnë dot në vendimmarrjet tona! Nuk do fusja kurrë njerëz në burg pa prova

 

Kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi u pyet nga anëtarët e KLP nëse ka qenë ndonjëherë në presion. Xholi tha se do jetë promotor i mbrojtjes së pavarësisë së prokurorëve dhe sulmeve të padrejta ndaj tyre. Ai theksoi se politika dhe krimi nuk mund të ndikojnë në vendimmarrjet e prokurorëve të posaçëm.

“Do jem promotor i mbrojtjes së pavarësisë së prokurorëve, sulmeve të padrejtave që u bëhen prokurorëve për shkak të punës. Presione ka vazhdimisht për gjithsecilin dhe çdo magjistrat nuk ka gjë personale me askënd, thjesht zbaton ligjin, nuk ndikohemi nga askush, pro thjesht na bën më të fortë, pavarësisht se struktura të caktuara, grupe kriminale apo pjesë të caktuara të politikës, duke sikur ushtrojnë presion, e kanë të pamundur të ushtrojnë presion. Politika dhe krimi nuk mundet dot të ndikojnë në vendimmarrjet e prokurorëve, thjesht na fuqizojnë më tepër”, tha Xholi.

Xholi tha se ai vetë nuk do të fuste kurrë askënd në burg pa prova.

“Ajo që kam pikë të dobët është mbledhja e provave para arrestimit, prova të pacenueshme në gjykatë. Unë nuk fus njerëz në burg pa prova, ky është parimi që unë do ta vazhdojë sa të jem në këtë profesion”, tha Xholi.

Shpresoj të mbahem mend si prokurori që si kam rënë njeriu në qafë, si prokurori që s’kam dërguar dikë para drejtësisë pa qenë i bindur në prova, në atë institucion do duhet të jem tipi që i dëgjon të gjithë vartësit, i dëgjon, i kupton dhe tu gjendet afër”, vijoi Xholi.

Ora 10:14
‘Nëse të votoj sot dhe vij në zyrën tënde për çështje personale…’/ Xholi-anëtares së KLP: Do të sajdisja me ndonjë kafe, SPAK i bën të mira

 

Një prej anëtareve të KLP, Arta Mandro i drejtoi këtë pyetje Adnan Xholit. Në garë për drejtimin e SPAK.

Arta Mandro: Nëse do votoja sot për ju dhe nesër do të vija në zyrën tuaj për një çështje personale, si do të kujdeseshit ju për të mos cenuar pavarësinë?

Xholi: E vlerësoj pozitën që keni, por para ligjit nuk keni asnjë pozicion, do ju respektoj femër, do ju sajdis si grua me një kafe. Por zgjedhja do jetë ligjore. Shumicës u pëlqen kafeja në SPAK, e bëjnë të mirë.

Arta Mandro: Unë nuk e pi kafenë fare,

Xholi: Akoma më mirë

Ora 10:11
Adnan Xholi vë notën për Dumanin: Luftarak që nuk tërhiqet! Krajës i vlerësoj pjekurinë

 

Prokurori i SPAK, Adnan Xholi u pyet nga anëtarët e KLP për të dhënë një vlerësim për Arben Krajën që ka drejtuar më parë SPAK dhe kryeprokurorin aktual Altin Dumanin.  

“Tek Kraja vlerësoj pjekurinë dhe eksperiencën disa vjeçare që ka patur në hetim. Te Dumani do vlerësoj përkushtimin dhe rolin e tij luftarak në hetim, nuk tërhiqet përballë asnjë lloj presioni”, tha Xholi.

Ora 10:07
‘U rrëmbyen dy biznesmenë dhe u detyruan të hapnin edhe varrin e tyre’, Xholi tregon krimet që ka hetuar ndër vite

 

Adnan Xholi ka një karrierë prej 28 vitesh në sistemin e drejtësisë. Ai prezantoi para anëtarëve të KLP disa prej çështjeve komplekse që ka udhëhequr që nga nisja e karrierës së tij, deri më tani. Xholi tha se kur ishte drejtues i Prokurorisë së Gjirokastrës, aty ku ka nisur edhe karrierën e tij, ka rinisur hetimet për dy çështje të rëndësishme si shkatërrimin e një grupi që kriminal të armatosur që grabiste shqiptarët që shkonin për të punuar në Greqi. Si edhe ka zbardhur pengmarrjen e dy biznesmenëve të cilët u detyruar të hapin varrin e tyre nga grabitësit të cilit u kërkon shuma të mëdha parash.

“Gjatë karrierës sime, viti 28 që ushtroj funksionon, kam përfaqësuar gamë të gjerë çështjes sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar në situata komplekse dhe ndërkombëtare. E kam nisur nga periudha kur jam emëruar prokuror në Gjirokastër. Vrasja e Glinës, një grup kriminal i armatosur në 1997, me shtrirje në Vlorë-Tepelenë e kishin krijuar një mekanizëm për të grabitur shqiptarët që punonin në Greqi. Njëri nga anëtarët hiqej si taksist dhe bashkëpunëtorët e tjerë e prisnin në rrugë. Për shkak të reagimit të ndjerëve, 4 shqiptarë u vranë nga ky grup i armatosur, çështje që ishte pezulluar, është rifilluar kur kam qenë drejtues. Janë identifikuar autorët dhe janë dënuar, ndërsa për ekzekutorin kam kërkuar dënimin me burg të përjetshëm.

Rrëmbimet e biznesmenëve në qytetin e Gjirokastrës. Grupet kriminale në Tepelenë-Gjirokastër rrëmbyen dy biznesmenë, i mbajtën peng nga 9-18 ditë, udhëtuan dhunë fizike dhe psikologjike, i detyruan të hapnin dhe varrin e tyre, për tu marrë para, dhe u morën nga 80-100 mijë euro. Hetimet e e pezulluara në ‘97 janë rifilluar kur isha unë drejtues, janë identifikuar autorët, arrestimi dhe dënimi i tyre. Është rasti i parë që është kërkuar të pranohej viktima në procesin penal. Këto çështje të ndodhur në 97, për shkak të mungesës së funksionimit të shtetit, kemi hetuar ngjarje pa vendngjarje, është bërë e mundur të jemi sa më aktiv dhe të jepnim aq sa mundeshim në drejtësi duke identifikuar dhe çuar para drejtësisë autorët”, tha Xholi.

Ai tregoi edhe ngjarje të tjera kriminale që ka  hetuar ndër vite, si masakra e Cërrikut dhe ajo e Qafë Gjashtës. Ndonëse ishin në presionin e grupeve kriminale, që në atë kohë ishte të paprekshëm në zonat ku vepronin, Xholi tha se arritën ti zbardhin ngjarjet dhe të dënojnë autorët.

“Behet fjalë për grupe kriminale që ushtronin funksione në Tiranë, Durrës dhe Fier. Identifikuam 48 anëtarë, 8 u arrestuan në Shqipëri dhe u dënuan me vendim të formës së prerë. Kam përfaqësuar dy ngjarje të rënda në 1997, masakra e Cërrikut dhe ajo e Qafë Gjashtës. Këto ngjarje janë rifilluar  pas 10 vitesh prej meje. Për tre persona unë kam kërkuar dënim për jetë dhe janë dënuar. Kemi aplikuar në rastet e para bashkëpunëtorët e drejtësisë, u kemi dhënë besimin se këto ngjare të rifilluara pas 10 vitesh nuk mund të zbardheshin pa kontributin e bashkëpunëtorëve, ishim në presionin e familjarëve të pandehurve që ishin të paprekshëm në territoret ku vepronin, si edhe presioni i familjarëve të viktimave për drejtësi”, tha Xholi.

Xholi tha se po ashtu ka kërkuar heqjen e mandatit për 2 deputetë dhe se ka hetuar edhe një kryebashkiak.

Ora 09:55
Në garë për kreun e SPAK, Adnan Xholi premton: Do ti jap zgjidhje statusit të prokurorit! Të shtojmë numrin e tyre për rezultate më të shpejta

 

Adnan Xholi, në garë për kreun e SPAK, premton t’i japë zgjidhje statusit të prokurorit, një çështje e ngritur disa herë edhe nga kryeprokurori në ikje Altin Dumani. Xholi tha se në përfundim të mandatit të tyre 9-vjeçar, nuk mund t’i largojnë prokurorët që janë përballur me grupet me të rrezikshme kriminale. Po ashtu, ai tha se duhet të shtohet numri i prokurorëve me qëllim që të arrihen rezultate në një kohë sa më të shpejtë.

“Ti japim zgjidhe statusit të prokurorëve, por deri tani ka ngelur në vesh të shurdhër. Do insistoj bashkë me ju si qeverisje e prokurorëve, që statusi i prokurorit të SPAK të marrë zgjidhje, nuk e them për veten time, kthehem në prokurorinë e përgjithshme, por bëhet fjalë për kolegë të tjerë që vijnë nga prokuroritë e shkallëve të para, disa prokurori janë të shkrira. Nuk ka prokurorë të pazëvendësueshëm, por eksperienca që këta prokurorë kanë fituar do humbasë. Këto prokurorë janë përballur me grupet më të rrezikshme kriminale dhe çdo lihen në mëshirë të fatit në këto zyra që do shkojnë, do humbasë ekspertiza, memoria e institucionit, për çështje që nuk varen nga ne, por jemi në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe zgjasin me muaj e me vite. Kushdo që të vijë e ka të pamundur të shohë se çfarë bëhet në ato doje, jo të përfaqësojë në gjykim. Do kërkoj shtimin e numrit të prokurorëve të posaçëm.  Të mos jemi para standardeve të drejtësisë së mohuar, do duhet të shtohet numri i prokurorëve”, tha Xholi.

Kandidati për kreun e SPAK Adnan Xholi u pyet nga anëtarët e KLP mbi kërkesën për shtimin e numrit të prokurorëve. Xholi u përgjigj se SPAK është një prokurori elitë dhe nuk mund të  merret me çështje të vogla. Ndër të tjera Xholi vuri theksin tek dosjet voluminoze dhe nevoja që të ndiqen deri në mbyllje nga i njëjti prokuror.

“Çështjet në SPAK sidomos cështjet kundër krimit, zgjasin me muaj dhe vite dhe jo pa qëllim kërkova që këto prokurorë që kanë kaq dosje e fashikuj, do duhet të ndiqen po prej tyre. E kemi shprehur që duhen ndryshime në kompetencën lëndore, kjo është prokurori eltitë dhe nuk duhet të merret me cështje të vogla.Përfaqësimin në gjykim e bëjnë prokurorët. Duke ruajtur ekuilibrin mes ndryshimit në kompetencën lëndore dhe shtimin e numrit të prokurorëve do të arriten rezultate në një kohë sa më të shpejtë”, tha Xholi.

Ora 09:40
Zgjedhja e pasuesit të Dumanit, ndërkombëtarët të ulur përballë kandidatëve për kreun e SPAK

Të ulur përballë kandidatëve të SPAK në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë dhe ndërkombëtarët, të cilët po ndjekin nga afër përzgjedhjen e pasuesit të Altin Dumanit.

Të ulur krah njëri-tjetrit qëndrojnë e dërguara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadori i delegacionit të BE, Silvio Gonzato si edhe ambsadori britanik Nicholas Abbott.

4 kandidatët, Adnan Xholi, Elvin Gogaj, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho do të shpalosin fillimisht plaformën e tyre. Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i ri zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill.

Ora 09:30
Adnan Xholi: Prej 27 vitesh në sistemin e drejtësisë, kam udhëhequr hetime të rëndësishme dhe jam drejtues i 5 skuadrave hetimore

 

Kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi në prezantimin e platformës së tij përpara KLP, ka shpalosur gjithashtu dhe karrierën e tij të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai thekson se për kohë të gjatë ka mbajtur poste drejtuese.

“Prorkuroria është organi i decentralizuar, prokurorët janë të pavaruar, drejtuesi është menaxhet i cili si i barabartë mes të barabartëve ka detyrimin ligjor dhe moral të sigurojë kushtet e punës, të orientojë burimet njerëzore dhe të godasë paligjshmërinë.

Roli i drejtuesit ka në fokus arritjen e rezultateve të sukseshme me qëllim rritjen e  besimit të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë. Për shkak të strukturës dinamike të kriminalitetit, duhet një vëmendje e shtuar. Kjo trupë prokurorësh duhet të bëjë gjithcka që në përballje me opinionin publik të jetë e sigurt që po bën aq sa duhet. Vijoj sot para jush me një eksperiencë mbi 27 vite pa shkëputje në sistemin e drejtësisë. Karriera ime ka një ngritje konstante dhe të vazhdueshme. Kam udhëhequr disa hetime për një gamë të gjerë cështjesh të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Kam përfaqësuar prokurorinë në të gjitha shkallët e gjykimit dhe përpara se të bëhem pjesë e SPAK. Për shkak të pozicionit që kam pasur si drejtor, kam qenë pjesë përbërëse e të gjitha vendimeve që do të merreshin nga GJL. Qënia ime si prokuror, si drejtues në disa prokurori, më ka bërë të mundur që të kem aftësi në prodhimin e akteve administrative. Kam pasur në konsideratë që të njihem me problematikat, me kolegët për t’i dhënë zgjidhje. Kam udhëhequr hetime të rëndësishme. Jam drejtues i 5 skuadrave të përbashkëta hetimore.

Jam prokuror që kam pasur hetime paralele me shumiat e vendeve në rang global. Kam pasur hetime paralele përsa i përket cështjeve të lëndëve narkotike, të armeve, të pastrimit të pavave, të qenieve njerëzore. Kam bashkëpunur me homologët e huaj për të goditur grupet kriminale në shtrirje të gjerë. Kam administruar aktë voluminoze është bërë i mundur arrestimi i autorëve, dënimi dhe konsifsikimi e sekuestrimi i aseteve kriminale. Jam angazhuar dhe në ndryshimin e reformës në drejtësi. Drejtuesi krahas rolit menaxherial duhet të japë shembull për marrjen përsipër të përgjegjësive të shtuara. Të qenuesit drejtues në nivele të ndryshme të prokurorisë, më ka dhënë mundësinë që nga pikëpamja e ligjit të thelloj njohuritë  e  mia duke treguar një kujdes të vecantë në zbatimin e ligjit. Suksesi i prokurorit matet në gjykatë”, tha Xholi.

Ora 09:19
Në garë për kreun e SPAK, Xholi: Do çoj para luftën kundër krimit e korrupsionit! Prokurorët pre e sulmeve të padrejta, e rëndësishme pavarësia e Prokurorisë

Kandidati Adnan Xholi prezantoi para KLP platformën e tij për drejtimin e SPAK. Xholi shprehu vlerësimin për rezultatet që kanë arritur prokurorët e SPAK, duke theksuar se do të çojë para luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai theksoi se është e rëndësishme mbrojtja dhe integriteti i pavarësisë së SPAK, por edhe mbrojtja e prokurorëve nga sulmet e padrejta që u bëhen, duke shtuar se ata janë si familja e tij.

Adnan Xholi: E ndjeva privilegjin të aplikoja për shkak se vlerësoj se nga ana formale plotësoj kriteret që përcakton KLP për ngritjen në detyrë, me besimin se kam aftësitë e duhura profesionale për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme të reformës në drejtësi. SOAK ndodhet në fazë konsolidimi implementimi i strategjive të institucionit lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po aq e rëndësishme është dhe mbrojtja dhe integriteti dhe i pavarësisë së institucionit, mbrojta nga sulmet e padrejta që u bëhen magjistratëve dhe prokurorëve. Shpreh vlerësimet maksimale ndaj trupë së SPAK, për rezultatet që kanë arritur pasi secili prej tyre është kandidat potencial për ta drejtuar atë strukturë. Kanë arritur rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit, krenar që punoj me ata dhe do ti mbështes në çdo situatë pavarësisht votimit të sotëm. Ata janë familje ime në sistemin e drejtësisë, më tepër qëndrojmë me ta se me familjen biologjike, ka ardhur koha që të vijohet me hetime në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin si me hetime penale dhe pasurore me qëllim sekuestrimin e aseteve të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe promovimin e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët.

Ora 08:44
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut, ndërkombëtarët zbarkojnë në KLP

 

Mandati i Altin Dumanit në krye të SPAK po i afrohet fundit, ndërsa sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë mbledhjen vendimtare për të zgjedhur drejtuesin e ri të strukturës antikorrupsion.

Seanca do të jetë e hapur për mediat dhe do të ndiqet edhe nga përfaqësues të institucioneve kyçe dhe përfaqësues të BE dhe SHBA-së.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv në mjediset e KLP kanë mbërritur Të pranishëm edhe përfaqësuesit e ambasadës amerikanë, ambasadori britanik, Nicholas Abbot, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato dhe e ngarkuara me punë e SHBA-ve Nancy Vanhorn.

Ora 07:15
Profilet e 4 kandidatëve që synojnë vendin e Altin Dumanit në SPAK

1765433932_altindumani.jpg

Adnan Xholi, Klodian Braho, Altin Dumani, Elvin Gogaj dhe Doloreza Musabelliu

Më 18 dhjetor, Altin Dumani, do të duhet të lerë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pas një mandati 3-vjeçar, gjatë të cilit përfunduan nën hetime figura nga më të larta të politikës në vend, si dhe disa nga organizatat më të rrezikshme kriminale në vend.

Në garë, për të marrë stafetën janë katër kandidatë, të gjithë prokurorë aktualë të SPAK, me karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe të angazhuar në çështje me ndjeshmëri të lartë.

Por kush janë kandidatët?

Adnan Xholi

 Është një nga kandidatët me përvojë të gjatë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht, ai shërben si prokuror në SPAK dhe mban edhe detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar.  Kjo është hera e dytë që Xholi kandidon për kreun e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Së bashku me Altin Dumanin dhe Elvin Kondilin ai kandidoi edhe në vitin 2022 kur mori vetëm votën e një prej anëtarëve të KLP-së, Sokol Stojanit. Xholi ka hetuar shumë nga dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai ishte një nga prokurorët që hetoi Fredi Belerin për korrupsion zgjedhor. Më pas ka hetuar dhe zbardhur atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në nëntor të vitit 2019, dosje kjo që në sajë edhe të zbërthimit të komunikimet në SkyECC ka prodhuar edhe dy dosje të tjera ku është  ekspozuar aktiviteti kriminal i grupit në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike por edhe rivalitetin e grupeve kriminale në Durrës, që kanë sjellë shumë viktima.

Klodian Braho

I emëruar prokuror në vitin  2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Një tjetër dosje e hetuar dhe e dërguar në gjyq nga prokurori është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj. Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit.

Elvin Gokaj

Një nga prokurorët me përvojë në këtë garë është edhe Elvin Gokaj, i cili ka nisur karrierën e tij në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë pjesë e SPAK prej kohësh dhe ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të lartë. Ndër çështjet e hetuara dhe të dërguara në gjyq prej tij, është dosja “Buka” ku është marrë i pandehur ish-ministri i Ekonomisë dhe infrastrukturës Arben Ahmetaj.

Gjithashtu Gogaj ka hetuar edhe kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj në lidhje me abuzimet në disa tenderë. Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro. Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tenderë publikë, kryer në bashkëpunim.

Doloreza Musabelliu

Ndërsa Doloreza Musabelliu, e emëruar në tetor të vitit 2004, është prokurore në SPAK dhe ka një rol të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është një nga prokuroret që ka qenë pjesë e grupit të kanë hetuar dosjen e “Plumbi i Artë” ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime  ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor. Një tjetër dosje e hetuar nga prokurorja është edhe masakra e ndodhur në qendër të Lushnjës në 2017, ku u kërkua “burgim i përjetshëm” për Leart Haxhiun dhe dy shokët e tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 12/12/2025 01:54

    Per mua te gjithe jane ne njefare menyre fitues sepse te gjithe jane prokurore te SPAK-ut.Jane prokuroret me te mire te te gjithe sist.te drejtesise shqiptare.

    Përgjigju
  • DADA: 11/12/2025 16:51

    ZOTI KLODIAN, NUK TE MUNGON ASGJE, I KE TE GJITHA SI KLOD. TE LUTEMI PUNO PER SHQIPERINE, PER PASARDHESIT E TU DHE TANET!

    Përgjigju
  • Fatma: 11/12/2025 16:36

    Urime, prezantim i shkelqyer, rracional dhe i balancuar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 11 Dhjetor, 07:30

    Çfarë vlerësimi keni për drejtimin e SPAK nga Altin Dumani?