Kush kërkon ta prishë fushatën!

Kush kërkon ta prishë fushatën!

Edi Rama

Shumë shpejt ne do të kemi zgjedhjet dhe padyshim që tonet janë ngritur. Mendoj që nuk do të kemi përplasje, sepse opozita dhe pozita janë nën prozhektorët e amerikanëve. Ardhja e Eskobarit në Shqipëri dhe presionet e vazhdueshme të Ambasadës Amerikane të cilat opozita përpiqet që t’i sfumojë duke krijuar një narrativë që ndodhi ç’ndodhi po tani nuk e ka më njeri mendjen, jemi në zgjedhje. Ata e bënë të qartë që janë nën vëzhgim dhe një dhunë fizike nga ana e opozitës do të ishte vetëvrasje për të. Jo vetëm se do ta dënonin amerikanët, por edhe për publikun e moderuar i cili është lodhur nga një fushatë bërtitëse.

Unë do të veçoja nga jugu në veri fushata të cilat në një farë mënyrë shprehin qetësi të disa kandidatëve. Kemi Gjirokastrën e cila ka një bilanc shumë të mirë për të paraqitur, sepse është një qytet që para 10 vjetëve ti nuk gjeje një restorant apo hotel për të qenë, përveç Hotel Turizmit që u kthye në Hotel Çajupi, gjithçka tjetër ishte pothuajse e rrënuar. Sot Gjirokastra ka një turizëm që po tenton të zgjatet në kohë dhe për këtë i duhet dhënë një notë 10 kryetarit të bashkisë. Në Vlorë është një kryetar i cili është larguar në mënyrë të butë, zoti Leli, që u përpoq të ruajë tone të qeta në komunikimin e tij 8-vjeçar, pavarësisht konflikteve që pati me kryeministrin. Kemi një djalë të ri i cili vjen nga fusha e diplomacisë. Ermal Dredha ishte ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, njeriu që siguroi më shumë ndihma nga të gjithë kur u goditëm nga tërmeti.

Në veri do të veçoja fushatën e Pjerin Ndreut, pavarësisht ngjarjes së rëndë që pati në Shëngjin me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, për fat policia e zbuloi në kohë sepse Berisha tentoi t’ia vishte Pjerin Ndreut për një përplasje verbale që paskan pasur gjatë fushatës. Vjen me një bilanc sepse ka sistemuar shëtitoren buzë Drinit, ka bërë disa ura të bukura, asfaltoi gjithë qytetin. Një pozicion i vështirë ky edhe për faktin që është një rreth i vogël nuk ka fonde të mëdha. Ia ka dalë ta kthejë Lezhën në një pikë atraksioni turistik. Mund të themi që është një fushatë e thjeshtë. Do veçoja Tiranën. Mesa duket kandidati për kryetar bashkie Këlliçi, duke qenë se nuk ka vëmendjen e Veliajt, po përpiqet që të bjerë në sy duke kaluar edhe në një fjalor edhe gjeste agresive. Por vëmendjen mund ta tërheqësh ose me një batutë te bukur.

Nëse ti bërtet dhe thua fjalë të ndyra turma largohet. Veliaj nuk e ka problem fitoren në Tiranë, sepse po ndihmon kolegët e tij në Kavajë dhe Rrogozhinë që hyjnë në qarkun e Tiranës. E vetmja gjuhë agresive është nga Berisha, por qëndron vetëm në nivelin e gjuhës sepse ai nuk njeh gjuhë tjetër. Përveç vëzhgimit amerikan, mesa duket nuk ka edhe forcë më, jo vetëm forcë turmash që nuk e përkrahin, por nuk ka edhe forcë mobilizuese të njerëzve. Fjalori i tij është i vjetruar, premton revolucione, përmbysje, ndërkohë që kemi shqiptare që shumica e tyre ka lindur mbas viteve ‘90, dhe po t’u flasësh për komunizmin u duken përralla me mbret. Projektet e tyre nuk janë më ngacmuese, pavarësisht se kemi një mobilizim të militantëve, të ndjekësve të Berishës.

Por nuk u punon edhe fantazia më për të ngacmuar qoftë për të mirë, apo për keq. Kjo bën që ta prishin fushatën vetëm me pasaktësitë e tyre. E kuptoj dëshpërimin, momentin kur mendon se përse nuk po fitojnë dhe fillon krijon teori, Rama vjedh votat, është Amerika kundër, je gati të fusësh në lojë edhe alienët, e ka fajin Soros. Në fakt je ti ai që po e prish fushatën. Po e prish me mungesën e fantazisë, me mungesën e projekteve. Ato projekte që ke i improvizon në moment dhe thua do bëj autobusët falas, do hap një kalim nëntokësor poshtë sheshit “Skëndërbej”. Këto edhe përkrahësit e tij më të zjarrtë i bëjnë të rrinë më të ndrojtur.

Nuk mund të entuziazmohen kur duhet të prishet i gjithë blloku i ministrive për këtë projekt. Është një mungesë totale përgatitjeje. Dua të theksoj fushatën e Roland Bejkos, i cili fatkeqësisht është në hije për vetë faktin edhe të dëshirës të të dyja palëve të PS-së dhe PD-së për ta lënë në hije, sepse është njeriu që ka një projekt më të saktë, tek kundërshtari nuk gjen vetëm zi, por edhe të mira, është një njëri që përpiqet që të japë ide se çfarë mund të bëhet. Unë shpresoj që ai të paktën të fitojë më këshilltarë bashkiakë, që të jetë zëri i qytetarëve dhe të dëgjohet edhe nga Veliaj. Fushata nuk po prishet, por tentojnë që ta prishin, por janë shumë pak për ta arritur ketë. Shqiptarët janë të fokusuar te programet, çfarë do bëjnë kandidatët, janë të fokusuar tek e ardhmja e tyre dhe te propozimet me këmbë në tokë.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Incidente me djegie flamujsh shqiptarë dhe maqedonas në Shkup, BDI akuzon policinë: Ata e nxitën

Incidente me djegie flamujsh shqiptarë dhe maqedonas në Shkup, BDI akuzon policinë: Ata e nxitën