“Pashë parashikimin e motit dhe ky shiu i madh nuk ka për të pushuar”, na tha dikush.
“Jeni të sigurt që do dilni? Keni folur siç duhet me policinë?“, na tha një tjetër.
“Lereni njëhërë, mos e bëni sot. Të shohim javën tjetër edhe për kohën, mos dalë dielli”, ishte dikush tjetër duke na këshlluar.
Ka disa njerëz që ashtu si 5 vjet më parë na këshllojnë të mos dalim as këtë herë.
“Do ketë shumë njerëz të egërsuar nga protesta e opozitës”, na thotë sot dikush.
“Ju e keni dhënë mesazhin tuaj. Nuk ka pse dilni si heronj tani. Bëjeni paradën pas një jave”, shton një tjetër.
“Pse nuk e mendoni që bashkë me biçikletat të dilni më mirë nga parku i liqenit? Edhe mesazhin e jepni edhe më të qetë nga protesta do të jeni”, vazhdon tjetri.
“Se kështu si po e bëni ju, rrezik nuk ju vijnë as njerëz”, ndërhyn dikush.
Që të kuptohemi mirë: të gjitha këto shqetësime vjnë nga njerëz që na duan të mirën dhe sigurisht që ne i marrim seriozisht. Por ka disa arsye që shqetësime të tilla që po na thuhen këto ditë, na bëjnë të kuptojmë se kemi të drejtë që kemi vendosur të vazhdojmë me planin për ta zhvilluar paradën më 13 maj, në orën 10.00. Këto arsye janë në njëfarë mënyre edhe një ftesë që ne u bëjmë atyre që duhet dhe atyre që nuk duhet të jenë me ne më 13 maj.
Së pari, që nga dita me furtunë e shi të rrëmbyeshëm në 2012, që nga ajo ditë kur ishim vetëm 9 vetë, kuptuam se kauza për të drejta të barabarta nuk ka të bëjë me numrat. Se po të ishte për numrat nga 9 në vitin 2012 nuk do të ishim bërë dot 119 në vitin 2013. Në 2014 u bëmë 180 e po aq ishim edhe në 2015. E po të ishte për numrat nuk do e bënim fare paradën në vitin 2016 kur ishim po aq, 180-200 vetë.
Së dyti, në këto vite kemi kuptuar se nuk mjafton vetëm policia për t’u ndjerë të sigurt në nevojën për të qenë të përfaqësuar në hapësirën publike. Policia vërtet mund të na mbrojë përgjatë 1 kilometrave rrugë që ne përshkojmë me biçikleta, por hapësira publike ku LGBTI nuk janë të përfaqësuar nuk ështe domosdoshmërisht ai 1 kilometërsh asfalt. Hapësira publike ku ne kërkojmë të ndihemi se trajtohemi me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë, është më shumë se aq: është në shkolla, në punë, në spitale, është në vendet ku ofrohet shërbim, është në media, në institucione publike, e kudo ku jetojnë qytetarë.
Vërtet mendon njeri se kudo e kurdo duhet të jetojmë me policë nga pas?! Apo se, po mos kemi policë me vete nuk duhet të jetojmë fare?!
Sigurisht që ka disa që e mendojnë këtë, mirëpo ata më mirë të mos vijnë në paradë. Ky marshim nuk eshte per ta.
Së treti, ne besojmë se ka vërtet njerëz që na duan të vazhdojmë të fshihemi, apo që nëse vërtet duhet të pedalojmë, të shkojmë më mirë nëpër parqe, larg syrit të kujtdo. Por, si këta njerëz besoj se ka edhe të tjerë që e kuptojnë se kur fshihesh nuk do të thotë detyrimisht se nuk ekziston!
E nëse vazhdojmë të fshihemi, gjasat janë që nuk do e kuptojmë dot kurrë se ndoshta, po detyrojmë të fshihet dikush që mund të jetë pranë nesh, që mund ta kemi në familje, mund ta kem mik apo mikeshë të dashur, mund ta kemi djalë, vajzë, nip a mbesë.
A mund të ketë njerëz që do donin ta bënte njeriun e dashur të vuante në këtë mënyrë, te vuante i fshehur?!
Cfarë robi duhet të jesh që ti urosh këtë jetë të tmerrshme njeriut tënd?!
Nëse je nga këta njerëz, më mirë mos hajde në paradë. Por shoqëria do të kishte më shumë të mira nëse ai që do duhej të fshihej, të ishe ti, e jo ne, as njerezit qe mund te jene te dashurit e tu…
Së katërti, në rast se ka njerëz që mendojnë se qëllimi ynë në këto vjet ka qenë të provokojmë ata që nuk mendojnë si ne, ndoshta këta njerëz duhet të ndalin për një çast dhe të reflektojnë: “Po fundja, në rast se u provokokam unë, i bie që po kështu të provokohen edhe miqtë e LGBT, edhe komshinjtë e tyre, edhe familjarët e tyre, edhe kolegët në vendet ku ata punojnë, edhe mësuesit e tyre, edhe doktorët e tyre, edhe kushërinjtë, krushqit, shitësit në dyqan, punonjësit e bankës, roja i shkollës, polici në rrugë, edhe ata edhe ai, edhe ajo, edhe ata të tjerët e kështu me rradhë…. Apo jo?!”
Përgjigja më e thjeshtë për tu kuptuar nga këta njerëz do të ishte: Vërtet mendoni se qëllimi ynë është të provokojmë miqtë tanë, komshinjtë, familjarët, kolegët, mësuesit, doktorët, kushërinjtë, krushqit, shitësit në dyqan, punonjësit e bankës, rojen e shkollës, policin në rrugë apo këdo tjetër?
Nëse qëllimi ynë qënkërka ky, pse xhanëm vazhdojmë të jetojmë në këtë vend që qënka i rrethuar me njerëz që neve na u dashka ti provokojmë nga mëngjesi deri para se të mbyllim sytë për gjumë në darkë?!
Dhe së fundi, është e vërtetë që dikur ishte fitore kur arrinim të përcillnim mesazhin. Atëherë do na mjaftonte edhe vetëm përcjellja e mesazhit. Mirëpo për të katërta arsyet e mësipërme ne besojmë se koha e mesazheve dhe premtimeve të pambajtura ka skaduar. Ne sot kërkojmë jo vetëm të japim mesazhe që shoqëria të na pranojë. Shoqëria si e tërë ka ngjyrat e vet dhe nuk është një masë homogjene që mund të marrë kthesë brenda ditës, muajit apo vitit, e si mase homogjene te kete vetem nje mendim e nje qendrim.
Vëmendja dhe kërkesa jonë, përveçse mesazhi ndaj shoqërisë, është mbi të gjitha e drejtuar ndaj shtetit, politikës, institucioneve publike dhe ndaj kujtdo që paguhet me taksa. Edhe me taksat tona.
Kerkese për: të mbrojtur të rinjtë nga përndjekja në shkolla, për të hartuar ligje që na trajtojnë të gjithëve në mënyrë të barabartë, për të patur shërbim shëndetësor që na sherben të gjithëve me dinjitet, për të patur politika që nuk përjashtojnë askënd e që krijojnë kushte që të gjithë të jetojnë me shansin e barabartë për të prosperuar mbi bazën e aftësisë, e jo për tu fshehur pa shkak, pavaresisht aftesise.
Kështuqë në 13 maj askund nuk duhet të mendojë se një grupim i madh shqiptarësh që kanë vendosur të protestojnë në bulevard do sulmojë një grup tjetër më të vogël shqiptarësh, që qëllon të ketë dalë gjithashtu për të protestuar, gjithashtu për një jetë më të mirë…
Nëse ka njerëz që e mendojnë dhe i druhen pikërisht kësaj, ky shkrim është një ftesë që ata të rrinë në shtëpi më mirë.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com