Ministria e Emigracionit dhe Azilit në Greqi ka prezantuar së fundmi një projektligj që sjell ndryshime të rëndësishme në kuadrin e emigrimit. Por sa përfitojnë emigrantët shqiptarë dhe cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë ata? Përgjigjen e dha nga Athina për Report TV gazetari dhe eksperti i çështjeve të emigracionit, Edmond Guri

“Ky projektligj i riardhur në parlament nuk do të mundësojë ligjërimin e emigrantëve. Ai vjen për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe pengesat burokratike të administratës, dhe harmonizimin e kuadrit ligjor të emigracionit dhe politikave emigratore të Greqisë me BE, për sa kohë BE ka 2 vjet që ka ndryshuar politika” shpjegoi ai.

Kush përfiton dhe kush penalizohet nga ky projektligj?

Sipas Gurit, emigrantët e ligjshëm në Greqi përfitojnë prej tij, ndërsa ata që janë të parregullt ose kanë pasur shkelje në të shkuarën do të penalizohen.

“Ajo që qarkullon më media, që do të përfitojnë leje qëndrimi është e pavërtetë. Pritet përmirësimi i procedurës së rinovimit të lejes së qëndrimit, pasi shumë emigrantë jetojnë prej 3 dekadash në Greqi dhe duhet të presin 2-3 vjet që tu rinovohet leja e qëndrimit dhe fatkeqësisht 50% prej tyre marrin një leje qëndrimi të skaduar” tha Guri.

Sipas ekspertit, projektligji i ri do të bazohet në tre shtylla kryesore.

“Së pari do të përmirësojë procesin e rinovimit të lejes së qëndrimit, pra nuk do të presin 2-3 vjet, por do ta marrin atë në një kohë shumë më të shkurtër. Së dyti, do të përshpejtohet dhe kompletohet procedura për emigrantët që vijnë me thirrje apo kontrata pune, e njohur si viza me faks. Shtylla e tretë është që kush është me azil në Greqi, kush ka statusin e azilantit, kush është aplikues dhe posedon kartën e azilantit, deri më sot do të duhej të priste deri në 6 muaj për tu futur në tregun e punës. Nga sot, do të integrohen menjëherë në tregun e punës dhe nuk do të përfitojë më ndihma sociale. Këto janë tre shtyllat kryesore që lidhen me ligjin e ri” tha ai.

Sa vite është leja e qëndrimit dhe a do të ketë rinovimi automatik?

“Greqia ka një regres në lidhje me kategoritë e lejeve të qëndrimit. Shumë emigrantë që posedojnë leje 10 vjeçare, për shkak të ndryshimeve ligjore ranë në kategorinë e lejeve 2 ose 3 vjeçare sepse Greqia nuk mori parasysh çështjen e krizës dhe nuk u dha mundësinë e rinovimit të lejeve 10 vjeçare. Kjo bëri që mijëra emigrantëve të ligjshëm tu ndryshojë kategoria dhe të bien në atë që njihet si kategoria e rrezikut, ose leja filllestare. Në këtë projektligj Greqia parashikon rikthimin e lejes 10 vjeçare. Kush është nga mosha 65 vjeç e sipër që e ka të vështirë për të siguruar punë, do të ketë mundësi ta rinovojë lejen e qëndrimit me siguracion privat” shpjegoi Guri

Si rinovohet leja e qëndrimit?

“Leja e qëndrimit 3 vjeçare, me ligj do të rregullohet që të merret në një afat kohor nga 6 muaj deri në 1 vit, ndërsa lejet e tjera në bazë të specifikave të tyre. Lejet e sigurta që janë kryesisht bashkime familjare, ose emigrantët që kanë më shumë se 10 vjet me qëndrim të rregullt në Greqi, këto leje do të shqyrtohen në kohë të shkurtër. Por, gjithmonë jo leje të reja fillestare. Bëhet fjalë për ata që posedojnë një leje qëndrimi dhe aplikojnë për rinovimin e saj. Ata që nuk kanë leje qëndrimi, nuk kanë asnjë dritare apo mundësi për tu pajisur me leje, përkundrazi janë të penalizuar ata që bënë aplikimin e vitit 2023 ne vërtetimin e famshëm, të cilët për 5 vjet nuk kanë të drejtë të aplikojnë për leje qëndrimi në Greqi, nëse nuk ndryshon ligji apo nuk fitojnë të drejtën në gjykatë” tha ai.

Po ata që kanë një leje për të lëvizur vetëm brenda për brenda Greqisë por që nuk kanë arritur në fazën finale?

“Aktualisht në Greqi janë 790,000 emigrantë të ligjshëm. Nëse e krahasojmë me vitin 2019, janë rreth 400,000 emigrantë që janë larguar nga Greqia. Ata që janë të ligjshëm në Greqi, që posedojnë një vërtetim aplikimi, kanë të drejtë të udhëtojnë në vendin e origjinës dhe të kthehen mbrapsht por jo në një vend të tretë apo në Bashkimin Europian. Këta persona, me ndryshimet që do të pesojë ligji shumë shpejt do të pajisen me leje qëndrimi sepse ata i plotësojnë kriteret. Do të përfshihet një kategori specifike, kërkesa e të cilëve nuk është shqyrtuar që nga viti 2021 e tutje, me këto ndryshime ata do të marrin automatikisht lejen apo vendimin me të cilin mund të aplikojnë për leje të re qëndrimi. Të gjitha këto pritet të miratohen në parlament, të publikohen në Fletoren Zyrtare dhe më pas të specifikohen me qarkoret specifike për drejtoritë e specializuara. Përderisa administrata greke është e dobët dhe nuk ka kapacitetet për tu përballur me këtë fluks pune, parashikohet që të ketë një shpërndarje të aplikimeve siç u bë në Shqipëri me e-albania, Pra një punonjëse e administratës së zonës X mund të shqyrtojë aplikimin e bërë në një zonë tjetër me qëllim që të bëhet shpërndarja e punës. Kjo, sipas Ministrisë, parashikohet të lehtësojë procedurat dhe të përshpejtojë dhënien e lejes së qëndrimit” tha ai.

Po ata shqiptarë që shkojnë në Greqi për punë sezonale, a mund të aplikojnë?

“Greqia po punon fort në këtë drejtim sepse do të eliminojë ose zerojë emigracionin e paligjshëm brenda Greqisë dhe të fokusohet tek emigracioni i rregullt me ardhje me vizë. Në këtë kategori, shqiptarët janë më të privilegjuarit, të cilët e fitojnë automatikisht dhe shumë shpejt lejen e qëndrimit. Nëse një punëdhënës në Greqi dhe ai i merr emigrantët me thirrje, në një kohë shumë të shpejtë ata vijnë ose me vizë nga ambasada greke, ose nëse janë me punë sezonale, 3 6, apo 9 mujore, me një vendim formal ose kod që jep drejtoria e decentralizuar e departamentit të emigracionit, hyjnë në doganë, pajisen me dokumentat që parashikon ligji dhe mund të punojnë për atë periudhë kohore. Nëse ata duan ta rinovojnë atë në bazë të kohës, e kanë këtë drejtë dhe pronari duhet të aplikojë në drejtori,  e të marrin një vendim të ri, që u jep mundësinë të shtyjnë afatin e qëndrimit.  Pra të gjithë shqiptarët që janë të rregullt dhe nuk kanë probleme me ligjin në Greqi, mund të alikojnë konform rregullave, duke pasur një punëdhënës në Greqi dhe shumë lehtë mund të marrin konfirmimin”, shpjegoi eksperti gjatë intervistës për Report TV.

Po emigrantët që punojnë në Greqi dhe nuk janë të deklaruar, nëse gjejnë një kontratë të ligjshme pune, a mund të integrohen në sistemin e lejeve?

“E kanë këtë mundësi por jo duke qëndruar në Greqi. Ata janë të detyruar të kthehen në Shqipëri, dhe me pas, me thirrje, me anë të punëdhënësit që merr miratimin nga drejtoria, i drejtohen ambasadës për vizë. Ose në të kundërt, me hyrje 3 mujore që ka një procedurë specifike. Në çdo rast, ata duhet të paguajnë një gjobë për çdo shkelje të afatit 3 mujor. Gjoba mund të variojë nga 600 deri në 1200 euro. Nëse kjo gjobë nuk shlyhet qoftë në doganë apo në instancat përkatëse, është e vështirë të marrin konfirmimin për tu futur në Greqi. Bëhet shlyrja e gjobës, dhe pastaj aplikanti hyn në Greqi dhe ndjek procedurat për tu pajisur me leje qëndrimi. Kjo është rruga e saktë për t ëgjithë bashkëatdhetarët. Duhet të kenë kujdes sepse në Greqi nuk do të jepen më leje fillestare siç parshikohej derI më sot, por kuadri ligjor do të përmirësohet për ata që kanë leje qëndrimi, dhe ata që nuk kanë duhet të shohin opsione të tjera të ligjshme” tha eksperti.

Po ata që deri dje kanë pasur një leje qëndrimi por për një arsye apo tjetër janë rikthyer në Shqipëri dhe nuk e kanë rinovuar. A kanë një shans të dytë?

“Duke qenë pjesë e Kryesisë së Diasporës në Greqi, këto janë kategoritë që ne i kemi parashikuar dhe paraqitur me kërkesë në Ministrinë e Emigracionit. Një nga kategori janë ato me arsye njerëzore, ku fatkeqësisht drejtësia greke i ka anashkaluar duke i rënduar, por është kërkuar përmirësim. Më pas, është kategoria e tyre që kanë lejeqëndrimi por e kanë humbur dhe për ta pritet që të përfitojnë. Sigurisht do të ketë kritere që do të specifikohen nga qarkoret përkatëse. Mund të votohet një ligj në Greqi, por kjo nuk do të thotë se përfitojnë të gjithë sepse kur dalin kriteret ato janë të vështira për tu plotësuar dhe kjo lë pa përfshirë shumë bashkëatdhetarë. Për shkak të ndryshimeve të procedurave nga manual në dixhital, shumë bashkëatdhetarë nuk kanë marrë informacion për dokumentat plotësues dhe kanë humbur lejen e qëndrimit.  Ata kanë tashmë mundësi të pajisen me leje qëndrimi sepse parashikohet në ligjin e ri” tha ai.

Pra të gjithë ata që kanë pasur leje qëndrimi, e kanë këtë mundësi?

“Ata që janë larguar më shumë se dy vjet nga Greqia është një problem i madh. U parashikua një ligj dhe iu dha mundësia në vitin 2024 për tu pajisur me leje qëndrimi, kush arriti e përfitoi. Aktualisht nuk mund të pohoj gjë për këtë kategori, sepse ligji është i qartë kur thotë se “kush mungon më shumë se 2 vjet pa shkëputje nga Greqia, e humbet automatikisht lejen e qëndrimit, por gjithsesi jemi në pritje të votimit në parlament dhe më pas daljes së qarkoreve. Aty do të kemi një panoramë më të pastër” përfundoi eksperti.