Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjysma e parë e vitit është mbyllur me 1.1 miliardë euro investime të huaja, por gati 29% e këtyre parave, ose 328 milionë euro, kanë ardhur nga shtete emrat e të cilëve nuk deklarohen “për arsye konfidenciale”. Kjo sipas shpjegimit zyrtar, lidhet me mbrojtjen e identitetit të kompanisë private që ka kryer financimin.

Krahasuar me vitin e kaluar, investimet nga shtete “të fshehura”, janë më shumë se dyfishuar, dujke regjistruar dhe vlerën më të lartë për një periudhë 6-mujore. Në gjashtëmujorin e parë të 2025-ën ky fond ishte 152 milionë euro.

Banka e Shqipërisë kishte përmendur më herët hyrjen e një shumë të lartë për një ‘projekt madhor’ në pasuri të patundshme, në tremujorin e dytë të këtij viti, por pa zbuluar se për cilin bëhej fjalë. Kjo periudhë kohore koicidon me pagesat për projektin e Zvërnecit. Një transfertë prej 195 milionë dollarësh u bë në fund të majit 2026 për llogari të pronarëve shqiptarë të tokës, ku parashikohet të ndërtohet resorti luksoz turistik.

Duket se është pikërisht kjo pagesë që ka rritur ndjeshëm volumin e kategorisë “konfidenciale” në zërin e investimeve të huaja.

Transferta për tokat në Zvërnec ka ndikuar dhe në rritjen e vlerës së investimeve për pasuritë e paluajtshme, të cilat zënë vendin e parë, mes destinacioneve të parave që vijnë nga jashte. Në gjashtë muaj, pronat, kanë tërhequr më shumë se dyfishin e kapitalit të investuar përgjatë këtij gjashtëmujori, plot 610 milionë euro.

Në vend të dytë janë aktivitetet financiare me 181 milionë euro investime të huaja, ndjekur nga industria përpunuese me 92 milionë euro. Me rënie të fortë në këtë periudhë është “industria nxjerrëse”, nga 98 milionë euro investim i huaj vjet në 6 mujor ka zbritur në 27 milionë euro gjatë këtij viti.

Shteti i deklaruar, me fluksin më të lartë të investimeve, për 6 mujorin, është Austria me 122 milionë euro, nga 68 milionë euro vjet, e më tej Turqia me 111 milionë euro investime të huaja.