Kush punon 'me hosten prapa', SPAK-u apo Policia e Shtetit ?!

Kush punon 'me hosten prapa', SPAK-u apo Policia e Shtetit ?!

SPAK

Disa muaj më parë, djali i një mikut tim që ka mbyllur sytë dhe iku i ndershëm në atë botë e pa abuzuar asnjë fije në detyrat shtetërore, më ftoi për një kafe. Djalë që unë e dua shumë. E njoh mirë qysh në bangat e shkollës së ulët e të lartë. Nxënës dhe student model. Po kështu kur doli në jetë : Specialist i zoti, punëshumë, modest dhe asapk kurnac a ziliqar për të ndihmuar të tjerët me diturinë e tij profesionale. Dituri që e ngriti lart edhe me specializimin në Perëndim e u kthye në mëmëdhe. Ka vite që punon në sektorë të rëndësishëm e delikatë, pa rrahur gjoksin asgjëkundi e pa kërkuar favore e privilegje të pamerituara nga shteti që i shërben me përkushtim për 3 dekada. Shpesh më shëmbëllen me të atin e rritur jetim, korrekt e dinjitoz, të lexuar e të mencur, nga i cili mësova shumë kur punova korrespondent në Jug. Sidomos për politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare në rajon e gjetkë. Tamam sikur të ishte në dikasterin përkatës, në qendër. Shpesh ndaloja enkas në Tepelenë dhe bisedonim gjatë. Për mua, ishte i vetmi në 4 rrethet që mbuloja për gazetën “Bashkimi”, nga i cili përfitoja një pasqyrë të saktë, serioze e bindëse. Por edhe ndonjë këshillë miqësore e vëllazërore për moshën time të re në Gazetari. Aq më tepër që detyra e korrespondentit nuk lidhej hic me faqen e fundit të gazetës,”faqen e jashtme”. I ndrittë shpirti atje ku prehet !...

                        -Xhaxhi Kristo, para se të pimë kafe apo të kalojmë një drekë së bashku, sot do të coj 10-15 minuta në Lundër, të shikojmë hendekun e madh midis atyre me vila dhe neve në apartamentet me kredi e pa kredi…

                        Panë e c’nuk panë sytë e mi atë ditë gjurmëlënëse në atë “ishull” të vecuar begatie, luksi e makutërie ! Që nga hyrja kryesore “ku dhe roja i traut e ndjen veten më të rëndësishëm se drejtori i Policisë së Tiranës”. Pa llogaritur sanitaret, rojet, lulishtarët. Me turne e pa turne. Mjaft prej pronarëve ishin rrogtarë në shtet e në privatë. Cmimi më i ulët, 300 deri 400 mijë euro ! Nuk ia mësova dot emrin se si thirret nga vendalinjtë ai ishull me parallinj, oligarkë e qejflinj të krekosur. Sinqerisht, ndonjë emër nga media më trishtoi dhe provova një shije të hidhur qytetare, morale e profesionale. Dhe aty për aty kujtova atë thënien e publicistit të madh Italian : Një gazetar të pasuruar me para të pista, mos e thërrisni gazetar, por Pis !...Janë ata rripa e vipa që shesin e blejnë gjithcka, që bëjnë kompromise e allishverishe me karakterin, personalitetin dhe profesionin tonë tepër të nderuar. Tashmë, shumicën e tyre, njerëzia e njeh mirë. Madje i neverit. Dhe shpresojnë ende te shteti i së Drejtës, te Ligji dhe jo te Maliqi. Ndërkohë parmbrëmë mësova për një aksion të Policisë Ndërtimore e të asaj të Shtetit në zonën ishullore më të shtrenjtë të Tiranës. Quhet “Rolling Hills”. Aksioni ishte kundër shtesave e ndërhyrjeve pa leje. Më shqip, përballje me arrogancën e njerëzve të fortë e që “bëjnë ligjin”. Shkurt, të paprekshëm. Me sa kuptohej, shteti ligjor hynte për herë të parë atje. Dhe lexuesit e qytetarët e thjeshtë ngrohen, u ngjallet e shëndoshet besimi. Vecse, vërtet ngrohen, por edhe mund të ftohen shpejt bashkë me aksionet rrallë e për mall ! Si me fushatat flakë kashte. Sepse në rastin konkret, mendoj se problemet atje janë më të thella. E mbi të gjitha, Korrupsioni galopant e sypatrembur i disa kokëtulëve të pacipë dhe hajdutë me cizme e pa cizme. Hajdutë që i kanë bërë edhe nënën postit, zyrës së shtetit që mbahet në këmbë nga taksapaguesit e shkretë. Dhe na ligjërojnë e flasin hudhra në kungull apo kodra pas bregut ! Hipokrizi më sipërore zor se gjendet kollaj…

Le të shikojmë një dukuri jo vetëm të sotme : Sa herë ndërrohen ministrant e Brendshëm, dicka lëviz për mbarë. Goditen  një pas një banda të drogës e të krimit, të kusarisë e mashtrimit. Sikur sapo kanë zbritur me parashutë nga qielli në tokë apo nga malet më të larta ! Dhe befasia e goditjes nga Ligji bën zhurmë të natyrshme mediatike. Përshembull, dikur kam shkruar edhe unë për punën e mirë të Sokol Olldashit. E nuk jam bërë pishman. Kush nuk e do shtetin e vërtetë ligjor ! Përjashto kriminelët dhe kusarët. Veprimi në kohë e me efektivitet rrit besimin e pashuar te Drejtësia. Dekonspirimi i errët dhe poshtërues nuk merr frymë. Më konkretisht, ardhja në krye të Ministrisë së Brendshme, e Taulant Ballës, tregon acik lëvizjen dhe pastrimin e ca ujërave të ndënjura që binin erë të keqe. Zbulimi (më saktë: hapja e dosjeve të pluhurosura e të përgjumura) dhe goditja e krimeve të vjetra e të reja pa kurrfarë syzesh partiake, transparnca e plotë para publikut vlerësohet realisht. Vecse një problem jo i vogël flet shumë : Është po ajo Polici që gjeti Balla kur mori në dorëzim detyrën. Janë po ata drejtues në qendër, qarqe e rrethe. Janë po ata punonjës policie që ishin edhe para ardhjes së Ballës nga politika. Pra, roli i tij pozitiv duket sheshit. Prononcimet e tij para publikut flasin vetë. E sidomos rezultatet në kohë rekord. Mirëpo, në radhët e Policisë së Shtetit paska ende honxhobonxho të pandreqshëm, të paaftë e shkelës ordinerë të betimit ushtarak, pa ideale të pastra, të aftë për prapësira e djallëzira në kurriz të Ligjit e të Kushtetutës. Dhe mbështeten e shullëhen në hijen e ndonjë “peme” jo dosido në kupolën drejtuese në qendër. Këta të fundit me spaleta vezulluese, me grada e poste të larta, firmosin e vulosin dhe ngulin hunj e shkulin hunj nëpër Komisariate e Qarqe (?!).

                        Të punosh me hosten prapa (si buajt a qetë e parmendës në ara dhe me sezone të vecanta), do të thotë të kryesh detyrën me të shtyrë e me pahir. Se nuk mjafton vetëm mbështetja politike e një ministri. Nëse janë ndryshkur disa hallka të zinxhirit të strukturave policore, frytet hidhësirë dihen. Hyrja në betejë e SPAK-ut kundër krimit e korrupsionit, është një mbështetje reale jo e rëndomtë. Faktet e muajve të fundit nuk kanë nevojë për komente të tepërta. Dhe as thjesht për të rrëfyer se si mund të merret miell hua ! Angazhimi serioz në një front të përbashkët e me objektiva specifike, i hap udhë ndëshkimeve ndaj dukurive që deri dje quheshin “të pandëshkueshme”. Gjithnjë në emër të Ligjit e të Kushtetutës. Përballë kësaj “bible” e “kurani” duhet të falen me cdo kusht të pasur e të varfër, me vila e pa vila. Ky është mesazhi kryesor e që jepet live nga ekranet dhe mediat e shkruara në Shqipëri e gjetkë. Në rastin e Patokut a të Fushë Kuqes së Krujës(uroj të mos dalë me këpucë të kuqe!), po të gërmosh thellë e jo në sipërfaqe, me siguri do konstatohen cudira e pataksira nën hundën e Policisë, të Shërbimeve Informative etj. që kanë shërbyer si këmishë “antiplumb” në shërbim të bandës së drogës. Dhe jo sot, por nëpër vitet që rrjedhin e përmjerin hapur mbi rendin e sigurinë publike në atë zonë të mbarsur keqazi në sytë e njerëzisë. Sa shefa e specialistë janë paguar nën dorë e mbi dorë nga njera qeveri te tjetra ? A do bëhet ndonjëherë analizë e plotë dhe larg goditjeve gjysmake ? Po për hyrje-daljet e shpeshta nëpër burgje, a do të kalojnë në sitë prokurorë, punonjës policie, gjyqtarë ose pushtetarë të molepsur që kanë bërë një vërë në ujë ? Shikoni pasuritë dhe llogaritë bankare të këtyre individëve nëpunës shtetërorë dhe petët e byrekut korruptiv do të kërcasin e ulërasin ditën e natën. Kaq i thjeshtë është problemi, vetëm kur ka përgjegjshmëri, atdhetari e profesionalizëm të kulluar. Janë tërë ato struktura zyrtare që qeveria Rama po i mbështet financiarisht e pa kursim. Apo pritet për cdo gjë Frontekx dhe Guardia di Finanza ?! Ndërsa të zotët e shtëpisë fërkojnë barkun…

                        E vërteta e ëmbël apo e thartë, nuk mund të fshihet dot prapa “hostenit” të SPAK-ut apo të Policisë ! Rëndësi ka që puna të bëhet pa hosten dhe jo si me zor “në zbor:. Dëshmorëve të Policisë së Shtetit u dridhen eshtrat përballë sharlatanëve, horrave e kriminelëve të maskuar me e pa uniform. Është edhe një lloj tradhëtie e rëndë ndaj gjakut e jetës së tyre në themelet e Rendit, Sigurisë e Drejtësisë. Nuk thonë kot të mencurit : Herët a vonë e drejta gjen të zonë. Se paraja shkon e vjen, nderi shkon e s’vjen !

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë