Dera e zgjerimit të Bashkimit Europian të paktën është hapur pakëz, tre vite pasi presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e përplasi atë derë me force duke thënë që gjatë mandatit të tij 5-vjeçar nuk do të kishte më zgjerim të Unionit. 

Cilado qofshin arsyet, një seri krizash të lëna pas, përmirësimi i ekonomisë europiane apo Brexit, Juncker tashmë ndien se ka ardhur koha që të inspektojë radhën jashtë kësaj dere dhe të shpërndajë “bileta” pranimi. Në total vetëm dy. Dhe ata që e presin me më shumë zell integrimin, nuk janë në këtë listë. Integrimi mbetet një çështje e debatueshme si në Serbi, ashtu edhe në Malin e Zi, dy shtete të konsideruara si kandidatet më të forta për raundin e ardhshëm të zgjerimit.

Liderët e tyre meritojnë përgëzime të sinqerta për ecjen përpara pavarësisht kundërshtive, por e vërteta sade është se vende të tjera, gjithashtu në Ballkanin Perëndimor, e meritojnë po aq shumë t’i bashkohen Unionit e ç’është më e rëndësishmja, janë shumë më entuziastë përballë kësaj mundësie. Zërat që qarkullojnë në Bruksel thonë se Mali i zi dhe Serbia janë kandidatët kryesorë sepse janë dy vendet më të predispozuara për të ndryshuar krah, duke u përkëdhelur me Moskën. 

Personalisht, nuk e besoj shumë këtë version. Përveç naftës dhe rakateve, Rusia ka shumë pak për të ofruar. Por, edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, nuk është një arsye e mjaftueshme për të aprovuar integrimin e tyre, teksa të tjerët refuzohen. Bashkimi Europian nuk është një kult i formuar për të goditur ambicjet e Rusisë. Është një bashkim vendesh me ambicjet e tyre, por me vlera të përbashkëta, një kulturë të përbashkët dhe një vizion të përbashkët për mënyrën se si të arrihet mirëqënia ekonomike dhe paqja. 

Vendet që ndajnë të njëjtat vlera i përkasin kësaj familje dhe i duhet dhënë çdo inkurajim i nevojshëm për t’u bërë pjesë. Nuk nënkuptoj këtu se kandidatët kryesorë nuk e kanë vendin në Bashkimin Europian. Përkundrazi. Të dy janë aktualisht duke negociuar dhe veçanërisht Mali i Zi, ka ecur shumë përpara në këtë proces. Megjithatë, është për të ardhur keq që Bashkimi Europian, mbase i ndikuar nga skepticizmi fillestar i Junckerit, i ka mbajtur vendet e rajonit në korsinë e ngadalësimit, përfshi edhe ato vende që janë më entuziastet rreth anëtarësimit. 

Shqipëria
Le të marrim përshembull Shqipërinë. Sondazhet tregojnë se mbi 80% e qytetarëve të saj dëshirojnë integrimin në Bashkimin Europian. Kjo, në vetvete nuk është e mjaftueshme për anëtarësimin, por atje ku ka një konsensus të gjerë mbi integrimin, historia ka treguar se reformat e domosdoshme institucionale dhe politike janë shumë më të thjeshta për t’u zbatuar. Në të vërtetë, Shqipëria po e provon vazhdimisht këtë aksiomë. Për më shumë se një vit, Partia Demokratike në opozitë luftoi me forcë kundër disa pikave kyçe të paketës së reformave që Bashkimi Europian i ka kërkuar qeverisë socialiste që të zbatojë.

Rezultati? Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama u rikthye në pushtet në qershor me një shumicë të qartë. Ky është një mandat që duhet të sigurojë progresin drejt harmonizimit të mëtejshëm të standarteve të BE-së, veçanërisht në pesë drejtimet që Brukseli ka specifikuar si parakushte për hapjen e bisedimeve formale: reforma administrative, të drejtat e njeriut, lufta kundër korrupsionit, reforma në sistemin e drejtësisë dhe lufta kundër krimit të organizuar. 

Megjithatë, opozita vazhdon të bëjë qëndresë përballë këtyre reformave, siç dëshmuam përpara pak ditësh kur skena kaosi përfshinë Parlamentin e Shqipërisë, kur pakica demokratike tentoi të bllokonte emërimin e një Prokurori të ri të Përgjithshëm. “Qytetatët e Shqipërisë nuk duhet të befasohen nga politikanët që luftojnë me njëri-tjetrin”, nënvizoi Ambasada Amerikane në një deklaratë “të athët”. “Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet. Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të hetonte politikanët më në fund është larguar”. 

Me fjalë të tjera, me reformën tashmë në një stad të avancuar, ky është pikërisht momenti më i gabuar për Bashkimin Europian, për të mbajtur sërish Shqipërinë në radhë pritje. Ky është momenti për t’i dërguar një mesazh të fuqishëm votuesve shqiptarë, duke i thënë se mbështetja e tyre ndaj reformës në drejtësi dhe entuziasmi i tyre për anëtarësimit po japin fryte. Në mënyrë të ngjashme, një shumicë e qartë (prej 54%) e maqedonasve dëshirojnë integrimin në Bashkimin Europian, krahasuar me vetëm 26% të serbëve. 

E vërtetë, ekzistojnë mosmarrëveshje me Greqinë fqinje në lidhje me përdorimin e emrit, për të cilin Athina këmbëngul se i përket një prej krahinave të saj. Ky vazhdon të jetë një ngërç i rëndësishëm, por gjykuar nga incentivat e një anëtarësimi më të shpejtë në Union, kam bindjen se edhe autoritetet maqedonase do të gjejnë një zgjidhje për të tejkaluar këtë problem. E më pas mbetet Republika e Kosovës, ku unë kam qenë përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për disa vjet. 

Kosova
Në mënyrë të pabesueshme, 90% e kosovarëve duan integrimin në BE. Për fat të keq, nuk besoj që dëshirat e tyre të bëhen realitet në të një ardhme të afërt, me Serbinë dhe pesë prej anëtarëve aktualë të BE-së që refuzojnë të njohin legjitimitetin e saj. Pikërisht këtu, Bashkimi Europian ka nevojë të bëhet më proaktiv, duke inkurajuar Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, e gjithashtu Serbinë që të pranojnë të pashmangshmen duke njohur sovranitetin e Kosovës. 

Ky do të ishte një shembull se si asetet e jashtëzakonshme të “ndikimit të butë” europian mund të japin rezultate të rëndësishme, gjithmonë nëse ky potencial do të vihet në punë. Ndjesia ime është që Brukseli, deri përpara pak kohësh, qëllimisht e ka shpërfillur Ballkanin Perëndimor. Pa dyshim, ka pasur disa çështje të tjera të ngutshme, Ukraina, vala e emigracionit, papunësia, Greqia dhe së fundmi, Brexit me Katalonjën. 

E megjithatë, muzika duket se po ndryshon. “Nëse duam më shumë qëndrueshmëri në kufinjtë tanë, duhet të mbajmë gjallë një proces të besueshëm anëtarësimi për Ballkanin Përëndimor”, deklaroi Juncker në fjalën e tij mbi gjendjen e Unionit në muajin shtator. Presidenti i vendit tim, Emmanuel Macron ka thënë të njëjtën gjë, duke deklaruar në të njëjtin muaj se Bashkimi Europian “duhet t’i hapë dyert vendeve ballkanike”. Anëtarësimi në Bashkimin Europian do të ishte një zgjidhje për paqëndrueshmërinë politike dhe historinë e gjatë të konflikteve ndër-etnike në Ballkan. 

Muajin e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dha një paralajmërim të qartë: “Ballkani në përgjithësi e Shqipëria në veçanti duhet të ecin përpara”, tha ai përpara audiencës së Brukselit. “Nëse perspektiva europiane zbehet apo shndërrohet në një iluzion, atëherë gjërat mund të marrin një kthesë për keq”. Bernard Kouchner është ish-ministri francez i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane, bashkëthemelues i “Mjekëve pa Kufinj”, themelues i “Mjekëve të Botës”, si dhe ish-përfaqësues i posaçëm i OKB-së e kreu i misionit të UNMIK në Kosovë

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com