Bllokimi i disa autobuzëve me pasagjerë, që po niseshin nga Vlora drejt Mynihut të Gjermanisë ishte vërtet një masë e efektshme për t’i prerë udhën trafikimit të personave të mashtruar, se në vendin pritës mund t’u akordohej azili territorial dhe ekonomik.

Por, ky ishte veçse një rast i veprimit të shtetit shqiptar, për të mos lejuar shtetasit e vet që të abuzojnë me qarkullimin e lirë në ‘Zonën Shengen’, duke përfituar fillimisht nga regjimi që u është akorduar prej disa vitesh edhe qytetarëve të vendeve ekstrakomunitare të BE. Në të vërtetë, plot shtetas të tjerë janë kthyer kohë pas kohe në Shqipëri nga autoritetet e vendeve evropianoperëndimore, meqë të gjithëve (me ndonjë përjashtim të rrallë) nuk u është dhënë statusi i azilantit.

Rasti i fundit u shënua para tri ditësh, kur një avion nga Belgjika zbarkoi në Aeroportin e Rinasit, pra në vendin e origjinës, 38 shtetas shqiptarë që kishin kërkuar të qëndronin në zemër të Kontinentit të pasur të Evropës, për motive kryesisht ekonomike, pavarësisht arsyeve mashtruese me dokumenta të fallsifikuar që kishin paraqitur për këtë qëllim në atë vend pritës.

Pa qenë nevoja të zgjatemi këtu, për të sjellë plot shembuj të këtij lloji, për t’u theksuar është që shumica e këtyre udhëtarëve fatkeqë bëhen realisht viktima të grupeve të krimit të organizuar, që i trafikojnë qeniet njerëzore edhe me synime fitimi dhe shfrytëzimi në favor të këtyre grupeve. Ky soj trafikimi, duke qenë një fenomen gjithmonë në zgjerim, për një sërë faktorësh vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së Komunitetit Ndërkombëtar, posaçërisht të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, si Gjermania, Belgjika, Britania e Madhe, Ftanca, Suedia etj.

Në këtë vështrim, disiplina mbi trafikimin ka arritur një nivel të lartë kompleksiteti, si shkak i pluralitetit të burimeve në këtë lëndë. Por, instrumenti më i rëndësishëm i ditëve tona, që ka dhënë edhe përkufizimin më të qartë dhe të pranuar botërisht është Protokolli shtesë i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar për Parandalimin, Pengimin dhe Ndëshkimin e Trafikimit të Personave, veçanërisht të Grave dhe Fëmijëve (viti 2000).

Duke iu përmbajtur linjës të këtij komenti, ndoshta është e nevojshme që t’i përgjigjemi më parë pyetjes, nëse viktimat e trafikimit mund apo jo të përfitojnë nga ana e Shtetit, në territorin e të cilit zbarkojnë apo gjenden, mbrojtjen e parashikuar nga Konventa e Gjenevës mbi Statusin e Refugjatit, e cila i referohet kryesisht nenit 14 të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut ku parashikohet, se: “Çdo individ gëzon të drejtën të kërkojë dhe gëzojë në vende të tjera azil ndaj persekutimeve.

Këtë të drejtë nuk mund ta gëzojë ai individ që është realisht i kërkuar për krime jo politike apo për veprime të kundërta me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara”.
Një frymë e tillë ndjehet edhe nga përmbajtja e tekstit origjinal të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut. Në rastin më të pranueshëm, refugjati ndërkombëtar gjendet në një lloj apolidia de facto, duke qenë se bëhet fjalë për një subjekt që nuk ka humbur nënshtetësinë e vet, por që nuk gëzon më mbrojtjen diplomatike të vendit të tij të origjinës, duke qenë se e sheh veten të detyruar ta braktisë atë për shkak të persekutimit.

Po kështu, Deklarata mbi Azilin Territorial, e aprovuar nga O.K.B. në vitin 1967, edhe pse ka konfirmuar parimin e “non refoulment” të parashikuar nga nenet 32 dhe 33 të Konventës së Gjenevës, nuk ka sjellë ndonjë risi thelbësore në këtë drejtim.

Në këtë vështrim, duhet saktësuar që një person të mund të konsiderohet refugjat është e nevojshme pra që të ekzistojë një persekutim individual i tij për arsyet e përmendura në nenin 1 A (2) të Konventës së Gjenevës. Për ilustrim, le të përmendim nenin 33 të saj, që parashikon, se “Asnjë Shtet aderues nuk do të dëbojë apo kthejë mbrapa, në asnjë lloj mënyre, një refugjat drejt kufijve të territoreve në të cilat jeta ose liria e tij do të ishin të kërcënuara për shkak të racës së tij, fesë së tij, nënshtetësisë së tij, anëtarësisë së tij në një grup shoqëror apo opinioneve të tij politike”.

Edhe kjo e drejtë për të mos u dëbuar apo kthyer është gjithsesi subjekt kufizimesh dhe interpretimesh të kundërta. Në fakt, parimi i ‘non refoulement’ aplikohet jo ndaj çdo individi, por ndaj refugjatit. Saktësohet se, kjo e drejtë nuk mund të kufizohet te personi, statusi i refugjatit të të cilit është konfirmuar tashmë, por shtrihet te çdo person që ka të drejtë për t’iu njohur ky status, i cili është thjesht deklarues. Kjo sjell pra detyrimin për t’i dhënë një mbrojtje të përkohshme personave, statusi i të cilëve nuk është saktësuar ende.

Konkretisht, për shumicën e shtetasve shqiptarë, përkatësisht viktima të trafikimit, drejt Shteteve më të zhvilluara të Evropës, çështja është që vetëm kur ata të plotësojnë të gjithë elemtetët që përmban përkufizimi i termit ‘refugjat’ apo ‘azilant’, atëhere mund të shpresojnë që të përfitojnë statusin e pritur. Pra, në të gjitha këto raste, që individi të mund të njihet si i tillë duhet të ekzistojë një frikë e lidhur me të paktën një nga motivet e parashikuara prej Konventës së Gjenevës, të cilat gjatë këtyre rradhëve po i përmbledhim kryesisht dhe shkurtimisht në tre kushtet e rradhitura më poshtë.

Frika e bazuar ndaj persekutimit, për të cilën duhet saktësuar që përkufizimi i persekutimit nuk është i parashikuar as nga Konventa dhe as nga instrumenta të tjerë të aplikueshëm në një rast konkret. Pra, siç edhe mbështetet nga doktrina dhe nga jurisprudenca ndërkombëtare, mund të konsiderohen persekutime veprimet që përfshijnë dhunime të rënda të të drejtave të njeriut, si një kërcënim për jetën apo lirinë, ose lloje të tjera dëmesh të rënda apo situatash të patolerueshme. Në këtë kontekst, ajo që përbën një frikë të bazuar presekutimi varet nga rrethanat e veçanta të çdo rasti, duke pasur parasysh, për rastet e trafikimit, disa situata, si: format e shfrytëzimit të rëndë (marrja apo mbajtja peng, përdhunimi, reduktimi në skllavëri seksuale, puna e detyruar, heqja e organeve, dhuna fizike, mohimi i kurimit mjekësor), që cilësohen dhunime të rënda të të drejtave të njeriut dhe që përgjithësisht përbëjnë persekutim.

“Agjentët” e persekutimit. Në zbatimin praktik të instrumentave juridikë dallohen dy interpretime të mundshme të konceptit të persekutimit nën profilin subjektiv. Sipas “accountability theory”, statusi i refugjatit do të duhet të njihet vetëm atje ku persekutimi i atribuohet në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetit përkatës, apo rezulton i toleruar prej këtij. Ndërsa, në bazë të “protection theory”, duhet t’i jepet rëndësi perskutimit të kryer nga privatët, edhe nëse Shteti rezulton i pamundur që të marrë masat e nevojshme mbrojtëse për qytetarët e tij. Ky interpretim i fundit, i shpjeguar edhe nga “Handbook on Procedures and Criteria for Determining Refugee Status”, arsyen e gjen te funksioni i së drejtës ndërkombëtare të refugjatëve, e cila kërkon të zëvendësojë mbrojtjen internacionale me atë shtetërore joekzistuese.

Arsye të persekutimit. Neni 1A(2) i Konventës së Gjenevës të vitit 1951 numëron 5 hipoteza të rëndësishme persekutimi për njohjen e statusit të refugjatit dhe pra, për dhënien e së drejtës për të përfituar azil: duhet të bëhet fjalë për persekutime të kryera prej arsyeve të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup shoqëror të veçantë dhe opinionit politik. Lidhur me kërkesat për azil, që përfshijnë trafikimin, çështja më komplekse për personin që duhet të marrë vendimin lidhet me zgjidhjen e raportit midis frikës së persekutimit dhe një prej rasteve të listuara nga Konventa. Lidhja shkakësore mund të vendoset për secilin prej këtyre rasteve, ose edhe për një kombinim të tyre.

 Përmbajtja e tre kushte kryesore të përmendura më lart është e domosdoshme t’i bëhet e njohur popullsisë në vendin tonë apo grupeve të caktuara të saj, që të mos bien pre e trafikimit apo edhe e mashtrimeve me deklarata dhe “dokumentacion”, duke krijuar figura të veprave penale të ndëshkueshme. Ndërkohë, as të mos shpenzojnë (pasi hyjnë madje edhe në borxhe) shuma të konsiderueshme së paku për udhëtim, kur me ‘to mund të hedhin baza paraprake për një jetesë më mirë dhe dinjitoze në vendin e tyre. Në këtë vend pra, si Shqipëria, që me reformat e filluara dhe të ndërmarra nga qeverisja aktuale, një e ardhme realtivisht e shpejtë e pret në familjen e përbashkët evropiane.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)