Kushtetuesja në këtë mënyrë rrëzon kërkesën e Presidentit të republikës, Partisë Demokratike, Partisë Republikanëve dhe 5 subjekteve të tjerë, që kërkuan pezullimin e menjëhershëm të ligjit dhe shfuqimin e tij si antikushtetues.
Gjatë një seance që zgjati 7 orë, 8 subjektet kërkuan antikushtetueshmërinë e ligjit të ri nën argumentin se ai shkel haptazi të drejtën e pronës. Akuzat e tyre u përqendruan kryesisht te formula e kompensimit, e cila parashikon llogaritjen e çmimit të tokës me vlerën që ka pasur në vitin 1945.
Një pikë tjetër e akuzave ka të bëjnë me faktin se në ligjin e ri është hequr koncepti i kthimit të pronave, në rastin ku ato janë të lira.
Sipas tyre, formula e propozuar nga Qeveria u kthen pronarëve vetëm një pjesë shumë të vogël të vlerës së pronës duke cenuar parimin e sigurisë juridike dhe të drejtat e garantuara me ligj.
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, tha se vendimi nuk duhet parë si një sinjal negativ për verdiktin përfundimtar mbi antikushtetueshmërinë e ligjit, qëndrim që do të zbardhet nga gjykata ditët në vijim.
Alma Hicka, Avokatja e Shtetit, mbrojti ligjin para trupit gjykues duke theksuar se fatura për kompensimin e pronarëve arrin në total 30 miliardë dollarë. Sipas saj një kosto e tillë është e papërballueshme për shtetin.
Ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, u miratua në Kuvend më 5 dhjetor 2015, vetëm me votat e maxhorancës.
Më 11 dhjetor Presidenti refuzoi ta dekretojë ligjin, duke e rikthyer për shqyrtim në parlament. Në fillim të sesionit të ri, në seancën e 21 janarit, Kuvendi e rrëzoi dekretin duke lënë në fuqi ligjin në fjalë.
Ligji i ri i pronave parashikon një fond prej 24 milionë dollarësh për kompensimin e pronave të pronarëve.
Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)