TIRANE- Paketa e ndryshimeve Kushtetuese për reformën në sistemin e Drejtësisë iu prezantua dje zyrtarisht Komisionit të Venecias, organi i specializuar pranë Këshillit të Europës, në fushën e legjislacionit. Komisioni ad hoc për reformën në drejtësi, i dërgoi Venecias draftin përfundimtar të reformës në fillim të këtij muaji, ndërsa prezantimi i tij dje në seancë u bë nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

Ekspertët të cilët morën pjesë në seancën e djeshme të Komisionit të Venecias janë Kristaq Traja, Gent Ibrahimi, Aurela Anstasi, dhe Arta Vorpsi, si dhe Shefi i misionit të EURALIUS, Rainer Deville dhe këshilltari ligjor i OPDAT, Jon Smibert, përkatësisht misionet e BE dhe SHBA që asistojnë drejtësinë shqiptare. Drafti i komisionit ad hoc për reformën në drejtësi u prezantua nga konstitucionalisti Kristaq Traja, i cili referoi përpara ekspertëve të Venecias, paketën e ndryshimeve Kushtetuese.

Seanca e djeshme ishte vetëm prezantuese në terma të përgjithshme, ndërsa sesioni i rëndësishëm i Komisionit të Venecias do të jetë ai i dhjetorit, kur draft-opinioni i komisionit ad hoc do të diskutohet, ndërsa në datat 2 dhe 3 nëntor, ekspertë të Venecias do të zhvillojnë takime me klasën politike në Tiranë, për dakortësimin e qëndrimeve.   
 
Letra për Halimin
Në kushtet kur opozita ka shprehur skepticizmin e saj për reformën në sistemin e drejtësisë, duke bërë që konsensusi të duket larg, Komisioni i Venecias i ka dërguar një letër nënkryetarit demokrat për reformën në drejtësi, Eduard Halimi. “Shqiptarja.com” zbardh letrën që Sekretari i Komisionit, Tomas Merket i drejtohet Halimit duke e informuar atë se në datat 2-3 nëntor, ekspertët e Venecias do të zhvillojnë një vizitë në Tiranë, ku do të takojnë edhe përfaqësues të opozitës.

“Do të jetë e rëndësishme për ne që të kemi dialog direkt me ekspertët nga Partia Demokratike. Më 2 dhe 3 nëntor raportuesit e komisionit të Venecias do të jenë në Tiranë dhe presim me padurim që t’ju takojmë ju dhe kolegëve tuaj në këtë rast”. Merket i përgjigjet edhe shqetësimit të demokratëve për mungesën e ftesës ndaj tyre në takimin e djeshëm.

“Në takim në Venecia nuk do të ketë ndonjë diskutim substancial, por vetëm prezantim të draftit në terma të përgjithshëm. Prandaj ne nuk do të ftojmë pjesëmarrës të tjerë shtesë nga Shqipëria për këtë sesion”.