Pak e pak po mbushet viti që kur Partia Demokratike ndodhet në opozitë. Gjithë këto muaj shoh një grup parlamentar të PD-së të paorganizuar pa një program të qartë dhe jo shpresëdhënës. Duket qartë që është i papërgatitur seriozisht në diskutimet e radhës, kapet llaf pas llafi me ato shprehjet “ta çorra, ma çorre”, shpesh duke ulur diskutimet në nivel bulevardi. Madje disa deputetë të opozitës bëjnë kot më kot trimin, duke trashur zërin e kërcënuar me gisht, edhe kur e kanë zërin e hollë dhe gishtin fare të vockël. Nga ana tjetër, bojkoti ose braktisja e sallës vend e pavend ka qenë, është dhe do të jetë një blof i papranueshëm dhe me pasoja për vendin dhe vetë opozitën.
Kjo lloj lëvizjeje brovniane e parlamentarëve të PD-së brenda dhe jashtë parlamentit ka shpjegimin e vet. Ende nuk po sqarohet pse ndodhi ajo humbje e turpshme e “23 qershorit”. Është si puna e boksierit që e kanë hedhur në “knockdaun” e vazhdon të mbahet në litarët e ringut, duke mos u pajtuar me humbjen, edhe pse ndeshja ka mbaruar qëkur. Teoritë që thuhen e transmentohen drejtpërdrejt apo “underground” se PS me LSI-në vodhën votat e se kjo qeveri nuk e mbush vitin, vlejnë për qorrat, naivët dhe kusarët, që, veç të vjedhin në shtet, nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër.
Sepse këto teori përkthehen, që ne “ish-ët”: kryetarë partie, kryeministra, ministra, drejtues institucionesh, qeveritarë, nuk kemi gabuar, ne populli na do, por ja, ata na vodhën votat etj, etj, prandaj na mbani fort ne “ish-ëve”, të mirë e të ligj, të aftë e të paaftë, kusarë dhe të ndershëm, se të tjerë, më të fisëm, nuk keni ku të gjeni. Ndoshta ata që i përhapin, ndodh edhe t’i besojnë, por ai “populli demokrat” që unë takoj e pi kafe në Vlorë e në Tiranë mendon krejt ndryshe. Partia Demokratike ka nevojë të ulet e të bisedojë me të vetët (me të gjithë demokratët) sa më parë për të analizuar “23 Qershorin” dhe jo të çojë të deleguar në rrethe për të bërë regjistrime të anëtarëve nga e para(!?) dhe të mos lejojë njeri të flasë për të tjera gjëra.
Partia Demokratike duhet të organizojë zgjedhjet e reja në parti sipas parimit bazë të demokracisë: një antar, një vote; të shpallë një program të qartë mbi fazat dhe etapat që do të kalojnë zgjedhjet, që nga seksionet, në grupseksionet e deri në zgjedhjet e kryetarëve e sekretarëve, që nuk duhet të emërohen e komandohen “provizorisht” më nga lart. Ashtu si veprohet në kësi rastesh në botën demokratike, duhet dhënë dorëheqja e kryesive të vjetra dhe të krijohen bordet që do të organizojnë zgjedhjet, ku kryetari i dikurshëm mund të jetë anëtar, por kurrsesi drejtues bordi. Eksperienca 23-vjeçare tregon që parimi një anëtar-një votë në PD ka kohë që nuk zbatohet, të paktën këta tetë vitet e fundit.
Gjithë atyre që e ndjejnë veten të aftë të drejtojnë strukturat e PD-së, duhet t’u krijohet mundësia që të konkurojnë në seksione e grup-seksione dhe t’u lihet kohë e mjaftueshme të bëjnë fushatë për zgjedhjen e tyre. Të marrë fund koha kur gjithçka vendoset vetëm në një zyrë, nga një njeri ose nga një i deleguar që njeh vetëm bulevardin kryesor të qytetit, ku ka kaluar me makinë ose lokalet ku ka pirë birrë e ka ngrënë mish keci. Një parti, ku autoriteti i njëshit mbyt çdo zë e komandon pa kufi, u pa qartë se nuk ka të ardhme. Anëtarët e PD-së kanë nevojë të flasin atë që mendojnë, të dëgjojnë e kuptojnë njeri-tjetrin; njerëzit e ditur, të përkushtuar e vizionarë të kenë mundësi të konkurojnë si të barabartë me të “zgjedhurit” apo “të preferuarit” e PD-së në qendër e jo të fyhen e mënjanohen nga borizanët e porositur.
Ka një ndryshim të madh midis atyre që zgjidhen nga lart pa u votuar dhe gjykimeve të njerëzve nga poshtë. Të parët u shërbejnë vetëm atyre lart dhe as që duan t’ia dinë për ata poshtë. Praktika e deritanishme tregon se, po e pate mirë me “të madhin fare” ose me “ndonjë të madh”, mund “t’i pjekësh në hell” ata poshtë e të mos të hyjë gjemb në këmbë. Ka pasur kryetarë rrethesh, që kanë drejtuar PD-në për katër e tetë vjet me një celular te veshi, kanë hequr e kanë venë në poste e punëra kë kanë dashur pa asnjë kriter, kanë shitur e blerë vendet e punës, kanë vjedhur sa kanë mundur, nuk i kanë mbledhur një herë të vetme strukturat, madje as në kohë zgjedhjesh e çuditërisht prapë janë në krye. Prandaj PD-ja në qendër, megjithëse e kupton fare mirë situatën, heziton të bëjë analizën e “23 qershorit”, sepse ky grup njerëzish lufton e do të luftojë “qenërisht” për të mos rënë nga fiku.
Po pse të ketë hezitim, se nuk po e quaj frikë? Se do të ngrihen anëtarët e do t’u tregojnë vendin ca drejtuesve të papërgjegjshëm, që kanë punuar vetëm për klanin e tyre, duke shkelur ligjet? E ç’të keqe do të ketë PD-ja nga kjo? Vetëm do të pastrohet dhe ata që kanë hyrë tinëzisht për t’u pasuruar, jo për të ndërtuar shtetin e së drejtës, të largohen ose të paktën të mos jenë në strukturat drejtuese. Mund të jetojnë e punojnë kudo në Shqipëri, por, nëse njerëzit nuk i duan, le të largohen e mos t’i qepen si këpushat PD-së vetëm për përfitime personale.
Përfundimisht, nëse nuk do të bëhet analizë cilësore e humbjes së bujshme të zgjedhjeve të “23 Qershorit” dhe nëse nuk do të bëhen zgjedhjet në forumet e PD-së sipas parimit një anëtar- një votë, demokratët, sipas mendimit tim, le të këndojnë këngën “Kuturu” të një këngëtari të njohur, se marrja e pushtetit do të kthehet në vijë horizonti. Rrugë tjetër për të ardhur në pushtet me mjete demokratike nuk ka.
Shkrimi u publikua sot (22.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com