Programi "Erasmus +", i Bashkimit Europian për arsimin, rininë dhe sportin, ku merr pjesë dhe Shqipëria, mundëson modernizimin e sistemeve arsimore, përshtatjen e tyre me nevojat e tregut, si dhe siguron mbështetje financiare në këtë fushë.

Kuvendi po diskuton sot në seancë plenare, pr/ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet palës shqiptare dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programin 'Erasmus + '.
Sipas relatores së pr/ligjit, deputetes Mimoza Hafizi, Programi "Erasmus +"ofron përfitime për studentët dhe për stafet akademike e administrative; bashkëpunim institucional në arsimin e lartë; mbështetje për reformat e politikave arsimore. Ky bashkëpunim gjithashtu do të ofrojë mundësi studimi, trajnimi, ndjekje të cikleve të plota të studimit jashtë shtetit, shkëmbim të përvojave më të mira, aftësim të mëtejshëm të stafeve administrative etj.

Programi do të sigurojë nga vendet anëtare dhe partnere një financim prej 14.7 miliardë eurosh për një periudhë shtatë vjeçare, nga të cilat vendi ynë do të tentojë të përfitojë maksimalisht.
Duke patur parasysh misionin e kësaj marrëveshje, ratifikimi i saj do t'i shërbejë integrimit sa më të shpejtë të vendit tonë në nivel rajonal dhe europian./ATSH/