Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim me Zëvendëskryetaren e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztor, ku në qendër të diskutimeve ishte projektligji “Për referendumet në Republikën e Shqipërisë”.
Gjatë takimit u diskutua mbi draftin e përgatitur nga ekspertët shqiptarë dhe nevojën për konsultim me ekspertët e OSBE-së, me synimin për të përfituar nga përvojat dhe praktikat më të mira të vendeve europiane në organizimin e referendumeve.
Balla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në hartimin e kuadrit ligjor, duke nënvizuar se procesi synon forcimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe garantimin e standardeve europiane.
Takimi u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe u fokusua edhe te shkëmbimi i eksperiencave mbi mekanizmat e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe praktikat më të mira të zbatuara në Europë.
Komente










