
As në seancë nuk pati asnjë ndryshim në projektligjin për TVSH, me fokus në bujqësi. Edhe pse i propozuar nga deputeti socialist Erion Braçe por edhe nga deputetët e opozitës Eno Bozdo e Jorida Tabaku të kishte ndryshime dhe të përfitonin me shumë fermerët, amendimet u rrëzuan.
Kështu u miratua pa ndryshime me 80 vota pro, 25 kundër projektligji për TVSH, që parashikon që fermerët me NIPT në tatime të përfitojnë 10% kompensim për faturën që marrin nga grumbulluesit kur ju shesin produktet që kanë prodhuar. Në fakt në vend janë 111 mijë fermerë, por vetëm 11 mijë përfitojnë nga kjo nismë.
Pa ndryshime me votat e mazhorancës kaloi edhe projektligji për procedurat tatimore që parashikon që bizneset nuk do të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 100 mijë lekë në cash me një biznes tjetër. Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë individët apo të vetëpunësuarit.
Me 81 vota pro dhe 18 kundër u miratua Projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, që nis të diskutohet në komisione, parashikon të përjashtojë të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Gjithashtu me 81 vota pro kaloi edhe ndryshimi i ligjit për “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe me 84 vota pro projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohet një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit.
Lajmi kryesor:
Kuvendi i hap rrugën ‘Paqes Fiskale’ e fshirjes së 1 mld € borxhe! Rrëzohen amendimet e Braçes që bizneset përfituese të deklarojnë burimin e të ardhurave! Karton i kuq dhe për opozitën












