Sapo Kuvendi i hapi rrugën SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetaj, një nga avokatët e ish-zëvendëskryeministrit zgjodhi këtë moment për t’i dhënë fund dilemave se ku ndodhet ish-numri 2 i qeverisë.

"Zoti Ahmetaj ndodhet pranë vajzës së tij në Angli. Do të vij në Shqipëri kur të ketë liri", tha ai. 

Por çfarë ndodh me Arben Ahmetajn tashmë që 117 kolegë votuan për t’i hequr imunitetin? Proceduralisht, Kuvendi fillimisht duhet t’i nisë shkresën Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin e Arben Ahmetajt.

Tashmë SPAK nuk ka më pengesa për t’i kërkuar Gjykatës së Posaçme arrestimin dhe kontrollin në banesën e Arben Ahmetaj. 

"Shumë shpejt GJKKO do caktojë seancë mbi kërkesën e SPAK. Në momentin që GJKKO del me vendim për caktim mase, Ahmetaj del për çështje orësh në kërkim. Pas kësaj organi i akuzës i nis shkresën policisë e cila duhet të ekzekutojë vendimin e gjykatës", tha juristi Redi Ramaj.

Do të jetë gjyqtari që do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e SPAK për masën e sigurisë të “arrestit burg” apo nëse do të caktojë një tjetër masë sigurie gjatë fazës së hetimit për ish zv/kryeministrin Ahmetaj. Ndërkohë për kontrollin e banesës duhet vetëm që urdhër-ekzekutimi i SPAK të firmoset nga gjyqtari paraprak i GJKKO-së

Pavarësisht se vetë Ahmetaj ka konfirmuar se është larguar nga vendi, dhe faktit të shprehur publikisht nga avokati se ndodhet në Angli, në rast se Gjykata firmos urdhër arrestin e kërkuar nga SPAK, Policia nis kërkimet brenda vendit për një afat 3 javor. Nëse nuk e gjen brenda kufirit, atëherë Ahmetaj shpallet në kërkim ndërkombëtar dhe njoftohen të gjithë agjencitë ligjzbatuese partnere për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

"Fakti që është jashtë, masa nuk mund të ekzekutohet direkt, por duhet të kalojë tek organet partnere dhe varet nga prokuroria për të ekzekutuar vendimin", tha juristi Ramaj. 

Ahmetaj nuk ka më imunitet, por vijon të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, të paktën deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, nëse deri atëherë ish-numri 2 i qeverisë, nuk do të japë dorëheqjen. Megjithatë, nëse nuk paraqitet për 6 muaj në Kuvend Ahmetaj e humb mandatin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:19
SPAK kërkon arrestimin, avokati: Arben Ahmetaj është në Angli pranë vajzës, do vijë kur të ketë liri

Avokati Henrik Ligori thotë se Arben Ahmetaj ndodhet në Angli pranë vajzës së tij. Ahmetaj është larguar para se SPAK t’i dërgonte Kuvendit kërkesën për arrestimin e tij. Do të jetë policia e prokuroria që do të verifikojë nëse këto deklarata të jenë të sakta.

"Zoti Ahmetaj ndodhet pranë familjes së tij, pranë vajzës së tij. Do vijë kur të ketë liri", tha ai.

Sot 117 deputetë miratuan  kërkesën e SPAK, duke i hequr kështu imunitetin Ahmetajt.  

Ora 11:54
Kuvendi i hap rrugë arrestimit të Ahmetajt, sa kohë i duhet SPAK-ut? Avokati jep detaje në Report Tv: Deputet edhe për 6 muaj

TIRANË- Që nga ky moment, SPAK ka rrugën e hapur për të arrestuar si dhe për të kontrolluar banesat e ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetajt. Mirëpo sa kohë i duhet SPAK?

Avokati Redi Ramaj tha në Sot Live në Shqipëri me gazetarin e Report Tv Nertil Agalliu dhe zbuloi disa nga lëvizjet që bën nga ky moment SPAK-u nga ana ligjore.

“Janë tre vepra penale që akuzohet Ahmetaj dhe më e rënda është korrupsioni pasiv penal. Mendoj që GJKKO do përcaktojë seancën.”- tha avokati.

Pyetje: Sa ditë i duhet SPAK?

“Unë mendoj duke parë dhe procedurën, që në momentin që Gjykata del me vendim, është vetëm punë orësh. Fakti që është jashtë Shqiërisë kërkon që ky vendim ose kjo masë të kalojë dhe në organet e tjera përkatëse që bëjnë ekzekutimin kur kemi arreste ndërkombëtare por kjo varet nga Prokuroria.

Nëse nuk paraqitet për 6 muaj në Kuvend ai humb mandatin.”- thotë Ramaj.

 

Kuvendi i Shqipërisë i hapi sot (14 korrik 2023) rrugë arrestimit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Në seancën e posaçme plenare, 117 deputetë votuan pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Ahmetajt, duke i hequr kështu imunitetin e deputetit. Surpriza ishin 3 ligjvënësit e opozitës, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Fatmir Mediu, të cilët abstenuan.