Kuvendi kërkon nga Autoriteti i Konkurrencës përsëri hetim për tregun e spitaleve private, pavarësisht se nga monitorimi i vjetshëm nuk u konstatua abuzim me çmime, edhe pse një kompani ka pozitë dominuese në këtë rrjet spitalesh.
“Që ka pozitë dominuese është e qartë, e thënë, e hetuar dhe po ka pozitë dominuese. Ajo që nuk pranon AK është fakti i abuzimit, pra ka pozitë dominuese por jo abuzim me çmimet e pozitës dominuese. AK kishte element të paqëndrueshëm në argumentet që s’ka abuzime me çmimet në treg”, tha Erion Braçe, deputet i PS.
Edhe në projektrezolutën e këtij viti është vendosur si kërkesë hetimi i kompanive hidrokarbure.
“Përpara funksionimit të Bordit të Transparencës ne kishim deri 7 muaj me një çmim, që nuk ndryshonte asnjëherë, indicie më të madhe se kjo do Autoriteti i Konkurrencës për ta hetuar seriozisht këtë treg?”, tha Erion Braçe, deputet i PS.
Në projektrezolutën për këtë institucion ndër 9 rekomandimet e caktuara nga komisioni, kërkohet përsëri monitorimi i shoqërive të sigurimit për marrëveshjen që ka mes tyre për shkëmbimin e informacionit për primin e sigurimit të mjeteve, si dhe të bëhet monitorim për shërbimet televizive me pagesë.
Gjithashtu, Komisioni i Ekonomisë miratoi edhe projektrezolutën për INSTAT, ku detyrat kryesore kanë në fokus Censin e Bujqësisë të pritur për t’u realizuar këtë vit.
“Censi i Bujqësisë të realizohet në kohë brenda vitit 2026, dhe të mos përsëritet asnjë gabim që u vërejt në realizimin e Censit të popullsisë”, tha Bujar Leskaj, deputet i PD.
Një sërë detyrash janë lënë edhe për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në drejtim të digjitalizimit, të menaxhimit të krizave dhe për t’u përshtatur me standardet e BE-së. Të tria projektrezolutat do të marrin miratimin edhe në Komisionin për Mbikëqyrjen Institucionale, njohur ndryshe si komisioni ‘Xhafaj’, për t’iu përcjellë më pas parlamentit.
Komente










