Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të martën, më 2 nëntor, ka miratuar disa ndryshime të reja në Ligjin për themelimin e shoqatave dhe fondacioneve, ndryshime që ndalojnë regjistrimin e tyre me emra të fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, apo me emra të personaliteteve që nxisin mosdurim nacional, fetar, racor apo që fyejnë ndjenjat e ndonjë komuniteti të caktuar.
Ndryshimet ligjore janë miratuar me 67 vota të të gjitha partive politike në pushtet dhe opozitë.
Ndryshimet u imponuan pas regjistrimit të tri klubeve bullgare me emrat “Car Borisi i Tretë”, “Vanço Mihajllov” dhe “Car Ferdinandi”, që kontestohen nga pala maqedonase për shkak se bartësit e emrave të këtyre klubeve ishin bashkëpunëtorë të Gjermanisë naziste dhe drejtues të luftërave për pushtimin e Maqedonisë së Veriut gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore.
Si kundërpërgjigje, një shoqatë maqedonase në Bullgari ka hapur një klub me emrin “Nikolla Vapcarov” që Sofja e quan si provokim, pasi e konsideron si personalitet nga e kaluara historike bullgare.
Hapja e këtyre klubeve ka shkaktuar polemika të shumta jo vetëm mes shoqatave e historianëve, por edhe mes institucioneve shtetëror, të cilat i quajnë “provokime” hapjen e tyre.
Hapja e klubeve më së shumti nxiti reagime nga komuniteti hebre, për faktin se pjesëtarët e këtij komuniteti ishin viktima të veprimtarisë fashiste në Maqedoninë e Veriut gjatë Luftës së Dytë Botërore.
"Themelimi i këtyre klubeve prek ndjenjat e hebrenjve dhe të vetë maqedonasve kur dihet se 7.144 hebrenj u vranë, e mbi 11.000 të tjerë u dërguan në kampet e përqendrimit nga Bullgaria naziste. Car Borisi është sinonim i nazizmit”, kishte thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, Pepo Levi kryetari i shoqatës së hebrenjve.
Sipas ndryshimeve të miratuara, shoqatat që tashmë janë themeluar, brenda tri muajve duhet të ndryshojnë emrat e tyre në përputhje me dispozitat e reja ligjore, në të kundërtën do të çregjistrohen nga regjistri qendror i shoqatave dhe fondacioneve.
Ndryshimet ligjore përfshijnë edhe partitë politike, të cilat nuk do të mund të regjistrohen nëse emri apo programi i tyre nxit urrejtje ose jotolerancë kombëtare, racore ose fetare, nëse përhapin apo mbështesin ideologji të fashizmit, nazizmit, nacional-socializmit dhe Rajhut të Tretë (Gjermaninë naziste).
Me ndryshimet ligjore, edhe partive politike u është lënë një afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, për të harmonizuar emrin, simbolet, programin, statutin dhe objektivat, me përcaktimet e këtij legjislacioni./REL