Kuvendi mban të bllokuar
mandatin e Auron Tares

Kuvendi mban të bllokuar<br />mandatin e Auron Tares
TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën lidhur me zëvendësimin që duhet të bëjë ky institucion përsa i përket dorëzimit të mandatit të ish-deputetit socialist Andis Harasani dhe delegimin e këtij mandati te Auron Tare, pasues në listën shumëemërore për deputet të PS. Kjo ka bërë që të shtyhen procedurat për zgjedhjen e Tares si deputet i ri i Kuvendit dhe PS të qëndrojë për shumë ditë me një deputet mangët.

 Dorëheqja e Andis Harasanit nga posti i deputetit të Partisë Socialiste pak ditë më parë ka shkaktuar një vend vakant në grupit parlamentar të opozitar, duke e reduktuar në këtë mënyrë në 63 deputetë në Kuvend, pas përjashtimit të Kastriot Islamit nga grupi socialist. Por a e kushtëzon moszgjedhja në kohë e KQZ së re bllokimin e këtij mandati?

 Lidhur me këtë çështje ka folur për gazetën "Shqiptarja.com", eksperti për çështjet ligjore në PS, Bledar Çuçi. Ai deklaroi se ky mandat duhet të konstituohet nga KQZ e vjetër, e cila ligjërisht është ende në funksion të saj. "Pas urdhërit që Kuvendi duhet të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është pikërisht KQZ e vjetër ajo që duhet të mblidhet për të miratuar kërkesën e Kuvendit për zvendësimin e mandatit. Por mesa duket ky mandat do të kalojë pas miratimit të KQZ së re në Parlament", tha Çuçui. Ndërkohë që zgjedhja e Auron Tares në postin e deputetit të PS kërkon ndjekjen e disa procedurave mes kryetares se Kuvendit Jozefina Topallit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit dhe më pas votimi në sallën e Parlamentit.

Sipas burimeve nga KQZ, ende nuk ka mbërritur shkresa zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë në emër të kryetares Topalli, ndërkohë që dorëheqja e deputetit Harasani është bërë 7 ditë më parë. Procedurat burokratike nga Kuvendi dhe procesi në të cilën ndodhet organi më i lartë zgjedhor përsa i përket përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarët dhe kreun e saj, pritet ta shtyjnë edhe më shumë kohën e zëvendësimit të deputeti socialist në listën e grupit parlamentar.

PROCEDURAT
Kryetarja e Kuvendit duhet të lajmërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vendin bosh që mbetet nga largimi i një anëtari në parlament, konkretisht nga dorëheqja e z. Harasani si deputet i Partisë Socialiste. Më pas duhet të mblidhet KQZ duke parë listën se cili është pasardhësi. Në bazë të listës emërore në zgjedhjet e vitit 2009, shihet pasardhësi i deputetit që largohet dhe pas verifikimit të disa kritereve ligjore, për të cilat nuk ka ndonjë pengesë, komisioni zgjedhor ia dërgon emrin Kuvendit, i cili kalon te Këshilli i Mandateve. Pas verifikimit të mandatit të dërguar nga KQZ, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit e dërgon emrin për votim në seancën e radhës plenare.

RASTI "SESERI"
Dorëheqja e Deputetes socialiste për Qarkun e Durrësit Rudina Seseri shkaktoi përplasje mes mazhorancës dhe opozitës për faktin se emri pasues në listën shumë emërore të vitit 2009, kandidati Gjon Bardhi, nuk pranoi postin e deputetit me argumentimin se ai ishte zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Fushë-Krujës në zgjedhjet vendore të vitit 2011. Pas një kalvari të gjatë me procedura burokratike dhe akuzash mes palëve për bllokim të mandatit, palët gjetën konsensusin duke votuar emrin pasues të kandidatit Bardhi. Pas deklaratës së këtij të fundit se nuk e pranonte postin e deputetit dhe një procesi të gjatë që shoqëroi këtë çështje, në fund u zgjodh deputet për Qarkun e Durrësit z. Edison Konomi, i cili mbante më parë mandatin e këshillit të qarkut të këtij qyteti.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia